“I kam shërbyer shtetit shqiptar për 35 vite”, Shkëlqim Hajdari zyrtarisht prefekt i Tiranës: Ky pozicion do jetë më i dashuri, ndoshta edhe i fundit

09/02/2026 13:19

Shkëlqim Hajdari ka marrë zyrtarisht detyrën si Prefekti i ri i Tiranës.

Në fjalën e tij të parë në këtë pozicion, Hajdari shprehu se i ka shërbyer shtetit për 35 vite dhe se busulla e tij do jetë vetëm ligji gjatë kohës së tij si Prefekt i Tiranës.

Ai shtoi se ky pozicion mund të jetë edhe i fundit për të ndaj dhe shprehu se dëshiron ta ushtrojë atë me dinjitet.

“Kjo frymë e ka bërë Tiranën një frymë të hapur për të gjithë ata që erdhën për të ndërtuar jetën këtu, duke e kthyer sot në një metropol. Sot dua të them të hapur, do të jem prefekt i të gjithëve, të çdo kujt që jeton në metropol pa dallime. Kjo sepse Tirana është e fortë vetëm kur banorët janë të bashkuar. Busulla ime do të jetë vetëm ligji. Kam mbi 35 vite që shërbej në shtetin shqiptar, por ky pozicion do të jetë më i dashuri ndoshta edhe i fundit. Pikërisht për këtë arsye dua të ushtroj me dinjitet e të lë gjurmë për mirë”, u shpreh Hajdari.

Deklarata e plotë:

Marr sot detyrën e Prefektit të Qarkut të Tiranës me një ndjenjë të thellë përulësie dhe përgjegjësie. Për mua, kjo nuk është thjesht një funksion shtetëror, por një mision që lidhet drejtpërdrejt me njerëzit, me jetën e tyre dhe me të ardhmen e këtij qarku.

Tirana është vendlindja , kujtesa dhe shpirti im. Ajo është ndërtuar mbi themelet e autoktonëve tiranas, njerëzve që i dhanë këtij qyteti identitet, qytetari dhe fisnikëri. Unë jam vetë autokton dhe e di nga përvoja se vendalinjtë e Tiranës kanë qenë gjithmonë mikpritës, zemërgjerë dhe përbashkues. Kjo frymë e ka bërë Tiranën një shtëpi të hapur për të gjithë ata që erdhën nga çdo cep i Shqipërisë dhe e zgjodhën këtë qytet për të jetuar, punuar ëndërruar e ndertuar, duke e bërë sot, te gjithe bashke, metropolin e Shqiperisë.
Njoh çdo lagje e rrugë të saj, ku dhe si jane te shperndara ata,njoh nga afer cdo fshat, çdo fushe e koder perreth saj dhe malin e Dajtit që prin në lindje, njoh nga afer qytetaret e saj te vjeter e te rinj, ku jane vendosur per te jetuar e punuar.

Për këto arsye, sot dua ta them me zemër të hapur: do të jem Prefekt i të gjithëve. I autoktonëve tiranas dhe i çdo qytetari tjetër që jeton në këtë metropol, pa dallime politike, fetare apo shoqërore. Sepse Tirana është e fortë vetëm kur qytetarët e saj jane te bashkuar.

Në ushtrimin e kësaj detyre, ligji do të jetë busulla ime e vetme. Drejtimi, koordinimi dhe kontrolli i ligjshmërisë së veprimtarisë së bashkive dhe institucioneve qendrore në qark do të bëhet me paanshmëri, përgjegjësi dhe respekt për njëri-tjetrin. Prefektura do të jetë një urë bashkëpunimi, sepse qytetarët kanë nevojë për institucione që flasin me një zë dhe punojnë për të njëjtin qëllim, për të permiresuar jetesën e tyre dhe sherbimet që duhet tu ofroj shteti.

Në fund, dua të flas krejt personalisht. Kam mbi 35 vjet që punoj për shtetin shqiptar, në pozicione të larta drejtuese, me përgjegjësi dhe përkushtim. Por funksioni i Prefektit të Tiranës do të jetë për mua më i bukuri, më i dashuri dhe më i përkushtuari. Ndoshta edhe i fundit. Dhe pikërisht për këtë arsye, dua ta ushtroj me dinjitet, ta mbyll me nder dhe të lë gjurmë për mirë, në shërbim të njerëzve dhe të këtij qyteti që është shtëpia jonë e përbashkët.

Sepse Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Shqipërisë; Tirana është kryeqyteti dhe zemra e shqiptarësisë.

Faleminderit nga zemra.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB