Akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit/ Prokuroria e Hagës kërkon 45 vite burg për secilin nga ish-krerët e UÇK Gushtin e vitit 2015, ligjvënësit e parlamentit të Kosovës miratuan me shumicë votash ndryshimet kushtetuese që do të mundësonin themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.
Amendamentin për ndryshimin e kushtetutës, e prezantoi para deputetëve ish-kryeministri, Isa Mustafa. Ai argumentoi se partneriteti i Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare është i nevojshëm dhe mbi këtë bazë Kosova duhet t’u përgjigjet detyrimeve ndërkombëtare dhe një nevoje për të dëshmuar luftën e pastër dhe të drejtë, që zhvilloi UÇK-ja.
Hashim Thaci, deri përpara nisjes në Hagë, kishte vazhduar ta mbronte këtë vendim të Kuvendit si të drejtë dhe strategjik. Gjykata Speciale u themelua si një lloj detyrimi moral në vazhdën e akuzave të tmerrshme për trafikim të organeve njerëzore, që ka paraqitur senatori zviceran Dik Marty në raportin e tij në Këshilin e Europës në vitin 2011.
Megjithatë, në aktakuzën aktuale nuk ka asgjë nga këto akuza. Padia thotë se ish presidenti Thaci, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.
Tani që katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë po i afrohet fundit, përmbyllet edhe një maratonë më shumë se dyvjeçare dëshmish, ku prokuroria dhe mbrojtja kanë ofruar dy narrativa të kundërta: njëra që flet për UÇK të strukturuar me zinxhir komandues deri te Thaçi, dhe tjetra për një forcë guerile pa hierarki të qartë.
Teksa vëmendja është fokusuar tek ndëshkimi ose jo i këtyre katër figurave të rëndësishme, droja nga ky proces gjyqësor është edhe sesa do të ndikojë ai mbi mënyrën sesi do të mbahet mend Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Top Channel