Kristen Stewart blen kinemanë historike në Los Angeles: Jam e magjepsur nga gjërat e vjetra
Gurë runikë deri në 1,000 vjeçarë vazhdojnë të zbulohen rastësisht në Suedi dhe vende të tjera nordike, duke hedhur dritë mbi aspekte të panjohura të jetës, marrëdhënieve dhe shqetësimeve të Vikingëve.
Këto mbishkrime guri, që dikur shërbenin si monumente publike kujtese, projeksioni shoqëror dhe, në disa raste, rrëfimi personal, përbëjnë sot një nga arkivat më të rëndësishëm të historisë nordike.
Gurët runikë janë pllaka ose blloqe guri të gdhendura me shkrim runik, të krijuara kryesisht nga popujt nordikë, sidomos Vikingët, rreth shekullit IV deri në shekullin XII pas Krishtit.
Siç raporton Aftonbladet, një nga zbulimet më tipike ndodhi kur një fermer në jug të Stokholmit gjeti një gur në fushën e tij dhe kishte ndërmend ta përdorte si prag. Vetëm pasi e përmbysi, vuri re runat e gdhendura. Runologu suedez Magnus Källström, i thirrur për ta analizuar, arriti të lexojë për herë të parë pas gati një mijë vjetësh mesazhin.
Runat janë shkruar në materiale të ndryshme si dru, kockë, vegla dhe gur, por mbishkrimet në gur kanë qenë forma më e qëndrueshme dhe më e dukshme. Disa prej tyre përmbajnë mesazhe personale, madje edhe emocionale, si një mbishkrim i fundit të shekullit XI i gjetur pranë Göteborgut, që thotë: “Ti mendon për mua, unë mendoj për ty, ti më do, unë të dua.”
Sipas BBC-së, zbulime të tilla ndodhin shpesh gjatë ndërtimit të rrugëve, punimeve bujqësore apo restaurimeve të kishave dhe ndërtesave të vjetra. Disa gurë datojnë deri 2,000 vjet më parë, ndërsa të tjerë janë përdorur si materiale ndërtimi dhe janë dëmtuar ose mbuluar me kalimin e shekujve.
Fjala “runë” vjen nga fjala e vjetër nordike rún, që do të thotë “sekret”. Alfabeti runik u shfaq në Evropën veriore rreth 2,000 vjet më parë dhe u përdor gjerësisht gjatë Epokës Vikinge (800–1050 pas Krishtit). Gurët runikë shpesh ngriheshin në udhëkryqe dhe vende takimi, duke funksionuar si një lloj “media sociale” e kohës, ku përkujtoheshin të vdekurit, shpreheshin besime fetare apo mesazhe shoqërore.
Shumë prej mbishkrimeve lidhen me përhapjen e Krishterimit në Skandinavi dhe përfshijnë kryqe ose lutje për të ndjerët, ndërsa të tjera zbulojnë anën më të zakonshme dhe humoristike të jetës vikinge, përfshirë gjëegjëza dhe lojëra fjalësh.
Sot njihen rreth 7,000 mbishkrime runike në mbarë botën, kryesisht në Suedi dhe Norvegji, por edhe në Danimarkë, Islandë, Mbretërinë e Bashkuar, Groenlandë dhe madje Turqi, duke reflektuar shtrirjen e gjerë të udhëtimeve vikinge.
Ekspertët theksojnë se, edhe pse sot gurët duken gri dhe të konsumuar, fillimisht ata ishin të pikturuar me ngjyra të ndezura. Çdo zbulim i ri ofron një dritare unike drejt botës së vikingëve – marrëdhënieve të tyre familjare, besimeve, ambicieve dhe frikërave – duke sjellë të kaluarën papritur në të tashmen, të gdhendur në gur.
Top Channel