Luvri do të restaurojë kurorën e shkatërruar nga grabitësit, por mungojnë 10 diamante

05/02/2026 22:04

Muzeu i Luvrit ka njoftuar se do të nisë restaurimin e kurorës së Perandoreshës Eugénie, e cila u dëmtua gjatë grabitjes së madhe të tetorit të kaluar, kur hajdutët vodhën bizhuteri me vlerë rreth 88 milionë euro.

Kurora, e punuar rreth 170 vjet më parë, u braktis nga grabitësit gjatë arratisjes dhe pësoi dëmtime. Sipas Luvrit, ajo është “deformuar seriozisht, por pothuajse e paprekur” dhe mund të restaurohet pa pasur nevojë për rindërtim të plotë.

Muzeu konfirmoi se të 56 smeraldët e kurorës ndodhen ende në vend, ndërsa mungojnë vetëm 10 diamante shumë të vegjël nga gjithsej 1,354 që e zbukuronin fillimisht. Nga tetë shqiponjat e arta rreth buzës së kurorës, mungon vetëm një.

Për restaurimin, Luvri do të hapë një konkurs për përzgjedhjen e një konservuesi të akredituar, në përputhje me Kodin Francez të Trashëgimisë Kulturore. Procesi do të mbikëqyret nga një komitet këshillimor ekspertësh, ku do të përfshihen edhe përfaqësues nga pesë shtëpi historike argjendarie: Mellerio, Chaumet, Cartier, Boucheron dhe Van Cleef & Arpels.

Kurora ishte pjesë e një çifti kurorash të porositura nga Napoleoni III në vitin 1855 për veten dhe bashkëshorten e tij, Perandoreshën Eugénie. Asnjëra prej tyre nuk u përdor ndonjëherë për një kurorëzim zyrtar.

Autoritetet franceze kanë arrestuar katër autorët e grabitjes, por organizatori kryesor i saj mbetet ende në arrati. Ndërkohë, tetë xhevahire të tjera të kurorës franceze, përfshirë një gjerdan me smerald që i përkiste Marie Louise, gruas së dytë të Napoleon Bonapartit, si dhe disa bizhuteri me safir dhe perla, nuk janë gjetur ende.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB