Partizani festoi ditëlindjen e tij të 80 në mbrëmjen e 4 shkurtit. Në festën e organizuar nga klubi kryeqytetas përvec disa prej legjendave të këtij klubi, i pranishëm ishte edhe presidenti i FSHF Armand Duka që në fjalën e tij vlerësoi historinë, trashëgiminë dhe transformimin e klubit ndër vite.

‘Kam nderin të jem pjesë e datëlindjes së një prej klubeve më të mëdhenj në Shqipëri. Partizani në 8 dekada ka kontribute të jashtëzakonshme në futbollin shqiptar. Nga themelimi e deri sot ka kaluar në forma të ndryshme të organizimit, që nga ajo shtetërore, shoqata dhe sot është një shoqëri aksionere me pronar të vetëm Gazment Demin dhe familjen e tij-tha presidenti Duka nuk harroi të përmendë disa prej emrave që kanë shkruar faqe të historisë së Partizanit

‘Dua t’iu shpreh mirënjohjen të gjithë atyre që kanë luajtur futboll për Partizanin. Do të rikujtoja disa nga ato figura shumë të mëdha: mbretin e futbollit shqiptar, Panajot Panon, Lin Shllakun, kapitenin e 15 viteve dhe bashkëpunëtorin tim për shumë kohë, Ilir Shulkun, Ylli Shehun, Genc Tomorrin, Ledio Panon e shumë e shumë emra të tjerë që i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar dhe Partizanit-shtoi Duka që më pas vlerësoi Partizanin për Akademinë e tij

‘Në kohët moderne, një klub kërkon stabilitet, vizion, menaxhim. Dhe këto Partizani sot i ka. Akademia e Partizanit është një nga më të mirat në Shqipëri, që prodhon talente dhe që e bën akoma më të sigurt të ardhmen e tij në futboll. I uroj shumë suksese, i shpreh mirënjohjen dhe njëherë atyre që kanë kontribuar te Partizani, i ftoj të vazhdojnë ta mbështesin me po të njëjtin zell Partizanin gjithë tifozët e Partizanit në të gjithë Shqipërinë. Suksese dhe sa më shumë rezultate dhe fëmijë të veshin fanellën e Partizanit dhe të luajnë futboll’-e mbylli fjalën e tij presidenti Duka

Top Channel