Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ngriti shqetësimin për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë fjalës së tij në Forumin për Sigurinë, në Kongresin Amerikan, Peleshi e cilësoi rajonin një hapësirë gjeopolitike të ndjeshme ndaj kërcënimeve hibride dhe ndërhyrjeve të huaja.
“Ballkani Perëndimor mbetet i ndjeshëm në aspektin gjeopolitik, i ekspozuar ndaj përpjekjeve të huaja për të minuar stabilitetin, për të dobësuar institucionet demokratike dhe për të shkatërruar besimin te rruga Euro-Atlantike. Ky realitet kërkon vigjilencë, qëndrueshmëri dhe qartësi strategjike. Integrimet euroatlantike dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë të domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, shprehet ai.
“Siguria ka kosto dhe përgjegjësia duhet ndarë”! Me këtë mesazh, Kryeparlamentari Peleshi kujtoi vendimin e Samitit të NATO-s në Hagë për rritjen e investimeve në mbrojtje, duke theksuar se edhe Shqipëria po e ndërmerr një hap të tillë.
“Këtë vit ne po investojmë 2.12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje, me një trajektore të qëndrueshme në rritje në vitet e ardhshme, për të përmbushur udhëzimet e dakordësuara”, thotë më tej.
Në Forumin, ku merrnin pjesë senatorë e kongresmenë, përfaqësues të lartë të sigurisë dhe personalitete të larta ushtarake amerikane, Peleshi nënvizoi se partneriteti Shqipëri-SHBA është strategjik, afatgjatë dhe i bazuar në vlera të përbashkëta demokratike, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Top Channel