Një tjetër faqe e errët në historinë e Epstein/ Dosja me skandale dhe Greqia, e shihte këtë shtet si “laborator financiar”

04/02/2026 19:15

Dosjet e reja të publikuara nga autoritetet amerikane për Jeffrey Epstein zbulojnë një dimension të panjohur deri tani: interesin e fortë dhe sistematik të tij për Greqinë gjatë viteve të krizës ekonomike.

Sipas qindra email-eve dhe dokumenteve të brendshme, Epstein, i cili u vetëvra në burg në vitin 2019 ndërsa priste gjyqin për trafik seksual, e shihte Greqinë si një “laborator financiar” për spekulime dhe investime me rrezik të lartë.

Në korrespondencën e tij, ai merrte informacion të drejtpërdrejtë nga banka ndërkombëtare, si JPMorgan dhe Deutsche Bank, për blerjen e bonove shtetërore greke, aksioneve bankare dhe produkteve financiare të lidhura me rimëkëmbjen e ekonomisë greke, raporton korrespondenti i Top Channel në Greqi Aleksandër Marku.

Në një email të vitit 2011, një drejtues i JPMorgan i propozon blerjen e obligacioneve greke me interes mbi 11 për qind, ndërsa Epstein përgjigjet shkurt: “ma kujto javën tjetër”, duke lënë të kuptohet se po shqyrtonte seriozisht bastin mbi borxhin grek.

Por interesi i tij nuk ishte vetëm financiar. Epstein kërkonte informacione politike në nivelet më të larta: nga referendumi i vitit 2015, te largimi i Varoufakis dhe skenarët për një dalje të mundshme të Greqisë nga eurozona.

Në arkiva rezulton se fjala “Greqi” përmendet mbi 1.500 herë, kryesisht në periudhën 2012–2015, kulmi i krizës.

Paralelisht, Epstein interesohej edhe për antikitetet greke, për familje të mëdha armatorësh të diasporës dhe madje për ndërtimin e një vile “në stil grek” në ishullin e tij privat në Karaibe.

Ekspertët theksojnë se dosjet nuk provojnë përfshirje kriminale të personave të përmendur, por zbulojnë qartë mënyrën se si elita globale e shihte krizën greke: jo si tragjedi sociale, por si mundësi për fitim dhe ndikim.

Një tjetër faqe e errët në historinë e Epstein,  këtë herë, me sytë nga Athina.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB