Trump përshkallëzon përplasjen me Harvardin, kërkon 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga universiteti

03/02/2026 09:04

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se administrata e tij do të kërkojë 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga Universiteti Harvard, në kuadër të konfliktit të vazhdueshëm mes Shtëpisë së Bardhë dhe institucionit prestigjioz akademik.

Deklarata vjen pasi New York Times raportoi se qeveria amerikane ishte tërhequr nga kërkesa e mëparshme për një pagesë prej 200 milionë dollarësh gjatë negociatave me universitetin. Trump reagoi përmes një postimi në rrjetin Truth Social, duke akuzuar Harvardin se ka “ushqyer me gënjeshtra” median amerikane.

Zyrtarë të administratës Trump kanë akuzuar Harvardin se nuk ka vepruar mjaftueshëm për të luftuar antisemitizmin gjatë protestave pro-palestineze në kampus, akuza që universiteti i ka hedhur poshtë.

Harvardi ka qenë një nga objektivat kryesore të fushatës së Shtëpisë së Bardhë kundër asaj që Trump e quan ideologji “woke” dhe “e majta radikale” në universitetet amerikane.

Në prill të vitit të kaluar, Trump anuloi rreth 2 miliardë dollarë fonde federale për kërkime shkencore dhe ngriti financimet për Harvardin. Universiteti reagoi duke paditur administratën, duke argumentuar se qeveria nuk ka të drejtë të diktojë çfarë mësohet, kë pranon apo kë punëson një universitet privat.

Një gjykatë federale amerikane më pas rrëzoi vendimin për ndërprerjen e fondeve, duke konstatuar shkelje të së drejtës së fjalës së lirë. Shtëpia e Bardhë e quajti vendimin “skandaloz” dhe paralajmëroi apelim.

Tashmë, Trump ka deklaruar se nuk ka më interes për marrëveshje me Harvardin.
“Po kërkojmë një miliard dollarë dëmshpërblim dhe nuk duam më asnjë marrëdhënie me Universitetin Harvard në të ardhmen,” shkroi ai.

Trump ka kërcënuar më herët edhe me heqjen e statusit të përjashtimit nga taksat për universitetin, si dhe me marrjen nën kontroll të patentave të krijuara nga kërkimet e financuara nga shteti.

Ndryshe nga Harvardi, universitete të tjera të Ivy League, si Columbia, Penn dhe Brown, kanë arritur marrëveshje me administratën Trump për të shmangur humbjen e fondeve federale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB