Ekonomia/ Rritet treguesi i besimit, bizneset më optimiste se konsumatorët për vitin 2026, problem mbetet fuqia punëtore

02/02/2026 19:54

Pritshmëritë e bizneseve në këto muaj të parë të vitit në vend për ecurinë aktuale të tyre shfaqen pozitive edhe në raportin vrojtues të besimit në ekonomi të përgatitur nga banka e Shqipërisë.

Ndonëse më optimistë për rritjen ekonomike, problem për bizneset mbetet mungesa e fuqisë punëtore sidomos ajo e kualifikuar, shqetësim i ngritur edhe nga vet banka qendrore si dhe organizatat ndërkombëtare.

Viti 2026 ka nisur i mbarë për bizneset të cilët kanë pritshmëri më të larta këtë vit për vijueshmërinë e biznesit të tyre. Janë shërbimet ato të cilat po performojnë më mirë dhe kanë pritshmëri optimiste për muajt pasardhës. Me 7.4% u rrit besimi në bizneset si baret restorantet, hotele e struktura akomoduese si dhe agjenci turistike e logjistikë. Ndikuar më së shumti nga niveli i kërkesës.

Në të njëjtën linjë ndodhet dhe tregtia e cila regjistron një rritje të besimit me 4.4%. Ndërsa ndërtimi ka vijuar qëndrueshmërinë me porosi aktuale në rritje duke I bërë edhe këto biznese të këtij sektori më optimiste.
Ndalur tek industria, teksa performance e sektorit ndër vite ka shfaqur rënie si pasojë e kontratave porositëse, zhvlerësimit të valutave dhe mungesës së fuqisë punëtore, 2026 ka shfaqur grimca shprese teksa edhe ky sektor ka ngritur kokë sipas vrojtimit të besimit, me një rritje të këtij treguesi me 4.8%.

Punësimi për të gjithë sektorët e ekonomisë mbetet një ndër faktorët më shqetësues, I cili ndikon vazhdimisht në ecurinë e tyre dhe prodhimtarinë.

Ndërsa ekonomia rritet por qytetarët shfaqen të shqetësuar për financat e tyre.

Nga njëra anë bizneset shprehen pozitive për vijueshmërinë e aktivitetit në të ardhmen, ndërsa nga ana tjetër konsumatorët shfaqen pesimist si nga gjendja e tyre financiare dhe blerjet në të ardhmen.

Top Channel