Opinion/ Preç Zogaj: BE nuk prishet, po ne rrezikojmë të mbetemi prapë jashtë
Nga Dr. Klodian Rado
“Mandati i fundit i qarkut” është bërë fjalia më e lodhshme dhe më e rrezikshme e demokracisë sonë. E dëgjon në kafene, në studio televizive, në zyra fushatash, në rrjete sociale, sikur të ishte ligji i gravitetit të politikës shqiptare: gjithçka varet nga ai mandat i fundit, nga ajo diferencë e hollë votash, nga ajo natë numërimi kur tensioni ngrihet si mjegull mbi qytete dhe fshatra. Aty fillojnë presionet lokale, përplasjet e “komisionerëve”, telefonatat e nxehta, pazaret e vogla që bëhen të mëdha, dhe ato pazare “të pastra” të minutazhit në TV që, në praktikë, ndajnë oksigjenin e fushatës. Dhe kur përfundon gjithçka, mbetet një ndjesi e përbashkët, pothuaj fiziologjike: qytetari votoi, por nuk është i sigurt nëse vota e tij u kthye në pushtet me drejtësi vote, apo u përkthye sipas një gjuhe që nuk e njeh, në një sistem që e favorizon strategjinë elektorale më shumë se sovranitetin e popullit.
Në të vërtetë, problemi ynë nuk është vetëm si numërohet vota. Problemi është shumë më thellë, si përkthehet vota në pushtet. Një proces mund të jetë teknikisht korrekt në kuti e në procesverbal, por skematikisht dhe politikisht i padrejtë në mënyrën si i shpërndan mandatet, si e peshon votën, si e krijon hapësirën për klientelizëm, si e mbyll qarkullimin e elitave dhe si e bën “të pamundur” hyrjen e partive të reja ne parlament. Në këtë pikë, demokracia nuk dështon me një shpërthim; dështon me lodhje, lodhje e qytetarëve, lodhje e shpresës, lodhje e besimit të publikut.
Kjo është arsyeja pse reforma zgjedhore nuk duhet trajtuar si thjesht “rregullim procedure”, as si pazari i radhës para zgjedhjeve. Ajo duhet trajtuar si një riparim themelor i arkitekturës zgjedhore: si një akt që e bën sistemin më të drejtë, më transparent, dhe mbi të gjitha, më rezistent ndaj kapjes së rradhës, që sot e shohim si hije të përhershme mbi çdo garë zgjedhore në Shqipëri. Ky riparim arkitekturor, duhet te ketë si synim krijimin e një modeli që barazon peshën e votës, shpëton zgjedhjen nga debate absurd pë r “mandatin e fundit të qarkut”, dhe ia kthen qytetarit fuqinë reale mbi përfaqësuesin.
Problemet e Sistemit Zgjedhor Aktual:
Sot, debati për reformën nuk mund të nisë pa kuptuar çfarë system zgjedhor kemi dhe çfarë na lejon Kushtetuta. Korniza kushtetuese është e prerë: Neni 64 përcakton një Kuvend me 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar, si dhe njeh të drejtën e zgjedhësit për votë parapëlqyese brenda listave shumemërore; ndërkohë, i lë Kodit Zgjedhor të vendosë “mekanikën”: zonat, pragun, numrin e mandateve për zonë dhe mënyrën e shpërndarjes. Por aty gjendet edhe një kufizim që shpesh nënvlerësohet: Kushtetuta garanton se votimit parapëlqyes i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës, pra, sistemi mund të jetë “2/3 i hapur” si sot, ose mund të bëhet 100% i hapur, por nuk mund të jetë më pak se kaq pa e prekur Kushtetutën. Mbi këtë bazë, Kodi Zgjedhor e kthen “konkurrimin rajonal” në një arkitekturë konkrete: zona zgjedhore për Kuvendin është qarku, mandatet ndahen për çdo qark mbi bazë popullsie, dhe pragu kombëtar për të hyrë në shpërndarje është 1% e votave të vlefshme në nivel vendi. Ndarja e mandateve bëhet në nivel qarku, me një logjikë tipike të metodave me pjesëtues (votat pjesëtohen me 1, 2, 3… deri në numrin e mandateve të qarkut), por me një veçori teknike problematike: kur dalin vlera me dhjetore, merret “numri i plotë më i afërt”, një zgjedhje jo standarde që mund të deformojë renditjen e kuotave. Dhe, ndoshta më vendimtare për fatin e demokracisë së brendshme, Kodi ndërton një sistem “gjysmë të hapur”: subjekti depoziton dy lista për çdo qark, një listë me renditje të fiksuar dhe një listë që i nënshtrohet votimit parapëlqyes, ku lista e fiksuar zë afërsisht 1/3 e mandateve të qarkut, ndërsa vetëm pjesa tjetër “lirohet” për garë me preference. Mandatet fillimisht shkojnë te lista e fiksuar dhe vetëm pasi ajo shterohet, kalojnë te kandidatët e rirenditur nga votat parapëlqyese (me zgjidhje barazish me short dhe korrigjime për kuotën gjinore). Në thelb, pra, sistemi ynë aktual është arsyeja se përse në Shqipëri shfaqen 101 probleme në lidhje me procesin zgjedhor dhe situatën ku ndodhet jeta politika shqiptare.
Po kush janë disa nga problemet e sistemit zgjedhor aktual?
Që në fillim duhet theksuar se modeli aktual është i ndërtuar në mënyrë të tillë që prodhon deformime edhe pa pasur nevojë për vjedhje të votës apo për skandale. Dhe kjo është arsyeja pse, sa herë flasim për zgjedhje, përfundojmë duke folur jo për ide e programe, por për formula, lista, qarqe, komisionerë, e “mandatin e fundit”. Kur një sistem të detyron të jetosh gjithmonë në periferi të dyshimit, problemi nuk është vetëm te njerëzit; është tek vetë arkitektura.
Së pari, kemi një pabarazi të heshtur të votës mes qarqeve. Në teori, çdo qytetar ka një votë. Në praktikë, “çmimi” i një mandati ndryshon nga qarku në qark, sepse konkurrimi është rajonal dhe madhësia e qarqeve nuk prodhon të njëjtin proporcionalitet. Kjo do të thotë se në një qark, me një numër të caktuar votash mund të afrohesh te mandati; në një tjetër, me po atë numër votash, mbetesh larg. Kjo është mënyra më e padukshme e padrejtësisë demokratike: nuk duket si shkelje, por shkakton dukshëm pabarazi të votës.
Së dyti, sistemi prodhon vota të humbura, jo sepse njerëzit s’votojnë, por sepse mënyra si ndahen mandatet në qarqe të vegjël e bën të vështirë që shumë vota të kthehen në përfaqësim. Në qarqe me magnitudë të ulët, proporcionaliteti dobësohet automatikisht: partive të treta u duhet një “koncentrim” votash brenda qarkut, përndryshe ato vota “digjen” pa sjellë mandat. Në fund, qytetari e ndien veten të ndëshkuar jo për atë që beson, por për faktin se jeton në qarkun “e gabuar”.
Së treti, konkurrimi rajonal e ushqen natyrshëm klientelizmin dhe kapjen territoriale. Kur rezultati varet nga betejat qark më qark, politika fillon të mendojë si menaxher territori: rrjete patronazhimi, punësime selektive, shërbime “me emër”, premtime infrastrukturore të shpërndara sipas llogarisë elektorale. Kështu, fushata rrëshqet nga pyetja “çfarë modeli zhvillimi ofroni?” te pyetja “kë keni në dorë në këtë zonë?”. Dhe kur politika kthehet në kontroll zone, qytetari kthehet në numër, dhe jo në qytetar që zgjedh, por në “target” që menaxhohet.
Së katërti, ne e quajmë systemin aktual “me lista të hapura”, por Kodi e ka projektuar praktikisht si listë gjysmë e hapur, ku një pjesë e kandidatëve mbetet e mbrojtur nga renditja e fiksuar, pra nga logjika e listës së sigurt. Kodi e institucionalizon këtë përmes strukturës së listës dhe mënyrës si lidhet me mandatet. Rezultati është i thjeshtë: qytetari mendon se po zgjedh njerëz; sistemi, në një masë të madhe, vazhdon të zgjedhë vetë. Dhe kjo është arsyeja pse qarkullimi i elitave mbetet i ngadalshëm: jo sepse shoqëria s’ka opsione me njerëz të mirë, por sepse dera e hyrjes në mandat është e ngushtë dhe ruhet nga renditja.
Së pesti, i gjithë ky dizajn shton një presion disproporcional mbi administrimin lokal. Sepse kur gara vendoset qark më qark, atëherë çdo qendër numërimi bëhet front politik; çdo komisioner bëhet “kapital”; çdo konflikt proceduror bëhet shpesh konflikt legjitimiteti. Kjo është arsyeja pse zgjedhjet tona ngjajnë, herë pas here, më shumë me betejë logjistike se sa me garë ideologjike. Dhe kur energjia e sistemit shkon te menaxhimi i konfliktit, nuk mbetet energji për menaxhimin e të ardhmes.
Këto pesë deformime: pabarazia e votës, votat e humbura, klientelizmi territorial, lista gjysmë e hapur, presioni mbi administrimin, janë simptomat e një sëmundjeje të vetme, që vota nuk përkthehet në pushtet në mënyrë të barabartë dhe të kuptueshme. Dhe pikërisht këtu lind nevoja për një ndryshim që nuk është kosmetik, por thelbësisht strukturor.
Zgjidhja: Proporcional Kombëtar me Lista 100% të Hapura
Por a ka një system zgjedhor që nëse do të aplikohej do të zgjidhte problemet e mesipërme? Nëse do të analizojmë, pozitivet dhe negativet e sistemeve të mundshme që mund të aplikohen në Shqipëri, do të arrijmë në përfundimin që, Shqipëria ka nevojë për proporcional kombëtar, me një zonë të vetme zgjedhore për gjithë vendin. Jo si slogan, por si arkitekturë e re e sovranitetit popullor.
Çfarë do të thotë kjo, në gjuhë më të thjeshtë? Do të thotë që Shqipëria, në vend që të ndahet në dymbëdhjetë gara të veçanta qark më qark, do të zhvillojë një garë të vetme kombëtare. Votat llogariten në nivel kombëtar dhe mandatet ndahen në nivel kombëtar; një tabelë, një rezultat, një përkthim i qartë i vullnetit popullor në përfaqësim. Me këtë model, “mandati i fundit i qarkut” nuk është më qendra e universit politik; zëvendësohet nga “mandati i radhës së vullnetit kombëtar”, ku pesha e çdo vote është e njëjtë dhe ku rezultati është më pak i varur nga rastësia e magnitudës së qarkut.
Por kjo është vetëm gjysma e reformës. Gjysma tjetër – pa të cilën gjithçka do të ishte thjesht një zhvendosje e problemit, është lista 100% e hapur. Jo lista e hapur “pjesërisht”, që ruan bërthama të sigurta, por lista e hapur tërësisht, ku renditja e kandidatëve nuk e vendos kryetari në zyrë, as “pazari i brendshëm”, por nga vota reale e qytetarëve.
Këtu është thelbi moral i reformës: qytetari nuk voton vetëm një logo. Qytetari nuk shërben vetëm si instrument për të sjellë në parlament një listë të mbyllur të besueshmish të kryetarit. Sipas sistemit që propozojmë, qytetari peshon realisht edhe kandidatin. Ai nuk thotë thjesht “dua këtë parti”; ai thotë edhe “dua këtë njeri, këtë integritet, këtë aftësi, këtë profil, këtë zë.”
Kjo e kthen deputetin në atë që duhet të jetë në një republikë: përfaqësues i qytetarëve, jo i kryetarit të rradhës, por sipas renditjes që bën me votë qytetari. Dhe e kthen partinë në atë që duhet të jetë në një demokraci: strukturë ideash dhe konkurrencash të brendshme, jo mekanizëm i përzgjedhjes së mandateve përmes “listës së sigurt”.
Në një fjali: proporcional kombëtar i jep barazi votës; lista 100% e hapur i jep legjitimitet dhe dinjitet të zgjedhurit dhe zgjedhësve. Të marra së bashku, këto dy elemente nuk janë thjesht reformë teknike. Janë një përpjekje për ta kthyer demokracinë shqiptare nga një sistem ku vota “kalon nëpër filtra sistemesh të komplikuara”, në një sistem ku vota flet drejtpërdrejt.
Argumentet Kryesore: Pro
Argumenti i parë, dhe ndoshta më themelori i sistemit zgjedhor proporcional kombëtar me lista 100% të hapura, është ai që e mban në këmbë çdo demokraci serioze: barazia reale e votës. Jo barazia poetike apo prozaike, jo barazia në letër, por barazia konkrete: që një qytetar të mos ketë një votë “më të rëndë” apo “më të lehtë” se qytetari tjetër. Në këtë pikë, nuk po flasim për simpati politike; po flasim për një standard që e kanë pranuar të gjitha demokracitë moderne, përfshirë Kushteta shqiptare: “një person, një vote”, një person, e njëjta peshë elektorale.
Sot, në Shqipëri, ky standard lëndohet jo domosdoshmërisht nga një akt i vetëm i paligjshëm, por nga vetë dizajni elektoral aktual. Kur gara është e ndarë në qarqe me madhësi të ndryshme, proporcionaliteti nuk sillet njësoj kudo. Në qarqe të vegjël, sistemi priret të prodhojë një “prag efektiv” shumë më të lartë se ai që shkruhet në ligj: do të thotë që, edhe pa qenë prag formal, realiteti matematik i qarkut e bën më të vështirë që një votë të kthehet në mandat. Në një qark, një forcë politike mund të jetë “afër mandatit” me një numër votash; në një qark tjetër, me të njëjtin numër votash, mbetet “larg” pa shpresë. Dhe kjo, në një republikë, është padrejtësi strukturore: sepse përfaqësimi nuk duhet të varet nga gjeografia e fatit, por nga peshë e barabartë e vullnetit të cdo votuesi.
Proporcionali kombëtar e mbyll këtë plagë në rrënjë. Sepse e nxjerr votën nga laboratorët territorialë dhe e vendos në një tabelë të vetme ku çdo votë numëron njësoj. Aty, nuk ka më “qark me magnitudë të ulët” që i kthen votat në hi; ka vetëm një trup elektoral kombëtar që shndërrohet në mandate me një logjikë më të pastër, më të lexueshme, më të parashikueshme. Dhe parashikueshmëria këtu është virtyt demokratik: kur qytetari kupton si përkthehet vota e tij, ai beson më shumë, dhe kur beson, ai merr pjesë më shumë.
Krahas barazisë, ky model prodhon një fitore tjetër të heshtur: më pak vota të humbura. Sot, shumë qytetarë e ndiejnë se vota e tyre “shkon dëm”, dhe në fakt ashtu shkon; jo sepse ata gabojnë politikisht, por sepse sistemi nuk ua përkthen dot bindjen në përfaqësim. Kjo është një nga arsyet pse rritet mospjesëmarrja në votime dhe cinizmi, sepse njeriu lodhet duke u ndier i padukshëm. Në një zonë të vetme kombëtare, ky fenomen zvogëlohet në mënyrë të ndjeshme. Votat që sot “digjen” në qarqe të vegjël kanë më shumë gjasa të shndërrohen në mandate, kur mblidhen në nivel kombëtar, sepse përkthimi bëhet në një hapësirë më të madhe ku proporcionaliteti funksionon më besnikërisht.
Në fund, ky bllok argumenti është i thjeshtë, por vendimtar: barazia e votës nuk është luks teknik; është themeli moral i legjitimitetit të një sistemi zgjedhor dhe vetë përfaqësuesve të dala nga këto zgjedhje. Kur themeli është i drejtë, gjithçka që ndërtohet mbi të është më e qëndrueshme: partitë garojnë me ide, qytetarët votojnë sipas mbështetjes apo jo të këtyre ideve, dhe rezultati pranohet me më pak dyshim. Dhe kjo është pikërisht ajo që na mungon më shumë: jo një fitore e një pale, por një rregull i drejtë që e bën humbjen të pranueshme dhe fitoren të ligjshme në sytë e të gjithëve.
Argumenti i dytë prek një nerv të vjetër shqiptar: klientelizmin lokal dhe “kapjen e zonës”. Është ai mekanizëm i padukshëm ku politika nuk matet më me ide, por me kontroll: kush kontrollon një lagje, një administratë, një segment komuniteti; kush ka “njerëzit e vet” në terren; kush e kthen shtetin në rrjet ndikimi. Në këtë logjikë, zgjedhjet nuk janë garë vizionesh, por kthehen në garë rrjetesh. Dhe rrjetet ushqehen me një gjë shumë konkrete: territorin.
Konkurrimi rajonal e bën territorin monedhë. Nëse rezultati varet nga qarku, atëherë qarku kthehet në objektiv: të fitosh “qarkun tënd”, të ruash “bastionin”, të marrësh “mandatin e fundit” në një vend të caktuar. Kjo është arsyeja pse, sa më shumë afrohemi te zgjedhjet, aq më shumë shtohet ajo politikë e vogël e favorshme: punësime “të rastësishme”, shërbime selektive, investime të përshpejtuara në zona ku duhen vota, premtime që lidhen jo me programin kombëtar, por me “nevojën” e një xhepi elektoral. Nuk është gjithmonë korrupsion i hapur që minon një process zgjedhor; shpesh është inxhinieria e ndikimit: një kulturë ku qytetari mësohet të kërkojë “ndihmë” dhe politika mësohet ta shpërndajë si mjet kontrolli.
Zonë kombëtare e dobëson këtë mekanizëm në themel, sepse e ndryshon ekonominë e votës. Kur vendi bëhet një zonë e vetme, çdo “kapje” lokale humbet peshë relative. Një kandidat nuk mund ta blejë fatin e tij me një mikrorrjet në një cep; sepse fitorja kërkon një rezonancë më të gjerë. Partitë nuk mund ta ndërtojnë strategjinë e tyre vetëm mbi “fortesa” territoriale; sepse rezultati është kombëtar dhe kërkon një gjuhë kombëtare. Kjo nuk do të thotë se klientelizmi zhduket si me shkop magjik, por do të thotë se ulet ndikimi dhe leverdia elektorale.
Dhe në politikë, leverdia elektorale është gjithçka. Shumë nga veset e sistemit nuk mbijetojnë sepse janë të bukura; mbijetojnë sepse janë fitimprurëse elektoralisht. Kur e bën të shtrenjtë “kapjen” dhe më pak të dobishme, atëherë politika detyrohet të kërkojë rrugë të tjera për të fituar: reputacion, ide, program, besueshmëri. Kjo është arsyeja pse proporcional kombëtar e zhvendos boshtin nga kontrolli territorial te konkurrenca reale programore.
Në një garë kombëtare, kandidatët dhe partitë duhet të flasin për çështje që nuk mund t’i zgjidhësh me një asfalt të minutës së fundit apo me një telefonatë punësimi. Duhet të flasësh dhe të ofrosh zgjidhje për ekonominë, taksat, drejtësinë, shëndetësinë, arsimin, sigurinë, emigracionin, integrimin europian. Dhe kjo është një fitore e madhe qytetare: sepse e kthen zgjedhjen nga “çfarë do më japësh mua në zonën time” te “çfarë do i bësh qytetarëve dhe këtij vendi”.
Në thelb, proporcional kombëtar nuk është thjesht një metodë matematikore për mandate. Është një filozofi e tërë politike: të mos e ndërtojmë pushtetin mbi “kapjen e territoreve”, por mbi bindjen e qytetarëve bazuar mbi ide. Në një shoqëri që ka vuajtur gjatë nga rrjete informaliteti, kjo është më shumë se reformë zgjedhore. Është një përpjekje për ta çliruar votën nga logjika e patronazhimit të votes, dhe për ta kthyer në atë që duhet të jetë: një akt sovran, i lirë, dhe i barabartë.
Argumenti i tretë është më pak romantik, por ndoshta më praktik se të gjithë të tjerët: integriteti i procesit rritet kur ulet presioni mbi nyjet lokale të administrimit. Populli shqiptar e di mirë këtë. Tek ne, zgjedhjet nuk janë vetëm ditë votimi; janë ditë tensioni. Janë një provë nervash ku institucionet lokale, komisionerët, numëruesit dhe qendrat e numërimit ngarkohen me një peshë politike më të madhe se sa mund të mbajnë normalisht.
Pse ndodh kjo? Sepse kur gara është e fragmentuar në qarqe dhe kur rezultati shpesh vendoset nga “mandati i fundit” në një qark të caktuar, atëherë çdo hallkë lokale bëhet strategjike. Çdo qendër votimi, çdo kuti, çdo procesverbal, çdo interpretim i një flete bëhet potencialisht vendimtar. Dhe kur një nyje e vogël mbart një vendim të madh, lufta për kontrollin e saj bëhet brutale: jo domosdoshmërisht në kuptimin fizik, por në kuptimin e presionit, ndërhyrjeve, mosbesimit, tensionit të vazhdueshëm.
Proporcionali kombëtar e ndryshon këtë matematikë të presionit. Sepse rezultati nuk varet më në atë masë nga një qark i vetëm; ai varet nga një trup elektoral i tërë. Kjo do të thotë se edhe sikur dikush të tentojë manipulim në një pikë të vetme lokale, ndikimi i tij në rezultatin final kombëtar ka peshë relativisht më të ulët. Dhe ky detaj, që duket thjesht aritmetik, është në fakt një revolucion institucional dhe arkitekturor i vetë sistemit zgjedhor, sepse ul motivin për ndërhyrje dhe e ul intensitetin e betejës në terren.
Të jemi realistë: askush nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për ndikim apo manipulim, vetëm sepse ne ndryshuam formulën e sistemit zgjedhor. Por politika, si çdo sistem tjetër, reagon ndaj incentivit. Kur e bën rezultatin më pak të varur nga një “pikë kritike”, kur e shpërndan peshën në një hapësirë kombëtare, ti e bën manipulimin më pak eficient, më të kushtueshëm, më të vështirë për t’u justifikuar. Dhe kur manipulimi bëhet më pak eficient, ai bëhet më i rrallë. Ky është mekanizmi më i rëndësishëm që shpesh harrojmë: reformat e mira nuk u luten njerëzve të jenë engjëj; thjesht jua pamundëson ose jua bën më pak të leverdisshme veset.
Ka edhe një efekt të dytë, po aq të rëndësishëm: ulet tensioni i “luftës për qendrat e numërimit”. Sot, qendrat e numërimit trajtohen si fronte. Çdo palë ndjen se po humbi kontrollin atje, po humbi mandatin. Në një sistem kombëtar, qendrat mbeten të rëndësishme, por nuk janë më “kapaku i fatit” të një qarku. Kjo e zbut klimën, ul agresivitetin procedural, dhe i hap rrugë një kulture ku procesi shihet më shumë si administrim i një sovraniteti qytetar, dhe më pak si betejë mes aparateve.
Në fund, integriteti zgjedhor nuk është vetëm çështje policie apo kamerash. Është çështje dizajni: sa presion vendos sistemi mbi një nyje të vetme. Proporcionali kombëtar e shpërndan atë presion dhe, duke e shpërndarë, e bën më të mundur normalitetin. Një demokraci e pjekur është një demokraci ku zgjedhjet nuk duken si krizë, por si rutinë e qetë e llogaridhënies. Dhe kjo rutinë fillon pikërisht nga heqja e “pikave kritike” që sot e mbajnë procesin peng të tensionit.
Argumenti i katërt është ndoshta ai që do ta ndiente më shpejt çdo familje: proporcionali kombëtar e kthen fushatën në debat kombëtar politikash dhe e bën parlamentin më shumë një pasqyrë të shoqërisë, sesa një mozaik të ndërtuar nga kalkulime territoriale. Sot, shpesh, fushata jonë nuk është një bisedë e madhe kombëtare; është një seri betejash lokale të lidhura me “qarkun tim”, me “mandatin tim”, me “zonën time”. Dhe kur politika fragmentohet kështu, programi bëhet dekor, ndërsa strategjia bëhet thelb; e për thelbin se cfarë do të sjellë njëra apo tjetra forcë politike, askush nuk do tia dijë.
Në një zonë kombëtare, kjo logjikë kthehet përmbys. Sepse nuk mund të fitosh një vend të tërë duke u marrë vetëm me një rrugë lagjeje, një tender, një punësim, një premtim lokal. Një garë kombëtare e detyron politikën të flasë në gjuhën e problemeve makro që na prekin të gjithëve: ekonomia dhe kostoja e jetesës; drejtësia dhe besimi te shteti; shëndetësia dhe siguria e familjes; arsimi dhe e ardhmja e fëmijëve; siguria publike; emigracioni; dinjiteti i punës; integrimi europian; lufta kundër korrupsionit. Nuk ka më justifikim për fushata që janë thjesht “turne inaugurimesh” apo “premtime infrastrukture” të shpërndara sipas hartës elektorale; sepse qytetari në të gjithë vendin e sheh dhe e ndjen menjëherë boshllëkun e një politike pa bosht.
Dhe kjo nuk është çështje stili. Është çështje substance. Një debat programor kombëtar ka dy efekte të mëdha: së pari, rrit cilësinë e llogaridhënies, sepse premtohet më pak “për ty” dhe më shumë “për vendin”; së dyti, rrit transparencën e përgjegjësisë, sepse kur programi është kombëtar, edhe dështimi është kombëtar; nuk fshihet dot pas një qarku, pas një alibie lokale, pas një justifikimi të vogël.
Por mbase efekti më i rëndësishëm është ai psikologjik e politik: parlamenti bëhet “pasqyrë” më e vërtetë e shoqërisë. Në një sistem ku votat përkthehen më proporcionalisht në nivel vendi, më pak grupe ndihen të padukshme, më pak bindje ndihen të përjashtuara, më pak qytetarë e përjetojnë rezultatin si “ky parlament s’ka asnjë lidhje me mua”. Dhe kjo ndjenjë përjashtimi është një rrezik i madh, sepse është pika ku lind radikalizimi, apatia, urrejtja ndaj institucioneve, ose besimi te “zgjidhjet jashtë sistemit”.
Një parlament që pasqyron shoqërinë, me të gjitha nuancat e saj, nuk është luks; është siguri demokratike. Sepse kur njerëzit e shohin veten në institucion, edhe kur humbasin, e pranojnë lojën. Dhe kur e pranojnë lojën, politika bëhet më paqësore, konfliktet bëhen më të menaxhueshme, dhe shteti bëhet më i fortë. Legjitimiteti nuk ndërtohet vetëm nga procedura; ndërtohet nga perceptimi se përfaqësimi është i drejtë.
Në thelb, proporcional kombëtar me lista të hapura nuk ka vetëm një premtim matematik. Ka një premtim qytetar: që Shqipëria të ketë më në fund një fushatë ku flasim për të ardhmen e vendit, dhe një parlament ku shoqëria nuk ndihet e përjashtuar, por e përfaqësuar. Dhe kur kjo ndodh, edhe humbja bëhet më e pranueshme, sepse loja duket më e drejtë.
Argumenti i pestë e lidh reformën me dy realitete që Shqipëria nuk i shmang dot më: diasporën dhe lodhjen nga rregullat që ndryshojnë sa herë afrohen zgjedhjet.
Le ta pranojmë: Shqipëria sot është një vend me dy trupa popullore. Njëri trup jeton brenda kufijve; tjetri jeton jashtë, por e mban vendin gjallë me remitanca, me lidhje familjare, me investime, me kulturë, me turizëm, etj. Diaspora nuk është një “kategori”, është afro gjysma e shqiptarëve. Dhe pikërisht për këtë, vota e diasporës duhet të integrohet jo si një shtesë e improvizuar, jo si një kompromis i minutës së fundit, por si një komponent organik i sovranitetit.
Proporcionali kombëtar e bën këtë integrim shumë më logjik. Sepse diaspora, në natyrën e saj, është e shpërndarë: ajo nuk i përket natyrshëm një qarku të vetëm. Në një sistem ku gara është qark më qark, diaspora futet në një kornizë territoriale që nuk e pasqyron dot realitetin e saj. Kjo krijon dilema artificiale: në cilin qark do të “numërohet” diaspora? Si do të shmangim deformimet? Si do ta bëjmë që vota e saj të mos bëhet shkak konflikti të ri? Çdo përgjigje, në sistemin aktual, rrezikon të duket si favorizim i një zone apo i një pale.
Në një zonë kombëtare, ky problem zvogëlohet në mënyrë elegante: diaspora voton, dhe vota e saj hyn në të njëjtën llogari kombëtare si të gjithë të tjerët. Pa artific, pa lidhje të rreme me një qark, pa “transferime” politike të peshës së diasporës. Kjo e rrit legjitimitetin e vetë votës së diasporës, sepse e heq dyshimin e përhershëm: “ku po na e fusin këtë votë?” Dhe kur dyshimi hiqet, pjesëmarrja rritet. Diaspora nuk do vetëm të votojë; diaspora do të ndihet se vota e saj ka kuptim dhe nuk është objekt llogarish.
Pastaj vjen dimensioni i dytë: stabiliteti i rregullave zgjedhore. Shqipëria ka një sëmundje institucionale të njohur: rregullat zgjedhore kthehen në objekt pazari sa herë afrohet cikli elektoral. Debatet për mandate, për hartën e qarqeve, për ndarjen e tyre, për “mandatin që lëviz”, për pragun efektiv, për formulat, për “kush humb dhe kush fiton nga kjo ndërhyrje”, kthehen në një serial që e gërryen besimin. Dhe nuk është vetëm lodhje dhe humbje energjish dhe resursesh publike në një debat shterp; por është edhe rrezik. Sepse kur rregullat ndryshojnë shpesh, qytetari fillon të dyshojë se rregullat nuk bëhen për drejtësinë, por për rezultatin.
Një zonë e vetme kombëtare ul ndjeshëm hapësirën për këto pazare. Kur nuk ke më nevojë të rivizatosh rëndësinë e qarqeve, kur nuk ke më tensionin e “mandateve që lëvizin nga një qark në tjetrin”, kur nuk ke më “betejën e magnitudës”, ti i heq politikës një sërë levash me të cilat ajo sot luan. Sistemi bëhet më i thjeshtë për t’u kuptuar, më i pastër për t’u audituar, dhe shumë e rëndësishme; më i vështirë për t’u manipuluar përmes ndërhyrjeve të vogla.
Kjo është arsyeja pse proporcional kombëtar nuk është thjesht një reformë për rezultatin e radhës. Është një reformë për të ardhmen, një mënyrë për ta bërë votën e diasporës pjesë normale të jetës dhe për t’i dhënë Shqipërisë diçka që i mungon prej kohësh: rregulla që nuk ndryshojnë sa herë ndryshojnë interesat. Demokracia e vërtetë nuk ka nevojë vetëm për zgjedhje; ka nevojë për vepra reale dhe besim. Dhe besimi fillon aty ku rregulli është i qartë, i qëndrueshëm, dhe i njëjtë për të gjithë, kudo që jetojnë zgjedhësit.
Deri këtu, një skeptik mund të thotë: “Mirë, po nëse e bëjmë zonë kombëtare, a nuk rrezikojmë ta centralizojmë edhe më shumë pushtetin?” Kjo është një pyetje legjitime, dhe pikërisht për këtë duhet thënë me zë të lartë një e vërtetë që shpesh fshihet pas entuziazmit reformues: proporcionali kombëtar, nëse shoqërohet me lista të mbyllura, mund ta kthejë kryetarin në portën e vetme të parlamentit. Një zonë e vetme + listë e mbyllur do të ishte recetë për centralizim: do ta largonte politikën nga “baronët lokalë”, por mund ta ngushtonte më shumë te “qendra” dhe te vulat e brendshme të partive.
Prandaj kjo analizë nuk mbron një ide gjysmake. E mbron reformën si paketë: një zonë kombëtare + lista 100% të hapura + rregulla të forta për financimin dhe median. Sepse vetëm kështu barazia e votës bëhet barazi e përfaqësimit, dhe vetëm kështu fuqia e qytetarit bëhet fuqi reale, jo simbol.
Le ta përkufizojmë sa më thjesht: listë e hapur do të thotë që deputeti fiton sepse e zgjedh qytetari, jo sepse e rendit kryetari. Në një listë të hapur, renditja fillestare është vetëm një propozim; vendimin e jep vota parapëlqyese. Kandidati nuk ka imunitet politik nga “bërthama e sigurt”. Ai nuk mund të hyjë në parlament vetëm sepse është “i besuar”. Ai duhet të jetë i votuar.
Hapja 100% e listave ka pasoja të drejtpërdrejta dhe të shëndetshme për jetën politike për disa arsye:
Së pari, e hap qarkullimin e elitave brenda partive. Në vend që karriera të varet kryesisht nga marrëdhënia me qendrën e partisë, ajo varet nga marrëdhënia me qytetarin. Kjo e detyron partinë të prodhojë më shumë meritë, më shumë punë, më shumë argument, më shumë profil. Një listë e hapur është, në thelb, një mekanizëm që e detyron partinë të jetë më pak “klub” dhe më shumë “institucion”.
Së dyti, e ul kulturën e bindjes së verbër. Deputeti që e di se mandatin e ka nga vota qytetare, ka më shumë arsye të jetë i lirë për të folur për interesin publik, për të debatuar, për të kritikuar, për të kundërshtuar kur duhet. Dhe kjo e ngre nivelin e parlamentit: ai nuk është më thjesht zgjatim i një zyre; bëhet, gradualisht, forum i vërtetë debati të shëndetshëm publik.
Së treti, e mbron sistemin nga kapja e parave dhe e ekranit, por vetëm nëse e shoqërojmë me rregulla të forta. Sepse lista e hapur ka edhe një rrezik: nëse garon për votë personale në shkallë kombëtare, mund të rriten kostot dhe të hyjnë më fort paratë. Pikërisht për këtë arsye, lista e hapur nuk mund të jetë thjesht “votë parapëlqyese” pa kornizë. Ajo kërkon: kufij realë shpenzimesh, transparencë në kohë reale, audit të pavarur, dhe rregulla të barabarta në media që të mos shndërrohet parlamenti në ekspozitë të atyre që blejnë më shumë reklamë.
Këtu qëndron maturia e reformës: ne nuk po kërkojmë të zëvendësojmë një lloj kapjeje me një lloj tjetër. Nuk po kërkojmë të heqim “kapjen lokale” për të forcuar “kapjen qendrore”; as të heqim kontrollin e territoreve për të sjellë kontrollin e parave. Po kërkojmë një sistem ku qytetari të mos jetë vetëm furnizues i legjitimitetit, por autor real i përfaqësimit.
Prandaj, çelësi është ky: proporcional kombëtar pa lista të hapura është gjysmë reformë; proporcional kombëtar me lista 100% të hapura është reformë shumë më e plotë, dhe më e përshtatshmja për kulturën dhe historinë zgjedhore shqiptare. Ky sistem i jep votës peshë të barabartë dhe i jep qytetarit fuqinë për të zgjedhur jo vetëm partinë, por edhe njeriun. Në një vend ku politika është lodhur nga rrotullimi i të njëjtëve emra, ky nuk është më një detaj teknik. Është hapja e një dere që ka qenë tepër gjatë gjysmë e mbyllur.
Pengesa Kushtetuese:
Deri këtu, gjithçka mund të tingëllojë si një reformë e mundshme dhe e dëshirueshme. Por një platformë seriozë nuk do të ishte e tillë pa trajtuar pengesën kryesore aktuale: dimensionin kushtetues. Në Shqipëri, sistemi zgjedhor nuk është thjesht çështje e Kodit Zgjedhor; por është cështje Kushtetuese. Neni 64 i Kushtetutës parashikon: “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar.” Kjo formulë nuk është neutrale. Ajo e kodifikon konkurrimin rajonal si element strukturor. Për rrjedhojë, një proporcional kombëtar (një zonë e vetme) nuk mund të bëhet me një ndryshim të Kodit Zgjedhor; kërkon ndryshim edhe të nenit të mësipërm të Kushtetutës.
Kjo është pika ku shoqëria shpesh bëhet skeptike, sikur Kushtetuta të ishte një objekt i shenjtë që nuk guxon të preket. Por kjo është një keqkuptim i rrezikshëm. Kushtetuta nuk është objekt muze. Është instrument jetësor i republikës. Ajo nuk ekziston për të na mbajtur peng te një dizajn që prodhon padrejtësi strukturore; ekziston për të garantuar parime, dhe kur dizajni i një epoke cenon këto parime, atëherë ndryshimi kushtetues bëhet mjet shëndeti institucional, jo shkelje e tij. Argumenti juridik për ndryshimin e Kushtetutës, nuk është kapriço politike; është logjikë kushtetuese për disa arsye.
Së pari, sepse forcon parimin e barazisë së votës. Nëse një sistem prodhon pabarazi të peshës së votës në mënyrë të përsëritur, atëherë ai bie ndesh me vetë frymën e përfaqësimit demokratik. Një republikë nuk mund të jetë realisht e barabartë, nëse vota nuk është e barabartë në efektin e saj politik.
Së dyti, sepse rrit legjitimitetin. Legjitimiteti nuk është thjesht çështje rezultati; është çështje bindjeje se rregulli është i drejtë. Kur rregulli perceptohet si i shtrembër, edhe rezultati, sado korrekt të jetë procedura, mbetet i diskutueshëm në ndërgjegjen kolektive. Ndërsa një rregull më i barabartë e bën humbjen më të pranueshme dhe fitoren më të besueshme. Kjo është themeli i paqes demokratike.
Së treti, sepse ul deformimet sistemike: vota të humbura, pragje efektive të paqarta, incentiva për klientelizëm territorial, tensione të forta në nyjet lokale të numërimit, dhe bllokim të qarkullimit të elitave. Kur një sistem prodhon vazhdimisht të njëjtat simptoma, reforma e vërtetë nuk është dhenuk mund të jetë periferike, është ndryshim i arkitekturës.
Në fund, duhet thënë hapur: po, ndryshimi kushtetues është i vështirë dhe kërkon konsesus të gjërë. Por ka edhe një të vërtetë më të thellë: edhe më e vështirë është të vazhdojmë me një sistem ekeltoral që prodhon gjithmonë të njëjtat probleme. Në një vend me deficit besimi, kostoja më e madhe nuk është të ndryshosh Kushtetutën me kujdes; kostoja më e madhe është të mos ndryshosh asgjë dhe të presësh rezultate të reja nga një arkitekturë jofunksionale.
Argumentat Kundra:
Një reformë serioze nuk mund të shitet si një përrallë e bukur. Nëse duam të jemi seriozë, duhet të bëjmë pikërisht atë që politika shqiptare shpesh e shmang: t’i themi kundërshtitë pa frikë dhe t’i trajtojmë me mendje të ftohtë. Sepse besimi nuk fitohet duke premtuar perfeksion; fitohet duke treguar se i njeh rreziqet dhe i ke projektuar instrumentat për ti përballuar me sukses.
Argumenti i parë kundra sistemit proporcional kombëtar me lista 100% të hapura, është që do të dobësonte lidhjen deputet–territor.
Po, është e vërtetë që në një sistem proporcional kombëtare, deputeti mund të perceptohet më pak “i zonës”. Shqipëria ka nevoja reale territoriale; periferitë nuk duan të ndihen të harruara; komunitetet e vogla kërkojnë zë. Por kjo nuk është arsye për ta mbajtur demokracinë peng të një mekanizmi që prodhon pabarazi votash dhe klientelizëm territorial. Zgjidhja nuk është të ruash deformimin për të ruajtur lidhjen. Zgjidhja është ta ruash lidhjen me instrumente të posaçme, pa sakrifikuar barazinë e votës.
Kjo mund të bëhet me masa të thjeshta dhe plotësisht të realizueshme: zyra rajonale deputetësh, ku çdo deputet ka detyrimin të ketë prani dhe orar shërbimi në disa zona; detyrim raportimi rajonal, ku deputetët publikojnë periodikisht çfarë kanë bërë për shqetësimet territoriale; dhe komisione zhvillimi territorial në Kuvend, me raportim të rregullt dhe monitorim të balancës së investimeve. Lidhja me territorin nuk është vetëm çështje harte; është çështje llogaridhënieje.
Argumenti i dytë kundra është rreziku i fragmentizimit të madh të Parlamentit. Një zonë kombëtare mund të rrisë shanset e më shumë partive të vogla, dhe kjo për disa, është frikë. Frika është e kuptueshme: fragmentimi i tepruar mund të sjellë koalicione të brishta, pazare qeverisjeje, bllokime.
Por këtu duhet të dallojmë dy gjëra: konkurrenca nuk është kurrë problem; problemi është fragmentimi ekstrem. Dhe fragmentimi ekstrem nuk është domosdoshmëri e proporcionalit kombëtar; është çështje pragu dhe dizajni të stabilitetit.
Zgjidhja është klasike dhe e arsyeshme: një prag kombëtar i moderuar (p.sh. midis 2–5%), ose një prag i kombinuar me standarde minimale organizimi dhe transparence. Pra, të hapësh derën për alternativat reale, por të mos e kthesh parlamentin në një sallë ku hyn kushdo pa peshë shoqërore. Ky është ekuilibër i arsyeshëm, jo kompromis.
Problemi i tretë, do të ishte rritja e fuqive të kreytarëve të partive, nëse listat nuk janë të hapura. Kjo kritikë është aq e saktë, saqë duhet të shkruhet me gërma të mëdha: proporcional kombëtar me lista të mbyllura do të ishte gabim. Do të zhvendoste problemin nga “kapja lokale” te “kapja qendrore”. Prandaj insistimi ynë për listat 100% të hapura nuk është luks; është kusht i domosdoshëm, që sistemi elektoral proporcional kombëtar të ishte një model i suksesshëm.
Zgjidhja është e qartë: lista 100% të hapura, që renditjen finale ta vendosë vota popullore; dhe paralelisht rregulla demokratizimi të brendshëm në parti (procedura transparente për përzgjedhjen e kandidatëve, standarde minimale, garë e brendshme reale). Nëse partitë politike nuk demokratizohen, nuk mund të pretendohet se shoqëria dhe parlamenti do të demokratizohet si me magji nga jashtë.
Nje kritikë e katërt, e sistemit proporcional kombëtar, është që fushata bëhet më e shtrenjtë, dhe ritet roli i medias. Po, në një garë kombëtare, kandidati mund të ndiejë nevojën për më shumë shpenzime, më shumë ekspozim, më shumë reklamë mediatike. Dhe kjo hap rrezikun që politika të dominohet nga paraja dhe ekrani. Por ky rrezik nuk është argument kundër reformës; është argument për rregulla më të forta në lidhje me financimet e forcave politike dhe kandidatëve, si dhe ne lidhje me mediat. Sepse edhe sot, paraja dhe ekrani ndikojnë, vetëm se e bëjnë në mënyrë më pak të dukshme dhe më pak të audituar.
Zgjidhja është e matshme: kufij realë shpenzimesh, raportim online dhe në kohë reale, bankarizim i plotë i transaksioneve, audit i pavarur; dhe në media, standarde të barabarta aksesesh, transparencë e reklamave politike, monitorim i fortë i përdorimit të burimeve publike. Nëse nuk e mbyll derën e parasë së pistë apo të tepruar, asnjë model s’të shpëton. Por nëse e mbyll, modeli bëhet i drejtë edhe në praktikë.
Së pesti, një kritikë tjetër është që periferitë mbeten pa zë, dhe se politika do të bëhet “Tiranë-centrike”, se periferitë do të mbeten dytësore, se axhenda kombëtare do të gëlltisë problemet lokale.
Kjo është një kritikë që duhet marrë seriozisht. Por përgjigjja nuk është të mbash një sistem që e shndërron periferinë në treg votash. Përgjigjja është të ndërtosh mekanizma balancimi: detyrime programore për zhvillim rajonal, kritere të matshme për shpërndarjen e fondeve publike, monitorim institucional për barazinë territoriale, dhe politika të qëndrueshme që i nxjerrin periferitë nga roli i “zonave që kujtohen vetëm para zgjedhjeve”. Një republikë e mire dhe funksionale i mbron periferitë me rregulla të drejta, jo me klientelizëm.
Një kritikë tjetër do të ishte që, ndryshimet kushtetuese kanë kosto politike. Është e vërtetë që ndryshimi kushtetues kërkon vullnet politik, kompromis, dhe një maturi që shpesh i mungon klasës politike shqiptare. Por këtu duhet thënë një e vërtetë e thjeshtë: kostoja e status quo-së është më e lartë. Çdo palë zgjedhje që shoqërohet me dyshim, tension, dhe narrativë mosbesimi e gërryen shtetin më shumë se sa e gërryen një reformë zgjedhore që përfshin dhe Kushtetutën.
Zgjidhja është një koncept që Shqipëria e ka urgjent: pakt minimal demokratik. Jo një pazar për të fituar zgjedhjen e ardhshme, por një marrëveshje për të fituar diçka më të madhe: besimin e qytetarëve te rregullat e lojës. Dhe ky pakt duhet të ketë një kriter të vetëm moral: reforma nuk bëhet për të prodhuar fitues të rinj, por për të prodhuar rregulla të drejta dhe legjitimitet më të madh.
Në fund, këto kundërshti nuk janë arsye për të hequr dorë. Janë arsye për të projektuar më mirë. Një sistem i ri zgjedhor nuk duhet të jetë një ëndërr idealistësh; duhet të jetë një makinë e ndërtuar me kujdes, me frenat e duhura dhe me logjikën e duhur, për terrenin juridik, politik, e social shqiptar. Sepse qëllimi nuk është të kemi “modelin perfekt” në teori. Qëllimi është të kemi një demokraci që funksionon më mire dhe ndershëm në praktikë.
Reforma e Propozuar me 5 Shtylla:
Tashmë le ta zbresim diskutimin nga parimet te zbatimi. Sepse qytetari, me të drejtë, nuk e ha më fjalën “reformë” si metaforë. Pyetja e tij është brutalisht e thjeshtë: Çfarë do bëhet konkretisht? Nëse nuk e përkthejmë idenë në një paketë të zbatueshme, çdo projekt mbetet letër e bukur. Prandaj kjo reformë mund dhe duhet të projektohet si një paketë e shkurtër, e matshme dhe e auditueshme, me pesë shtylla kryesore.
Së pari, amendimi kushtetues duhettë hapë rrugën për sistemin proporcional kombëtar me një zonë të vetme zgjedhore. Nuk po flasim për një revolucion kushtetues. Po flasim për një ndërhyrje precize në Nenin 64, i cili sot e lidh proporcionalin me “konkurrim rajonal”. Thelbi i ndryshimit është i thjeshtë: Kushtetuta të lejojë që zona zgjedhore të jetë edhe kombëtare; pra, i gjithë vendi të jetë një zonë e vetme, duke hequr ose riformuluar detyrimin për konkurrim rajonal. Kjo nuk është çështje forme apo estetike; është çështje funksioni: të mos e mbajë Kushtetuta të bllokuar barazinë reale të votës. Një Kushtetutë e mirë nuk mbron një mekanizëm të vjetruar vetëm sepse ekziston prej kohësh; ajo mbron parimin, dhe sistemi duhet t’i shërbejë parimit të drejtë, jo e kundërta.
Së dyti: Kodi Zgjedhor të vendosë qartësisht lista 100% të hapura dhe një metodë e standardizuar, transparente e ndarjes së mandateve. Këtu është edhe zemra e zbatimit të reformës. Zona kombëtare pa lista të hapura është gjysmë reformë; prandaj Kodi duhet të sanksionojë qartë: preferencë reale për kandidatët në të gjithë listën, jo “hapje e pjesshme” që ruan bërthama të sigurta. Po aq e rëndësishme është që të mbetet e garantuar barazia gjinore, jo si dekor, por si standard përfaqësimi. Dhe, për të shmangur “magjinë teknike” të komplikuar që s’e kupton askush, duhet një metodë standarde e ndarjes së mandateve, e thjeshtë, e parashikueshme, e publikuar, e kuptueshme nga çdo qytetar. Demokracia nuk ka pse të jetë enigmë matematikore; duhet të jetë e lehtësisht e kuptueshme dhe e verifikueshme nga qytetarët.
Së treti: rritja e rregullimit të financimit të partive politike apo kandidatevë. Në një sistem me lista të hapura, ku kandidati garon realisht edhe me emrin e tij, tundimi i parasë rritet: jo domosdoshmërisht sepse njerëzit bëhen më të këqij, por sepse konkurrenca individuale krijon më shumë nevojë për burime, më shumë etje për ekspozim dhe, rrjedhimisht, më shumë hapësirë për ndikim të paligjshëm. Prandaj financimi nuk mund të mbetet një ritual formal “deklarimesh pas zgjedhjesh”, kur dëmi është bërë dhe gjurma është fshirë. Duhet të kalojmë te transparenca e fondeve në kohë reale: raportim online i të ardhurave dhe shpenzimeve; bankarizim i detyrueshëm i çdo transaksioni; dhe një mekanizëm auditi i pavarur, profesional dhe i besueshëm, me kompetenca reale hetimi dhe sanksioni. Pa këtë element, çdo reformë mbetet e cenueshme, sepse sistemi mund të hapet për qytetarin, por të kapet përsëri nga paraja.
Së katërti, media duhet trajtuar si pjesë e sistemit zgjedhor, jo si dekor i tij. Në një vend ku ekrani ka qenë shpesh më i fortë se argumenti, rregullat e medias janë po aq vendimtare sa kutitë e votimit. Kjo sepse kush kontrollon vëmendjen, kontrollon edhe kuptimin e zgjedhjes. Prandaj duhen standarde të barabarta aksesesh, rregulla të qarta për debatet, dhe mbi të gjitha një arkiv publik i reklamave politike, ku çdo reklamë, çdo sponsor, çdo shpenzim mediatik të jetë i gjurmueshëm dhe i verifikueshëm nga publiku. Lypset monitorim në “real-time”, jo raporte të vakëta pas faktit. Sepse në momentin që qytetari sheh qartë kush paguan dhe sa paguan, propaganda humb maskën, dhe demokracia fiton frymëmarrjen që kaq shumë i mungon demokracisë shqiptare.
Së pesti, vota e diasporës duhet integruar me rregulla të qarta dhe me një logjikë përfaqësimi që e respekton realitetin e saj, jo me skema të trashëguara nga sistemi i qarqeve. Sot, në praktikë, një votues nga diaspora voton tek qarku i fundit ku ka qenë i regjistruar para largimit. Kjo krijon një padrejtësi të dyfishtë: nga njëra anë, e lidh votën e diasporës me një territor ku ajo mund të mos ketë më asnjë lidhje reale; nga ana tjetër, e kthen votën e saj në instrument llogaritjeje qarku; pra, e fut sërish brenda logjikës së “mandatit të fundit” që kërkojmë ta çmontojmë. Prandaj reforma duhet të jetë e qartë: diaspora nuk duhet të “sistemohet” artificialisht brenda një qarku apo disa qarqeve, por të trajtohet si një trup elektoral me natyrë kombëtare.
Zgjidhja më e pastër është që vota e diasporës të hyjë drejtpërdrejt në rezultatin kombëtar, me të njëjtën peshë si çdo votë tjetër, përmes një regjistrimi të thjeshtë e të parashikueshëm, afateve të arsyeshme, një mekanizmi real ankimi, dhe procedurave të sigurta e të verifikueshme të votimit. Por Shqipëria mund të shkojë edhe më tej, nëse kërkon jo vetëm “numërim” të diasporës, por edhe përfaqësim real të saj: një model ku diaspora ka zë të dukshëm me mandate të përcaktuara në Kuvend. Kjo mund të realizohet në disa mënyra të qarta dhe kreative pa e deformuar sistemin.
Një opsion është krijimi i një përfaqësimi të posaçëm: një numër mandatesh të dedikuara për diasporën, të ndara proporcionalisht sipas votës së saj, si një “komponent” i Kuvendit. Kjo e bën përfaqësimin të ndershëm dhe e ul konfliktin, sepse diaspora nuk “zhvendos” mandate nga qarqet, por ka kanalin e vet përfaqësues.
Një opsion tjetër, nëse vendoset sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura, është detyrimi ligjor që partitë të përfshijnë një përqindje të caktuar kandidatësh nga diaspora në listat e tyre kombëtare, jo si gjest simbolik, por si kuotë e mirëfilltë përfaqësimi; p.sh. një minimum i arsyeshëm që reflekton peshën reale të diasporës në shoqëri dhe ekonomi.
Një variant i tretë është të lidhet drejtpërdrejt numri i vendeve të përfaqësimit të diasporës me pjesëmarrjen: sa më shumë diaspora regjistrohet dhe voton, aq më i madh bëhet edhe zëri i saj në Kuvend, brenda një kufiri të qartë ligjor. Kjo krijon incentivë për pjesëmarrje dhe e bën sistemin të drejtë: përfaqësimi shkon aty ku ka sovranitet real të shprehur me votë.
Çfarë ka rëndësi, sido që të zgjidhet modeli, rëndësi ka parimi që diaspora nuk është dekor elektoral dhe as “furnizues” votash për qarkun. Ajo është pjesë e kombit dhe duhet të integrohet si e tillë, me rregulla të thjeshta, me siguri procedurale, me verifikueshmëri, me të drejtë real ankimi, dhe me një mekanizëm që e bën votën e saj të kuptueshme, të drejtë dhe të pranueshme për të gjithë. Kur e bën këtë, procesi bëhet më i qetë, më pak i diskutueshëm, më pak konfliktual, dhe për herë të parë, diaspora ndien se jo vetëm “votoi”, por edhe u përfaqësua.
Për ta përmbledhur, reforma ka nevojë për këto 5 shtylla: amendim kushtetues duke futur sistemin proprocional kombëtar me një zonë + listë 100% e hapur + rregulla të forta financimi + rregulla të barabarta mediaje + integrim i qartë i diasporës. Arritja e kësaj reforme zgjedhore, nuk është utopi. Është modelim më i mirë institucional, dhe dallimi mes utopisë dhe një modeli të mire zgjedhor është që utopia kërkon njerëz perfektë; sistemi i mirë zgjedhor kërkon rregulla që përmirësojnë systemin zgjedhur, rrit cilësinë e përfaqësimit dhe politikave, si dhe përmirëson realitetin për qytetarin.
Në përfundim, Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër “reformë” që lind në dhoma të mbyllura, qepet me nxitim, dhe shitet si triumf në konferenca shtypi. Ka nevojë për një debat publik serioz, të hapur, gjithëpërfshirës, të sinqertë, me vullnet të mirë, ku në qendër të jetë qytetari. Kjo sepse sistemi zgjedhor nuk është lodër e partive. Është kontrata jonë e përbashkët, rregulli që e bën pushtetin legjitim, fitoren efektive dhe rezultatprurëse, dhe humbjen të pranueshme.
Prandaj, kjo analizë nuk është thirrje për të mbështetur një pale politike të madhe e apo të vogël. Është thirrje për të mbështetur dhe krijuar një sistem zgjedhor serioz, të drejtë dhe të përshtatshëm për realitetin shqiptar, që nuk varet nga interesat e çastit. Nëse e duam një Shqipëri ku fushata nuk reduktohet në “mandatin e fundit të qarkut”, ku vota nuk vdes nga ndarjet administrative, ku deputeti nuk lind nga renditja, ku diaspora nuk trajtohet si shtesë teknike, dhe ku politika nuk ushqehet me rrjete patronazhimi politik, atëherë nuk mjafton të ankohemi për zgjedhjet. Duhet të riparojmë mekanizmin që i prodhon këto simptoma.
Ka një arsye pse, në çdo vend që ka ndërtuar demokraci të qëndrueshme, rregullat zgjedhore ruhen me kujdes dhe ndryshohen me përgjegjësi: sepse ato janë arkitektura e besimit publik. Kur arkitektura është e shtrembër, çdo debat bëhet i dyshimtë, çdo rezultat bëhet i kontestueshëm, dhe çdo qeverisje fillon me një plagë legjitimiteti. Por kur arkitektura është e drejtë, shoqëria fiton një pasuri që s’matet me mandate. Fiton qetësinë morale se loja është e ndershme.
Le ta mbyllim aty ku duhet të kishte nisur gjithmonë: te qytetari. Vota nuk është dekor i demokracisë; është zemra e saj. Ajo nuk është një shenjë formale pjesëmarrjeje, por akt sovraniteti. Dhe sovraniteti nuk pranon grada: nuk mund të jetë “pak a shumë” i barabartë—ose është i barabartë, ose është i cenuar. Ky është testi i vërtetë i çdo reforme zgjedhore: a i jep qytetarit peshë reale në rezultat, apo e shndërron në një numër që përdoret për të prodhuar pushtet?
Prandaj thirrja është e thjeshtë, por urgjente: ta hapim këtë debat pa cinizëm dhe pa pazare të momentit; me argumente që i kupton edhe publiku, me transparencë që e pranon edhe skeptiku, me standarde europiane që e detyrojnë edhe pushtetin të sillet si rregull, jo si përjashtim. Sepse demokracia nuk rrëzohet vetëm kur dikush vjedh votën; rrëzohet edhe kur arkitektura e sistemit e bën votën të pabarabartë dhe qytetarin të pafuqishëm.
Nëse duam që njerëzit të besojnë te vota, duhet t’i japim votës peshë të barabartë, dhe qytetarit fuqi reale mbi përfaqësuesin. Ashtu u bëftë.
Top Channel