Atlético Madridi ka zyrtarizuar arritjen e një marrëveshjeje me Atalantën për transferimin e sulmuesit nigerian Ademola Lookman, duke realizuar kështu një goditje të rëndësishme në repartin ofensiv gjatë merkatos dimërore.

Klubi spanjoll konfirmoi se palët kanë rënë dakord për kalimin e lojtarit, ndërsa tashmë mbeten vetëm procedurat mjekësore dhe formale për të finalizuar gjithçka.

Lookman, 28 vjeç, ndodhet tashmë në Madrid, ku do t’u nënshtrohet vizitave mjekësore përpara se të firmosë kontratën e tij të re me “rojiblancos”. Transferimi i tij shihet si një përforcim me peshë për skuadrën, falë eksperiencës dhe cilësive që ka treguar në nivelet më të larta të futbollit europian.

Sulmuesi nigerian iu bashkua Atalantës në vitin 2022 nga Leipzigu dhe që prej asaj kohe është shndërruar në një prej figurave kyçe të skuadrës bergamaske. Në total, Lookman ka realizuar 55 gola me fanellën e Atalantës, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në sukseset e klubit në Serie A dhe në arenën europiane.

Momenti kulmor i aventurës së tij në Itali erdhi në finalen e Europa League 2024, ku Lookman realizoi një “hat-trick” historik kundër Bayer Leverkusenit, duke i siguruar Atalantës trofeun e parë europian në historinë e saj. Kjo performancë e jashtëzakonshme e vendosi atë në qendër të vëmendjes së klubeve të mëdha.

Tani, me transferimin drejt Atlético Madridit, Lookman pritet të hapë një kapitull të ri në karrierën e tij, ndërsa klubi spanjoll shpreson që të ofrojë sjellë gola, shpejtësi dhe vendosmëri në sulm për pjesën e mbetur të sezonit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB