Karim Benzema pritet të ndryshojë skuadër në Arabinë Saudite, duke u transferuar tek Al-Hilal, pas një përplasjeje serioze kontraktuale me Al-Ittihad.

Sipas raportimeve të gazetarit Yagiz Sabuncuoglu, sulmuesi francez 38-vjeçar ka arritur marrëveshje për një kontratë 1.5-vjeçare me klubin nga Riadi, duke i dhënë fund një periudhe të mbushur me tensione dhe paqartësi. Benzema ka qenë në konflikt të hapur me drejtuesit e Al-Ittihad-it lidhur me rinovimin e kontratës. Situata u përkeqësua pas ofertës së fundit të klubit, e cila parashikonte një marrëveshje pa pagë fikse, por me kontroll të plotë të lojtarit mbi të drejtat e imazhit. Një propozim i tillë u konsiderua i papranueshëm nga Benzema dhe rrethi i tij, të cilët e refuzuan menjëherë.

Si shenjë pakënaqësie, ish-ylli i Real Madridit refuzoi të luante në ndeshjen e fundit të Al-Ittihad-it ndaj Al-Fateh, duke e bërë të qartë se situata kishte arritur në një pikë pa kthim. Në orët e fundit të merkatos dimërore, palët po kërkonin një zgjidhje urgjente, me Benzema-në që ishte planifikuar të takohej me drejtuesit e klubit për të sqaruar të ardhmen e tij.

Interesi për shërbimet e tij nuk ka munguar, pasi në skenë ishte përmendur edhe Juventusi, ndërsa vetë Benzema ishte i hapur për një transferim të ri. Në këtë kontekst, pista Al-Hilal ka marrë avantazh dhe tashmë duket shumë pranë konkretizimit.

Nëse marrëveshja zyrtarizohet, Benzema do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij, duke synuar të rilindë në një ambient më të qetë dhe konkurrues, pas një aventure zhgënjyese tek Al-Ittihad.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB