Aktori Fitim Makashi u përcoll në banesën e fundit një ditë pasi humbi betejën me një sëmundje të rëndë në moshën 82-vjeçare.
Familjarë, miq dhe kolegë të shumtë nderuan artistin në homazhet që u mbajtën në Teatrin Kombëtar, ku Fitim Makashi la gjurmë me profesionalizmin, pasionin dhe dashurinë për artin.
“Ishte simbol i heroit për të gjithë rininë e viteve ’70-’80 me rolet e tij. Ishte një portret shumë I bukur në film, shumë burrëror, shpesh e krahasonim me portretin e Bekim Fehmiut”-u shpreh aktori Sokol Angjeli.
“Sa bukur ta kujtosh një njeri se sa fisnik ishte, çfarë shpirti të madh kishte. Ashtu siç ishte në rolet e tij, me një zë të ngrohtë në karakteret e tij, ashtu ishte dhe në jetë”-tha aktorja Raimonda Bulku.
Aktori brilant i dhjetëra karaktereve në teatër dhe kinematografi ishte dhe mik me vlera të rralla, kujtojnë kolegët.
“Miku im i parë në teatër, deri në fund të jetës ishte artist. Vetëm jepte dashuri. Na ngelën shumë gjera pa bërë. Iku shumë shpejt“-tha aktori Vasjan Lami.
“Ishte njeri në kuptimin e plotë të fjalës, një njeri shumë i mirë”-u shpreh Aktori Mehdi Malkaj.
Mes karaktereve, më identifikuesi ishte roli te “Vdekja e Kalit”, që sipas Angjelit përjetësonte shpirtin guximtar të Makashit.
“Fitim Makashi që kërkon të rendë pas të vërtetës dhe të gjejë të vërtetën. Ishte njeri i guximshëm, me karakter të fortë, dhe në atë periudhë të errët e thoshte me guxim fjalën e vet“-shtoi Angjeli.
Kauzën e teatrit nuk e braktisi asnjëherë, ndonëse shpesh nuk u dëgjua thotë Bulku.
“Gjithmonë luftoi që në ambientet e teatrit të kishte një palestër, ishte luftarak në heshtjen e tij, por me mençurinë e tij”.
Pas viteve ’90. Aktori u shkëput nga skena dhe emogroi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por gjithnjë mbeti me kokën pas. Jetoi mes pengjesh, kutjon i biri, këngëtari Redon Makashi.
“Duhet të respektohej kur ishte gjallë. E ka pasur frymën këtu në Shqipëri, ai e kuptoi shumë vonë këtë pasi kishin kaluar shumë vite, nuk ishte e lehtë jeta në emigrim.Dhe tani që flasim bashkë, më duket si një ëndërr, është një dhimbje që e ndjen përbrenda…
Aktori dhe pedagogu Fitim Makshi i dha artit më shumë se tre dekada përkushtim, duke mbetur emër i paharruar i skenës dhe ekranit.
Top Channel