Mes Lazios dhe Alessio Romagnolit ndodhi gjithçka në vetëm pak ditë. Në fillim oferta e Al Sadd të Roberto Mancinit që u pranua nga mbrojtësi që edhe i përshëndeti shokët e skuadrës dhe tifozër pas ndeshjes me Leccen. Më pas erdhi komunikata e Lazios që e nxirrte mbrojtësin nga merkato e transferimeve, e sërish rihapja e tratativave pak para mbylljes së merkatos në Katar dhe në fund në momentin më të mirë, vetë futbollisti bëri që kjo tratativë të dështojë përfundimisht.

Përse dështuan tratativat Romagnoli-Al Sadd? Refuzimi i futbollistit është diçka e pabesueshme. Sipas të përditshmes ‘Corriere Dello Sport’, Romagnoli e bëri në çështje principi duke qenë se nuk pranoi(siç i kërkoi Lazio) të heqë dorë nga pagat mujore të muajve nëntor, dhjetor dhe janar. Praktikisht, për të mos hequr dorë nga 600 mijë euro që në fakt klubi i detyrohej atij, refuzoi 18 milionë euro, ose kontratën 3 vjeçare që i kishte garantuar Al Sadd.

Një problem për Lazion. Refuzimi i Romagnolit komplikon edhe planet e vetë klubit roman që do të përfitonte 9 milionë euro nga shitja e tij dhe do të kursente 9 milionë euro bruto nga paga e futbollistit që kishte një kontratë deri në 2027. Dhe duhet kuptuar edhe çështja teknike; a do të jetë kundër Juventusit? Për momentin Romagnoli është vetëpërjashtuar falë një lejeje për lindjen e djalit të tij, por është e qartë se do të ketë një takim mes futbollistit, Sarrit dhe Lotitos për të kuptuar se çfarë do të bëhet deri në fund të sezonit, gjithnjë nëse nuk del ndonjë pretendent tjetër për Romagnolin deri në orën 20:00 të së hënës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB