Angli, shqiptari punonte oficer emigracioni, vidhte emigrantët/ Akuza edhe për mashtrim në marrjen e pasaportës britanike

01/02/2026 19:42

Përpara gjykatës magjistrale Westminter në Londër doli një shqiptar së bashku me 5 kolegë britanikë, ish oficerë emigracioni, të akuzuar nën dyshimin për konspiracion në vjedhjen e sende me vlerë dhe të parave nga emigrantët që mbërrinin me gomone.

Ata po ashtu akuzohen për pastrim parash dhe abuzim me detyrën. Ky është Besmir Matera i fotografuar momentin kur hyn në gjykatë.

Top Channel ka siguruar dokumentin me akuzat që rëndojnë ndaj 36-vjeçarit i lindur në Fushë Lurë të Dibrës. Ai për të fituar azilin në Britaninë e Madhe kishte ndryshuar mbiemrin nga Cuku në Matera.

Hetimi i Home Office për përfshirjen në këtë konspiracion vjedhje, ka zbuluar një mori me probleme që prej momentit të azil kërkimit nga Besmir Matera-Cuku, deri në marrjen e nënshtetësisë britanike tërësisht me mashtrim.

Krahas akuzës së parë në të cilën thuhet se ai në bashkëpunim me 5 kolegët britanik në periudhën kohore 01/08/2021 deri  06/12/2022 kanë kryer konspiracion për të  vjedhur emigrantët, i rëndojnë edhe 5 akuza të tjera.

Besmir Matera nga qyteza Reigate 30 kilometra në Jug të Londrës, akuzohet po ashtu në periudhën kohore  29/07/2003 – 23/03/2004 përmes mashtrimit përfitoi lejen e qëndrimit të përhershme në Britaninë e Madhe.

Prokurori Rosalind Earis i tha gjykatës se Besmir Matera, në këtë mashtrim kishte përdorur emër dhe mbiemër të rremë përfshi vendlindjen bashkë me nacionalitetin.

Një tjetër akuzë ndaj tij lidhe me marrjen përmes mashtrimit të patentës për drejtim automjeti duke përdorur të dhëna të rreme të përdorura më parë kur kishte aplikuar për azil. Si akuzë të gjashtë prokurori çështjes ka renditur episodin e ndodhur  në harkun kohor 16/09/2021 deri  22/10/2022 kur Besmir Matera-Cuku, arriti përmes mashtrimit të përfitonte nënshtetësinë dhe më pas pasaportën britanike.

Dhe akuza e shtatë me të cilën ish oficeri shqiptarë i emigracionit u përball, lidhet me përdorimin e pasaportës dhe patentës britanike për të krijuar një profil të besueshëm, e më pas të  punësohej në UK Border Agency- (Agjencinë Britanike të Kufirit). Besmir Matera së bashku me 5 ish kolegët e tij janë lënë të lirë me kusht për tu paraqitur përsëri në gjykatë me 26 Shkurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB