Juventus, Kolo Muani prioritet me Zirkzee si alternativë
Migjen Basha është një emër i lidhur me ngjyrat kuqezit të Kombëtares shqiptare. Ish mesfushori është rrëfyer gjatë në një intervistë për FSHF duke kthyer të gjitha kujtimet e duke treguar te gjitha emocionet dhe sfidat me fanelën kuqezi
Intervista e Migjen Bashës për FSHF
E kujton momentin kur more ftesën nga Shqipëria për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi? Si ishte, mund të na e rrëfesh?
Më kujtohet shumë mirë momenti, sepse për ata që duhet të ishin pjesë e kombëtares, kanë pasur probleme me pasaportat shqiptare. Në atë kohë kisha pasaportën e Zvicrës. Aty procedura ime ishte shumë e gjatë dhe humba tre vite larg Kombëtares. E gjithë procedura u avancua në momentin kur De Biasi u afrua te Torino. U avancua, sepse donin që unë të isha pjesë e Shqipërisë sa më shpejt. Më kujtohet shumë mirë, sepse pavarësisht se ka qenë kohë shumë e gjatë, unë e kam marrë dritën jeshile pak kohë para ndeshjes me Norvegjinë, në mars 2013. E gjithë ajo kohë ka qenë pak stresuese sepse në asnjë moment se dija kur do të ishte vërtetë drita jeshile për mua. Nga ai moment kam qenë pjesë e Kombëtares dhe u hapën dyert për të gjithë çunat nga Zvicra që vinin pastaj në Kombëtare.
Cili është momenti që nuk do ta harrosh kurrë nga fanella kuqezi?
Momenti kur ka përfunduar ndeshja në Armeni pasi ajo na dha kualifikimin në Europianin 2016. Ai ka qenë momenti më i mirë. Tre ditët përpara Armenisë kanë qenë shumë stresuese, sepse humbëm kundër Serbisë në Elbasan. Ishte më e vështirë, sepse ishte e rëndë për ne të humbnim edhe kundër Serbisë. Momenti kur mbaroi ndeshja në Armeni ishte gëzim i madh për të gjithë, sepse ishte hera e parë. Në atë moment, askush nuk e priste që Shqipëria të ishte e dyta në grup pas Portugalisë, sepse ishim në një grup të vështirë. Ishte gëzim shumë i madh.
Cila ndeshje ishte më e vështira për ty me Kombëtaren dhe pse?
Më e vështirë sa i përket rezultatit është ndeshja kundër Serbisë, kur humbëm 0-2 në Elbasan, sepse ka qenë në momentet e fundit. Të gjithë kemi menduar se rezultati do jetë 0-0, pastaj pësuam një gol me kundërsulm dhe humbëm shpresat. Ai ka qenë momenti më i vështirë dhe dyfish e bën të vështirë se humbëm kundër Serbisë.
E nise me fitore ne transferten e Norvegjise dhe e mbylle me humbje ndaj Islandes. Kush është pishmani yt me kombëtaren në 34 ndeshje të luajtura?
Pengu më i madh është fakti që vendosa të largohem nga kombëtarja disa muaj para inagurimit të stadiumit “Air Albania”. Dhe nuk e kam pasur fatin që të luaj një ndeshje në këtë stadium. Sepse realisht, kur e sheh një ndeshje sot në televizor apo në stadium, është një moment shumë i mirë dhe atmosfera është shumë e mirë. Pavarësisht se unë i kujtoj me shumë mall edhe momentet që kemi qenë në “Qemal Stafa”. Edhe atëherë ka qenë atmosfera super. Fakti që nuk kam luajtur një ndeshje në stadiumin e ri e kam disi peng. Por të gjitha momentet që kam pasur me Kombëtaren kanë qenë super.
Tetor 2015, Jerevan, Armenia kundër. Na përshkruaj pak atë fitore historike që na kualifikoi në Europian për herë të parë.
Të thashë, kemi pasur shumë stres në ndeshjen përpara Armenisë sepse humbja me Serbinë bëri që mos të ishim të qetë. Në fillim të ndeshjes u ndje, sepse Armenia pati raste për të shënuar. Nëse shënon në fillim, kthehet në problem më pas. Realisht patëm fat që u bë 0-1 për ne dhe më pas 0-2, 0-3 final. Dhe kjo na bëri të liroheshim dhe të gëzoheshim për kualifikimin në Europian.
Ndeshjet me Armeninë janë të veçanta për ju edhe për një arsye tjetër. Më parë ndaj këtij kundërshtari kishte debutuar me Shqipërinë edhe Vullneti, vëllai yt. Si u ndjeve si vëlla për të?
Krenari e madhe sepse Vullneti ishte në momente të mira të karrierës. Kam qenë lojtari i parë që vija nga Zvicra sepse pastaj u hapën dyert dhe erdhën Vullneti, Abrashi, Taulanti, Ajeti. Ishte krenari e madhe. Por fatkeqësisht, pastaj Vullneti pati probleme dhe nuk i shkoi si duhet. Po prapë se prapë, luajti një ndeshje me fitore. Ka filluar mirë, ka mbaruar mirë dhe u largua. Prapë se prapë jam krenar.
Për të qëndruar tek emocionet. Na trego pak më shumë për Euro 2016. Ndjesia kur mësove se kishe emrin në listë, eksperienca në Europian, fitorja me Rumaninë.
Emocionet ishin të ndryshme. Në Austri ishim diku te 27 lojtarë, nuk më kujtohet mirë. Dhe në fund të përgatitjeve, 4 lojtarë duhet të largoheshin sepse lista përfundimtare nuk dihej. Ka qenë stres jo vetëm për mua, por për të gjithë sepse nuk e kishim të sigurt kush do të ishte në listë. Momenti kur doli emri, që do të isha pjesë e finaleve, ka qenë shumë gëzim. Në ndeshjet me Zvicrën dhe Francën nuk kam qenë titullar, por në ndeshjen me Rumaninë isha në fushë, ku edhe fituam. Kemi bërë një fitore që pas asaj, nuk e dinim nëse kishim ende shanse për t’u kualifikuar më tej. Ka qenë një eksperiencë shumë e madhe dhe e mirë për ne.
Nëse do ishe para një zgjedhjeje, për të qenë pjesë e Euro 2016 apo Euro 2024, cilën do zgjidhje?
Euro 2016. Nuk e ndërroj sepse ishte hera e parë për ne. Ndoshta nuk kishim shanse në fillim sepse kishim Portugalinë, Danimarkën, Serbinë. Pastaj ishim ne dhe Armenia. Por pavarësisht asaj që ndodhi me Serbinë, ne kemi qenë një skuadër që fituam në Portugali 1-0, kemi bërë 0-0 me Danimarkën në transfertë dhe 1-1 me danezët këtu. Nuk ishte e lehtë për kundërshtarin dhe për ne. Nuk e ndërroj. Ai grup ka qenë tepër i mirë dhe angazhimi e ka bërë që ne të kualifikoheshim për në Euro 2016.
Si e sheh sot Kombëtaren shqiptare, nga përvoja jote si ish-lojtar?
E shoh shumë mirë. Këto rezultate nuk janë rastësi. Besoj që puna e tanishme, që Kombëtarja ka rezultate pozitive ka nisur shumë më herët. Shihet edhe te përmirësimi i infrastrukturës, te kushtet. Ne kemi pasur kushte më ndryshe atëherë. Po shihen rezultatet që vijnë avash-avash. Sa i përket kualitetit të lojtarëve, kemi lojtarë si Broja, Asllani, Gjimshiti. Më pëlqen shumë Mitaj në krah, qetësia e tij. Kualiteti është shumë i mirë sot dhe besoj se kemi shanse për kualifikim.
A ka një lojtar aktual që të kujton stilin tënd në fushë?
Të them të drejtën e vështirë ta them sepse janë më të mirë tani sesa ne që ishim atëherë. E kam thënë gjithmonë dhe fakti që ne kishim angazhimin, Lila, Abrashi, Xhaka, Memushaj. Ne kemi qenë shumë punëtorë. Ndoshta kualiteti është më i mirë sot, nuk është kritikë për tani. Ne kemi qenë një skuadër punëtore, tani kemi më shumë kualitet. Sot skuadra është ndryshe.
Sa shanse ka ky ekip te kalojë fazën e play-offit dhe të bëjë realitet ëndrrën botëror?
Me % nuk mund ta them, por skuadra i ka të gjitha kualitetet për t’i fituar ndeshjet edhe jashtë.
Nëse sot do ishe në dhomën e zhveshjes para play-offit. Çfare do t’i thoje ekipit?
E para është guximi. Shpresoj që në atë ditë të jenë të gjithë në super formë dhe besoj se do jenë sepse nuk ka dy ndeshje. Është vetëm një ndeshje direkt dhe uroj të jenë të gjithë në formë. Pavarësisht se kush është titullar, apo në pankinë, të gjithë duhet të jenë bashkë dhe synimi të jetë një për të gjithë.
Çfarë do të thotë sot për ty të jesh pjesë e historisë së Kombëtares?
E vështirë ta përshkruaj të them të drejtën. Ne realisht gjithmonë kur na takon dikush në Tiranë apo jashtë, na shohin si legjenda. Gjë që mua nuk më pëlqen sepse për mua është e tepërt. Fakti që kam qenë pjesë e asaj skuadre, historisë është një krenari e madhe për ne të gjithë. Jam shumë krenar që kam qenë pjesë e asaj skuadre në ato momente.
Cilën vlerë nuk duhet të humbasë kurrë fanella kuqezi?
Besoj e para është sakrifica. Pastaj vjen disiplina. Ne kemi bëre sakrificë. Kushtet që kemi pasur, jo se kanë qenë katastrofë, por kanë qenë më ndryshe se sot.
Me çfarë po merresh aktualisht?
Punoj tek ekipi i Lausanne në Zvicër. Jam bashkëpunëtor në stafin e skuadrës së parë. Po ashtu, kam një rol dopio edhe te skuadra U-21. Bashkëpunoj me të dyja ekipet, punoj me të dyja dhe i përgatisim stërvitjet dhe ndeshjet bashkë.
I ke zhvilluar të gjitha licencat e kurseve të UEFA-s për trajner në Shqipëri. Si e vlerëson nivelin jo vetëm të lektorëve, por në tërësi të kursit nga UEFA B tek UEFA Pro tani.
Unë e kam nisur nga kursi UEFA B, pastaj A dhe tani PRO. Është rritur shumë edhe vlera e instruktorëve. Tani kam fatin që marr leksione nga Alban Tafaj dhe Sulejman Starova që janë këtu. Përveç futbollit, mësojmë edhe për tema të tjera si psikologu i sportit, komunikimi etj. Të gjithë instruktorët janë me vlera shumë të mëdha dhe është diçka që na ndihmon ne në të ardhmen.
Pyetje të shkurtra
Kush ta ka vënë emrin?
Emrin ma ka lënë xhaxhai, i cili sot fatkeqësisht nuk jeton më.
Debutimi yt me Kombëtaren — emocion apo presion?
Emocion.
Një fjalë që përshkruan fanellën kuqezi?
Sakrificë.
Trajneri që të ka ndikuar më shumë te Kombëtarja?
De Biasi.
Shoku i skuadrës me të cilin u lidhe më shumë?
E vështirë sepse kam lidhje të mira me të gjithë. Por marrëdhënie më shumë vitet e fundit kam pasur me Berishën, Canën, Mavrajn.
Ndeshja që do ta riluaje edhe një herë?
Me Italinë. Humbja në Shkodër.
Ndeshja ku ke ndjerë më shumë mbështetjen e tifozëve?
Me Rumaninë në Europian.
Kombëtarja sot: më e fortë apo më e pjekur?
Më e fortë.
Çfarë nuk duhet të mungojë kurrë te një lojtar i Kombëtares?
Këmbëngulja.
Në një fjali: çfarë është Kombëtarja për Migjen Bashën?
Është shtëpia ime.
Top Channel