Fotot/ Protestë e dhunshme në Torino, pamje si në luftë, tubuesit përplasen me policinë
I dërguari rus Kirill Dmitriev po drejton bisedime të reja me zyrtarë amerikanë në Florida sot, tha një burim pranë negociatave për AFP-në.
“Bisedimet filluan herët, në orën 8:00 të mëngjesit sipas kohës”, tha burimi, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi axhendën ose përbërjen e delegacioneve.
Më parë, në llogarinë e tij në Instagram, Kirill Dmitriev, i cili ka drejtuar bisedimet në javët e fundit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, tha se ishte “përsëri” në Miami.
Më herët në janar, në kuadrin e Forumit Ekonomik të Davosit, Kirill Dmitriev u takua me zyrtarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
I dërguari i Kremlinit për investime dhe zhvillim ekonomik, Dmitriev, kishte udhëtuar në Miami në fund të dhjetorit për bisedime mbi Ukrainën me të dërguarit amerikanë.
Ky takim i ri në Florida vjen përpara një raundi të dytë të mundshëm bisedimesh në Abu Dhabi midis negociatorëve rusë, amerikanë dhe ukrainas.
Ky takim mund të zhvillohet që të dielën, megjithëse Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha këtë javë se mund të shtyhet.
Bisedimet e para të njohura të drejtpërdrejta midis ukrainasve, rusëve dhe amerikanëve mbi planin e Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë u zhvilluan të premten dhe të shtunën e kaluar në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kremlini tha të premten se Presidenti i SHBA-së Donald Trump i kishte kërkuar homologut të tij rus Vladimir Putin të ndalonte sulmet ndaj Kievit “deri më 1 shkurt”, ku rrjeti i energjisë është goditur nga bombardimet e mëparshme.
Sipas zëdhënësit të presidentit rus Dmitry Peskov, ndalimi i bombardimeve ruse ka për qëllim “të krijojë kushte të favorshme për negociata”.
Bisedimet, të cilat po zhvillohen me ndërmjetësimin amerikan, janë shumë të vështira dhe preken veçanërisht nga çështja e ndarjes së tokës, me Rusinë që kërkon që Kievi të lëshojë të gjithë rajonin Donbas në Ukrainën lindore.
Top Channel