Arrihet kompromis për azilin në Gjermani: Shtohen kthimet, por edhe punësim pas 3 muajsh!

31/01/2026 13:34

Partitë në pushtet në Gjermani, CDU/CSU dhe SPD, kanë arritur një kompromis për zbatimin e Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit-GEAS-, me qëllim kufizimin e emigracionit të paligjshëm dhe përshpejtimin e procedurave të azilit.

Një nga pikat kryesore të marrëveshjes ka të bëjë me të ashtuquajturat “raste të Dublinit”, apo azilkërkuesit që janë regjistruar ose kanë aplikuar për azil në një vend tjetër të BE-së. Këta persona mund të mbahen deri në tre muaj në qendra të posaçme azili, me qëllim lehtësimin e kthimeve dhe parandalimin e zhdukjes së tyre para deportimit. Vendimi për hapjen e këtyre qendrave u lihet lëndëve federale dhe kërkon gjithashtu miratimin e Bundesratit, apo dhomës së përfaqësimit të lëndëve.

Masat e reja nuk do të zbatohen në mënyrë të njëjtë për të gjithë. Sipas SPD-së, fëmijët, familjet dhe grupet e cenueshme duhet të mbrohen nga kufizime të panevojshme. Parashihet që të mos ketë ndalim për fëmijët, të sigurohet kujdes shëndetësor i përshtatshëm dhe që familjet, si rregull, të mund të largohen nga qendrat e pritjes pas gjashtë muajsh. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me tregun e punës. Azilkërkuesit dhe personat e toleruar do të kenë mundësi të punojnë pas tre muajsh qëndrimi, në vend të gjashtë muajve si më parë.

Qeveria synon gjithashtu të përmirësojë kujdesin shëndetësor për fëmijët refugjatë, duke ofruar ekzaminime më të gjera gjatë 36 muajve të parë të qëndrimit. Megjithatë, marrëveshja është kritikuar ashpër nga organizatat për të drejtat e njeriut. PRO ASYL paralajmëron se ligji i ri sjell masa më shtrënguese sesa kërkon vetë legjislacioni i BE-së, përfshirë kufizime të lëvizjes dhe ndalime, që sipas kritikëve mund të prekin edhe fëmijët dhe grupet e cenueshme.

Reforma e GEAS-it, e miratuar nga BE-ja në vitin 2024, synon ta bëjë sistemin evropian të azilit më efikas dhe të zhvendosë procedurat kryesisht në kufijtë e jashtëm të Unionit. Rregullat e reja pritet të hyjnë në fuqi në të gjitha vendet e BE-së deri në qershor 2026, ndërsa në Gjermani miratimi ligjor mund të ndodhë që në shkurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB