Integrimi europian, akademikja Migena Leskoviku: Ligjet ecin shpejt, por zbatimi mbetet sfidë

30/01/2026 15:16

Përafrimi i legjislacionit shqiptar me standardet europiane po ecën me ritme të shpejta, por frika e ekspertëve të integrimit është zbatueshmëria e reformave.

Dhjetëra drafte ligjore të miratuara me nxitim në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian, po shoqërohet sipas akademikes Migena Leskoviku me një sërë sfidash dhe me skepticizmin se ndryshimet ligjore mund të mbeten në letër.

“Së pari është çështja e kulturës së zbatimit të ligjit. Duhet të kemi parasysh se ky proces nuk është thjesht një proces teknik por është një proces i cili kërkon edhe zbatimin efektiv në praktikë, që e kemi vuajtur deri më tani. Për të bërë reforma ligjore, institucionale apo financiare kërkohen kapacitete të mjaftueshme administrative por edhe të trajnuara me çështje të integrimit dhe anëtarësimit. Konsultimi publik është një element tjetër, pra të miratosh një bazë ligjore në një kohë kaq të shkurtër do përshpejtosh domosdo edhe konsultimin publik”, u shpreh Migena Leskoviku, përgjegjëse e Departamentit të Institutit të Studimeve Europiane në Universitetin e Tiranës.

Shqetësuese për specialistët e çështjeve europiane mbetet edhe mungesa e transparencës, e cila ndikon që shoqëria shqiptare të jetë e paqartë mbi procesin. Informimi mbi ecurinë e përafrimit të legjislacioneve duhet të jetë primar.

“Ndryshimet që ndodhin në një kohë kaq të shpejtë e bën të vështirë për tu kuptuar nga qytetarët e thjeshtë. Unë mendoj që çështja e komunikimit të rezultateve duhet të jetë më transparente dhe gjithëpërfshirëse për publikun dhe grupet e interesit”, tha Leskoviku.

Me objektivin për të mbyllur negociatat teknike në 2027, ndryshimet ligjore të realizuara brenda një kohe të shkurtër sjellin vështirësi të shtuar sidomos në disa fusha.

“Unë do përmendja për shembull çështje që kanë të bëjnë me klimën e biznesit, me sigurinë ushqimore, me luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar…me çështje që implikojnë më gjerë edhe aspekte të mbarëvajtjes normale të organeve të drejtësisë, janë me sensitivitet të lartë”, tha ajo.

Veç kritikave, përpjekja e Shqipërisë për të përshpejtuar rrugëtimin ligjor drejt BE-së po shihet edhe si një faktor me vlerë për rritjen e imazhit të vendit te ndërkombëtarët.

“Ecuria me ritme të shpejta ka elementin pozitiv që tregon vullnetin politik dhe institucional nga ana e Shqipërisë por në të njëjtën kohë tregon edhe rëndësinë e bashkëpunimit me BE”, përfundoi Migena Lesokoviku.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB