Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe efektivët e Policisë së Shtetit ushtruan kontrolle në ambientet e kompanisë farmaceutike “Evita”, në kryeqytet.

Kontrollet e BKH-së janë ushtruar me urdhër të prokurores Dorina Bejko dhe lidhen me hetimet e SPAK për abuzime me tenderat. Agjentët e Byrosë së Hetimit, të shoqëruar nga disa efektivë policie, kontrolluan ambientet e kompanisë mesditën e së premtes.

Kompania farmaceutike “Evita”, e lidhur me biznesmenin Klodian Allajbeu, rezulton të ketë përfituar një tender në shkelje të procedurave.

Bëhet fjalë për tenderin e shpallur nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara për pajisje për shërbimin e kardiokirurgjisë, në vlerën e rreth 750 milionë lekëve. Operatori ekonomik “Evita Sh.p.k” u shpall fitues i tenderit, duke skualifikuar operatorin tjetër në garë, ndonëse kishte ofertën më të ulët.

Hetimet kanë zbuluar se kompania farmaceutike, e lidhur me biznesmenin e njohur të spitalit amerikan, ka fituar tenderin për pajisjet e kardiokirurgjisë, ndonëse kishte ofruar rreth 120 milionë lekë më shumë se kompania tjetër në garë.

“Evita Sh.p.k” është një kompani që ushtron aktivitetin ne fushën e farmaceutikës dhe pajisjeve mjekësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB