Fiks Fare/ Niça e Pogradecit, fshati ku rruga s’kalon, ura shembet sa herë bie shi dhe banorët izolohen

30/01/2026 20:50

Fshati Niçë, pjesë e Njësisë Administrative Dardhas në Bashkinë e Pogradecit, vijon të mbetet i izoluar, veçanërisht gjatë muajve të dimrit.

Edhe pse ndodhet vetëm rreth 30 kilometra larg qytetit të Pogradecit, udhëtimi drejt Niçës zgjat deri në 3 orë e gjysmë për shkak të terrenit të vështirë dhe gjendjes së degraduar të rrugës.

Nga Tirana, distanca mund të përshkohet për rreth 6 orë në ditët me kushte të vështira atmosferike.

Gjatë muajit janar, reshjet e shumta të shiut kanë përkeqësuar edhe më tej situatën, duke bllokuar rrugën në disa segmente. Për të arritur në fshat, banorët duhet të ngjiten deri në një lartësi prej 1461 metrash mbi nivelin e detit, në zonën e njohur si “Guri i Kamjes”, përpara se të zbresin drejt Niçës.

Aktualisht në fshat jetojnë rreth 10 familje, ndërsa gjatë sezonit të verës numri rritet në 30–40 familje. Banorët merren kryesisht me blegtori, por shprehen se problemi më i madh mbetet infrastruktura, veçanërisht rruga dhe ura në dalje të fshatit, e cila është shembur disa herë ndër vite.

Sipas banorëve ura është ndërtuar dy herë, por dëmtohet sa herë kalojnë mjete të rënda ose traktorë. Gjatë reshjeve intensive, niveli i ujit rritet dhe fshati izolohet plotësisht. Një banor, i cili zotëron mbi 200 krerë bagëti, shprehet se nuk arrin t’i nxjerrë jashtë fshatit, ndërsa një herë lumi i ka marrë edhe dy dele.

Problemet janë denoncuar vazhdimisht pranë partive politike dhe institucioneve lokale, por përgjigjja ka qenë gjithmonë “sot” ose “nesër”.Shërbimi mjekësor është i rrallë, ndërsa për të shkuar në komunë në këmbë nevojiten rreth 4 orë vajtje dhe 4 orë kthim. Ilaçet dhe ushqimet sigurohen vetëm në qytetin e Pogradecit. Transporti kushton nga 80 mijë deri në 100 mijë lekë të vjetra për një udhëtim.

Një prej banorëve tregon se djali i tij, emigrant në Angli, ka sjellë tre automjete për familjen, por ato kanë mbetur të papërdorura, pasi rruga nuk lejon qarkullimin.

Fiksi u interesua në Bashkinë Pogradec në lidhje me problematikat e banorëve të Niçës. Kryetari i Bashkisë Pogradec, z. Ilir Xhakolli, pranon se reshjet e fundit kanë shkaktuar probleme serioze në disa zona të bashkisë. Sipas tij, rruga kryesore që lidh fshatrat e Njësisë Administrative Dardhas ka qenë e bllokuar dhe bashkia ka punuar për rreth një javë për hapjen e saj.

Një ekskavator me zinxhirë është angazhuar për pastrimin e rrugës nga Dardhasi deri në Osnat, ndërsa një mjet tjetër ka vijuar drejt fshatit Niçë. Lidhur me urën e dëmtuar, z. Xhakolli deklaron se projekti për rindërtimin e saj është hartuar, së bashku me katër ura të tjera të dëmtuara nga reshjet, në bashkëpunim me qeverinë dhe shtabin e emergjencave. Sipas tij, ura e Niçës pritet të riparohet brenda javës.

Ai thekson gjithashtu se dëmtimet e mëparshme të urës kanë ardhur si pasojë e kalimit të mjeteve me ngarkesa të rënda, kryesisht për transport drush, dhe u bën thirrje banorëve që raste të tilla të denoncohen pranë bashkisë.

Ndërkohë, Bashkia Pogradec prej pesë vitesh ka aplikuar në Fondin Shqiptar të Zhvillimit për projektin “Rrugë të Bardha”, i cili synon ndërtimin e një rruge lidhëse mes Niçës, disa fshatrave të tjerë dhe Bashkisë Maliq, me qëllim zgjidhjen përfundimtare të izolimit të zonës.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB