Presidenti Bajram Begaj, i dorëzoi sot flamurin kombëtar ekipit olimpik Team Albania që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore 2026, të cilat do të zhvillohen në datat 6 – 22 shkurt 2026 në Milano dhe Cortina d’Ampezzo të Italisë.

“Flamuri kuq e zi që po merrni sot është i “rëndë”. Ai mban në vete pritshmërinë e një vendi të tërë. Flamuri kuq e zi nuk ju kërkon domosdoshmërisht medalje. Ju kërkon dinjitet. Ai mishëron vlerat e paqes, respektit, krenarisë. Ai i tejkalon kufijtë përmes sportit. Flamuri kuq e zi ju kërkon të tregoni se Shqipëria është aty me ju, është e fortë, e denjë dhe e barabartë mes të barabartëve dhe mes më të mirëve të botës. Nisuni me besim! Garoni fort dhe me nder! Flamuri është në duart tuaja!” – deklaroi Begaj ndërsa i dorëzoi ekipit tonë flamurin kombëtar.

“Investimi tek talenti i jashtëzakonshëm i Lara Colturit dhe mbështetja për sportistët tanë, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti, tregojnë qartë se sporti shqiptar ka dalë nga faza e pjesëmarrjes simbolike”-shtoi Begaj.

Duke iu drejtuar katërshes së ekipit shqiptar që do të ngrejë flamurin kuq e zi Lojërat Olimpike Dimërore 2026 në Itali, Kreu i Shtetit theksoi se kjo pjesëmarrje, pavarësisht rezultatit, ju bën fitues të krenarisë së të gjithë shqiptarëve, veçanërisht të brezit të ri që mëson përmes shembullit tuaj se suksesi vjen me disiplinë, me punë, përkushtim dhe pasion.

“Kur të jeni në startin e garës, mbani mend se pas jush janë familjet tuaja, të cilat unë dua t’i falënderoj pafund për sakrificën e tyre, janë federatat dhe Komiteti Olimpik, por pas jush është edhe një popull i tërë që po mësohet të shohë flamurin e tij kuq e zi të garojë si i barabartë mes të barabartëve”, – deklaroi Presidenti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB