Amortizimi i rrugës, banorët e fshatit Varibop të Fierit ngrihen në protestë: Po na detyron të largohemi nga zona

30/01/2026 11:13

Dhjetëra banorë të fshatit Varibop, pjesë e njësisë administrative Cakran në Fier, janë ngritur ditën e sotme në protestë.

Shkak i indinjatës së tyre është amortizimi i theksuar i rrugës lidhëse prej rreth dy kilometrash, e cila është pothuajse e pakalueshme në të gjithë gjatësinë e saj.

Sipas banorëve, ky segment rrugor është lënë në harresë prej dekadash, ndërsa situata është përkeqësuar ndjeshëm pas punimeve të kryera nga ujësjellësi rreth dy vite më parë, pa u rikthyer më pas në gjendjen e mëparshme.

Jemi taksapagues të rregullt, por rruga është në gjendje të mjerueshme”, shprehet një nga banorët.

Banorët theksojnë se dëmtimi i rrugës ua ka vështirësuar së tepërmi jetesën e përditshme rreth 100 familjeve që jetojnë në këtë zonë. Fëmijët, sipas tyre, mezi dërgohen në shkollë, ndërsa shërbimet e emergjencës, si ambulanca apo zjarrfikësja, e kanë pothuajse të pamundur të qarkullojnë për shkak të gropave dhe baltës.

Të zhgënjyer nga premtimet e përsëritura ndër vite, banorët pohojnë se shpeshherë kanë ndërhyrë vetë, duke kryer riparime të pjesshme me mjetet e tyre.

Kemi hedhur zhavorr vetë, por nuk mban më. Rruga po na detyron të largohemi nga zona”, thotë një tjetër banor.

Përballë kësaj situate, protestuesit kërkojnë një ndërhyrje të menjëhershme për sistemimin e këtij segmenti rrugor, gjendja e të cilit, sipas tyre, po nxit shpërnguljen e banorëve.

Ndërkohë, sipas informacionit të marrë pranë Bashkisë Fier, sistemimi i këtij segmenti rrugor është parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2026, ndërsa rikonstruksionit të plotë do t’i nënshtrohen të gjitha rrugët problematike të njësisë administrative Cakran.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB