“Kanë implantuar embrionin e gabuar”, çifti padit kliniken e fertilitetit: Ne jemi kaukazianë, fëmija…
Një bankier i njohur ukrainas, Alexander Adarich, 54 vjeç, u gjet i vdekur pasi ra nga dritarja e katit të katërt të një ndërtese në via Nerino, në qendër të Milanos.
Autoritetet italiane dyshojnë se nuk bëhet fjalë për vetëvrasje, por për një vrasje të inskenuar, ndërsa Prokuroria ka hapur zyrtarisht një hetim penal për vrasje.
Ngjarja ndodhi të premten e kaluar. Sipas hetimeve paraprake, Adarich dyshohet se ka qenë i vrarë në momentin kur trupi i tij u hodh nga dritarja e apartamentit që ishte marrë me qira përmes Airbnb.
Një dëshmi kyçe ka ardhur nga postierja e pallatit, e cila ka deklaruar se menjëherë pas rënies së trupit pa një burrë të panjohur të shfaqej në dritare. Pak më vonë, i njëjti person zbriti në oborr, u afrua pranë vendngjarjes dhe pyeti në anglisht “Çfarë ka ndodhur?”, përpara se të largohej. Hetuesit besojnë se në apartament ndodheshin edhe persona të tjerë pak minuta para incidentit.
Gjatë kontrollit të banesës, policia ka gjetur dokumente të dyshimta, përfshirë pasaporta dhe letra identiteti me kombësi të ndryshme, por me fotografinë dhe emrin e Alexander Adarich. Ende nuk dihet nëse këto dokumente janë përdorur për qëllime mashtruese apo janë lënë qëllimisht për të krijuar konfuzion.
Adarich kishte mbërritur në Milano në mëngjes dhe planifikonte të largohej po atë mbrëmje. Ai nuk kishte qenë më parë në qytet dhe apartamenti nuk ishte prenotuar në emrin e tij, çka forcon dyshimet se udhëtimi lidhej me një takim të fshehtë, ndoshta për një marrëveshje financiare. Për momentin, autoritetet përjashtojnë përfshirjen e tij në trafikun e drogës apo mashtrime të zakonshme.
Bankieri kishte një karrierë të gjatë dhe të diskutueshme. I lindur në Pavlohrad, pranë Dnipro-s, ai ishte futur në vitin 2006 në listën e 100 menaxherëve më të fuqishëm të Ukrainës. Nga viti 2012 deri në 2020 ishte pronar i Fidobank, e cila më vonë u mbyll nga autoritetet ukrainase për shkak të dyshimeve për abuzime financiare dhe përvetësim fondesh.
Pas mbylljes së bankës, aktivitetet e tij financiare u zhvendosën në Qipro, Luksemburg dhe vende offshore, ndërsa emri i tij u lidh edhe me interesa ekonomike në zonën portuale të Odesës, në një periudhë të ndjeshme për Ukrainën për shkak të luftës.
Autopsia dhe hetimet e mëtejshme pritet të zbardhin shkaqet e vdekjes dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje, e cila për momentin mbetet një nga rastet më misterioze kriminale të muajve të fundit në Itali.
Top Channel