Ekskluzive / Lara Colturi përfundon në spital, një javë larg çeljes së Olimpiadës dimërore
Elena Rybakina dhe Aryna Sabalenka janë tenistet që do të diskutojnë titullin e parë Grand Slam të vitit 2026. Tenistja kazake dhe ajo bjelloruse do të luajnë në finalen e Australian Open në Melbourne.
Elena Rybakina numri 5 i renditjes botërore eliminoi në gjysmëfinale amerikanen Jessica Pegula me rezultatin 2-0 pas 1 orë e 42 minutash lojë. Seti i parë u fitua me autoritet nga Rybakina që e mbylli atë 6-3, ndërsa në setin e dytë, gjithçka u zgjidh nga tiebreak. Por Rybakina gjatë këtij fraksioni shpërdoroi 3 match point kur rezultati ishte 5-4 dhe 6-5 e më pas në tiebreak anuloi edhe 2 setpoint të Pegulas përpara se të mbyllte përfundimisht të gjitha llogaritë e sfiës. Për Rybakinan, finalja e kësaj të shtune është e dyta ndaj Sabalenkës me kazaken që do të kërkojë revanshin për humbjen e vitit 2023
Ndërsa vetë Sabalenka, më herët kishte eliminuar në gjysmëfinale ukrainasen Elina Svitolina me rezultatin 2-0 në një ndeshje që zgjati 1 orë e 15 minuta. Bjellorusja, numri 1 i botës ishte dominuese që nga fillimi deri në fundin e sfidës dhe arriti t’i mbyllë setet me rezultatin 6-2 dhe 6-3. Aryna Sabalenka ende nuk ka pësuar asnjë humbje në këtë vit të ri teksa ka një bilanc 11-0 madje nuk ka humbur asnjë set. Për bjellorusen, kjo e Australian open e këtij viti është e 4-a finale radhazi në Melbourne duke barazuar Evonne Goolagong dhe Martina Hingis dhe e 7 finale radhazi në një turne Grand Slam. Në gjysmëfinalen me Svitolinën pati edhe një dramë të vogël, me ukrainasen që refuzoi t’i shtrëngojë dorën Sabalenkës për shkak të mbështetjes që Bjellorusia i bën Rusisë në luftën në Ukrainë. Svitolina që në fillimin e konfliktit u shpreh hapur në mbrojtje të popullit të saj përmes një serie nismash humanitare.
Top Channel