Projekti për kullat e reja në Tiranë/ Konkurs arkitekture edhe për kompleksin e inspektoratit shtetëror. Zhvendoset “Shtëpia e fëmijës”

29/01/2026 18:39

Shpallen fituesit e Konkursit Ndërkombëtar për ndërtimin e Shtëpisë së re të Fëmijëve dhe Korpusin e Inspektorateve. Projektet fituese u përzgjodhën nga një juri ndërkombëtare, e cila i vlerësoi ato bazuar në vlera arkitekturore dhe sociale.

Projekti është pjesë e nismës së marrë nga qeveria për të zhvilluar pronën shtetërore në bashkëpunim me privatin, ku ky i fundit do të mbajë edhe barrën e financimit. Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e këtij konkursi në zhvillimin e hapësirave publike dhe promovimin e arkitekturës bashkëkohore në funksion të interesit publik.

“Me këtë projekt, ne i hapim rrugë dy drejtimeve të reja për të ardhmen, duke krijuar kushte tërësisht të reja për fëmijët që janë në duart e solidaritetit të shoqërisë, jetimët dhe njëkohësisht edhe për korpusin e ri të inspektorateve dhe me këtë rast dua të falënderoj këtu kryeinspektorin që për 10 vite rresht drejtoi një institucion që lindi vërtetë nga hiçi dhe u krijua nga e para dhe që sot është gati të bëjë një hop tjetër”.

Kryeministri u ndal dhe tek disa prej projekteve të tjera që janë në fazë të avancuar dhe gati për lejen e zhvillimit.

“Falë këtij procesi do të kemi më në fund pas vitesh një stadium të ri të përmasave europiane, një tjetër vepër arkitektonike të denjë për historinë e re që po shkruajmë së bashku me këtë skuadër të jashtëzakonshme arkitektësh, Bibliotekën e re Kombëtare, një mjedis i shumë nevojshëm prej vitesh dhe një tjetër vepër e spikatur në historinë, jo thjeshtë të vendit tonë, por në historinë e arkitekturës bashkëkohore.”

Konkursi u organizua nga Korporata Shqiptare e Investimeve dhe parashikon që godinat e vjetra do të prishen dhe do të ndërtohet kompleksi i ri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB