Përse protestat e Berishës nuk zgjasin më shumë se 2 orë?
Nga Ilnisa Agolli
Përgjigjet që presim ndonjëherë, janë si veprat e vonuara, që çdo qytetërim i ka përkthyer vetëm pasi koha e ka ndjerë të arsyeshme nevojën e shoqërisë të orientohet.
Kur humbet këmba cepave të fatit, mbyllen sytë dhe urtësohet goja; një ritual që e ndihmon njeriun në ditë të zymta. Dhe këto ditët janë si shprehjet popullore. Kjo e sotmja, më ngjan me: “Më thuaj me kë rri, të të them cili je”.
Natyrisht pas kësaj , të kërcet ballit një listë me emra. Mua si njeri i zakonshëm, fjala që vjen, më doli para syve regjistri në dorën e majtë të çdo mësuesi që kam pasur në shkollë me gjithë emrat e nxënësve.
Një absurditet historik nga mënyra se si veç regjistrit në dorën e gabuar, në fakt ata kanë në dorë pa baza fare edhe gjithë atë që ty të vjen më pas. Nejse!
Duke parë lajmet dhe pretenduar për një mesazh që nuk erdhi as sot, kuptova se nuk ishte e udhës që ngrysjes së qiellit, shiut dhe janarit në përfundim, t’i shtoja dhe stresin aktual për një projekt që dua të dorëzoj diku.
Andaj duke u rrekur të heq mendjen, rastësisht më ra në dorë Noli, me atë vizionin optimist klasik ndaj së ardhmes. Zakonisht, ai është i vetmi burrë në jetë që di të presë mendova. E gjen gjithmonë aty, sa herë kthehesh. Nuk të pyet dhe t’i kupton rrethanat që zakonisht na kalojnë mendjes. Qofshim gra, burra dhe këta që jemi në këtë shoqeri me kontradikta, që çdo njeri me kulturë e shpie në fakt, në krizë.
Një krizë e domosdoshme për kultin e arsyes dhe frymëzimit arrogant për individin dhe aspak bujare. Madje e rreptë.
Për artistët, sidomos.
Një sëmundje kjo që për ca tipa të tjerë, të pathemeltë që çdo kohë i prodhon për të jetuar, nuk i kap fare. Jo se janë pa mendime dhe as hollësira jete; sa si Malvina.
Malvina ishte një shoqe që kisha në Lice. Ishte martuar herët. Ishim në të njëjtën klasë. Viti i dytë, as 16-të vjeç. Një ditë erdhi duke qarë. Ishte ora e fundit. Ajo zakonisht nuk mungonte dhe vonesën nuk e kishte në tip, ndaj thashë me vete që gjithë ato lot i kishte ngase kishte humbur orët e mësimit, por jo.
Atëherë e pyes, pse po qan Malvina?
Po bëja dashuri me burrin mbrëmë, ma ktheu, dhe në vend që t’i thoja të du shumë o lal, i thashë: të du shumë o LUL.
Unë duke e ditur që i shoqi kishte emër tjetër, e pyes se çfarë ndodhi më tej. Po ja tha duke ngashëryer, siç ishte sipër trupit tim më vuri duart në fyt dhe ulërinte: Kush është Luli, fol?
Shumë kohë më vonë, kuptova se pse Malvinës nuk i plaste për shkollën dhe se kishte të drejtë, që i plaste vetëm për lalin që me siguri do e këtë lënë më vonë për një Lul’.
Pra, dua të them se në fund nuk ishte e nevojshme të bëje detyrat, sepse nota ishte gjithnjë e sigurt.
Pas 4-ës vjen gjithmonë 5-sa, më thoshte Malvina : s’ja vle me vra menjen lale.
Kishte të drejtë!
Por kthehemi te ajo që po lexoj nga Noli. Zgjodha Bethoven. Në një situatë nga qindra të tjera. Në profilin që përkthen autori, u ndala këtu. Një ditë ai u çmend pasi e shpërfillën kërkesēn e tij prej nga klasa borgjeze vogël nga ku kishte dhe rrënjët.
“ Natyra ime tregon se unë nuk i përkas vegjëlisë, shkruan Bethoven me dorën e vetë, pasi u zemërua shumë nga zhgradimi që Gjykata aristokrate Landhaus i bëri. Gjykata i kërkonte fakte për të provuar fisnikërinë përmes dokumenteve që ai nuk i kishte. Kjo për të treguar se si bir i Feudalizmit Mesjetar, besonte në epërsinë e gjakut kristian duke hedhur poshtë këtë: Se fjala fleminge “Van” në gjuhēn e Flandrēs, sikurse fjala “Von” në gjuhēn gjermane; nuk është titull. Aq më shumë, një titull fisnikërie”.
E kam fjalën, se Bethoven do e këtë pasur një arsye për të cilën ngriti veç zërit dhe përçmimin për përrallën e asaj që Malvina dhe shumë si ajo, nuk e mësuan kurrë në shkollë se janë tre shtyllat kryesore të ndasisë: Heroi a është hyjnor dhe me prejardhje aristokrate? Se qytetërimi modern a është pjellë e klasave të larta?
Dhe e treta: se tipi më i lartē i heroit është luftëtari – gjahtari i kokave dhe kanibali i cili mund të therrë shokët e tij, t’i pjekë dhe t’i hajë. I fundit është luftëtari modern, që hedh poshtë me përbuzje çdo afërsi me kanibalët, por që i pjek dhe i ha shokët e tij në të njëjtën mënyrë ose në një mënyrë më tē dobishme dhe më praktike; duke i shfrytëzuar.
Nuk e di pse më erdhi në mendje pas kësaj që lexova, Dante me “Guarda e passa!“ . Me të drejtë. Në fakt, ç’mund të bëjë vallë i dituri përpara këtyre kushteve të çmendura?
Njëjtë si sot, apo jo?
Asgjë nuk ka ndryshuar.
E mbylla librin duke pretenduar se përgjigjet e vonuara që prisja, m’i dha Noli. Duke më ulur në bangë si një mësues i mirë dhe i ditur dhe thënë se e kam të kotë; shkolla nuk ka të mbaruar. Aq më keq madje, se kjo e kësaj kohe qenka pak më ndryshe. E luftës!
Pastaj më la një shkumës mbi fletore dhe më tha: Shko atje tek dërrasa e zezë dhe shkruaj atë që mësove sot.
“Shkolla e luftës qenka më e lartë në ndjeshmëri, se ajo e dijes dhe e arteve”, shkrova.
E rrëmbyer nga brendia e kësaj drame, në fantazinë që nuk më mungon; vendosa të përmendem dhe të iki nga Noli. Ta lë si bëj çdo herë dhe të thelloja pasojat e rënda që çështjet e perceptimit i kanë, duke lexuar ndonjë gjë tjetër.
Si shoqe klase e Malvinës, përfundova duke shfletuar prapë librin e vitit 1991 me publicistikë nga Klosi dhe Rama.
U ndala këtë herë në një intervistë të jashtëzakonshme me Kasem Trebeshinën. Në mbyllje të dialogut, intervistuesi i thotë Trebeshinës këtë:
“ Tani në fund, më lejoni t’u tregoj një ndodhi të vërtet, shumë të shkurtër. Arsyen do e kuptoni vetë. Një miku im çoi djalin në klasë të parë. I dha një tufë me lule në një shtator dhe e nisi përpara. Djali duke parë fëmijët e tjerë që i jepnin lule mësueses, shkon dhe ai mbrapa tyre që të bënte te njëjtën gje. I ati e kapi për zverku dhe i tha: “JO ASAJ” dhe e çoi përpara një burri. E shikon këtë i tha? Ky është drejtori. Sot je 6-të vjeç, deri sa të bëhesh 60-të vjeç drejtor do të kesh mbi kokë. Prandaj me këtë mundohu ta kesh mirë, se të tjerët s’kanë ç’të duhen.
Jemi mësuar gjithë jetën t’u ngrihemi në këmbë butaforive. Le ta bëjmë këtë sot për njëri tjetrin, e mbylli intervistuesi, i cili në këtë rast ishte Edi Rama”.
Ramën e shoh si Noli, kur mendoj për ditën e nesërme. Ashtu me regjistër në dorë dhe bërë apelin.
Le ta vënë mungesën, unë nuk jam për shkollë nesër, thashë me zë duke i ikur dhe Ramës, siç Nolit më lart. Mbylla librin e sigurt se të njëjtën vendim do merrte edhe Malvina nëse do e njihte Brehtin qysh në Lice, kur thoshte se:
“E vetmja gjë që nuk më mësoi shkolla, ishte edukumi.”
Dhe me këtë zotërinë, e dashur Malvinë ia vlen të tradhëtosh jo vetëm burrin, por edhe lalin me Lulin.
Top Channel