Komisioni i reformës territoriale, PS i jep dhe një mundësi opozitës: Mbledhja e radhës të hënën, nëse bojkotoni…

29/01/2026 14:39

Mazhoranca socialiste i dha 3 ditë afat opozitës për tu rikthyer në komisionin e posaçëm parlamentar ‘Për Reformën Administrativo-Territoriale’ në Republikën e Shqipërisë.

Pas një debati në Konferencën e Kryetarëve, ku mazhoranca kishte kërkuar zyrtarisht heqjen e opozitës nga bashkëdrejtimi i komisionit, përfaqësuesit e opozitës ngulmuan se nuk kishin bojkotuar dhe kërkuan dialog.

“Mbledhja e radhës e komisionit të thirret ditën e hënë. Nëse opozita bojkoton edhe mbledhjen e ditës së hënë, atëherë në seancë do vendosim mekanizmin zhbllokues. Reforma do te behet doni apo nuk doni ju”, u shpreh kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.

Por Gazment Bardhi kreu grupit parlamentar demokrat kërkoi procese konsensuale dhe gjetjen e mekanizmave të dialogut, nën frymën e rekomandimeve të BE-së dhe mohoi bojkotin e këtij komisioni.

“Ju nuk keni qëllim qytetarët, por hartën elektorale. E bëtë këtë në vitin 2014 dhe e pamë se çfarë bëtë, duke shkatërruar pushtetin vendor dhe duke dëmtuar qytetarët. Ne nuk kemi bojkotuar mbledhje.

Në dy datat që ishin përcaktuar për zhvillimin e saj, anëtarët tanë nuk kanë qenë të pranishëm për shkak të angazhimeve të tjera të mëparshme. Kjo nuk përbën bojkot, por mungesë fizike për arsye objektive dhe të justifikuara”, u shpreh kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

Ky zhvillim erdhi në një kohë kur në tryezën e konferencës së kryetarëve ishte vendosur kërkesa e grupit parlamentar socialist për për ndryshimin e përbërjes së komisionin dhe heqjen e paritetit të opozitës në drejtim.

Propozohej që ky komision të  përbëhej me një shumicë anëtarësh socialist, opozita në minorancë  dhe Kryetari i komisionit  të ishte,  përfaqësues i Grupit Parlamentar të  Partisë Socialiste dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Sipas kërkesës së socialistëve kjo do të çonte përpara pa pengesa punën e këtij komisioni me një mandat që zgjat 9 muaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB