Sherri me shkopinj dhe me thika në Sarandë, reagon policia: Dy të arrestuar, një në kërkim
SPAK çon për gjykim ish-drejtuesin e Prokurorisë Sarandë, një avokat dhe dy biznesmenë
Kledian Llaho, i akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 të Kodit Penal, dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 245/1 paragrafi i katërt, dhe neni 25 të Kodit Penal.
Vasil Bakalli, i akuzuar për veprat penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarit, prokurorit, apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 të Kodit Penal, dhe Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 245/1, paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal;
Pando Papuçi, i akuzuar për veprën penale Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal në 2 episode;
Çlirim Shahini, i akuzuar për veprën penale“Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal.
Kallëzuesi, shtetasi M.A është hetuar penalisht nga Prokurori Kledian Llaho, në kuadër të një hetimi penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë është dokumentuar fakti penal se prokurori, Kledian Llaho ka qenë i njëanshëm në hetimin e procedimit penal
nr.774/2021. Qëndrimi i tij lidhet me marrëdhënien që familja e kallëzuesit (shtetasit M.A) kishte me vjehrrin e prokurorit, sepse ishte qiramarrës i një objekti hotel, në pronësi të vjehrrit të prokurorit. Shtetasi M.A kishte njohur investimin e kryer dhe për rrjedhojë detyrimin ndaj qiramarrësve në shumën prej 1.800.000 (një milion e tetëqind mijë) lekë.
Duke iu referuar fakteve të mësipërme, Prokuroria e Posaçme ka dokumentuar faktin penal se prokurori Kledian Llaho, në cilësinë e prokurorit të çështjes, i ka kërkuar palës së hetuar t’i kthejë vjehrrit të tij shumën prej 1.800.000 përmes të njohurit të tij shtetasit, Vasil Bakalli, me qëllim lehtësimin e pozitës proceduariale të të hetuarit M.A, në kuadër të procedimit penal në ngarkim të tij.
Njëkohësisht, i hetuar në procedimin penal të Prokurorisë Sarandë ishte edhe shtetasi Pando Papuçi, i cili i ka dorëzuar shtetasit, Vasil Bakalli dhe Kledian Llaho, në formën e rryshfetit, shumën prej 30.000 (tridhjetë mijë) euro, me qëllim që këta të fundit të ushtronin ndikim të paligjshëm tek prokurorja e çështjes, për të lehtësuar pozitat proceduriale të këtij të pandehuri.
Nga ana e shtetasit Pando Papuçi i ka paguar në formën e rryshfetit dhe vlerën prej 25.000 eurosh, avokatit të tij Çlirim Shahini, i cili i ka premtuar se do të ushtrojë ndikim të paligjshëm tek gjyqtarja e çështjes në ngarkim të këtij të fundit.
Në përfundim, pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore si dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit, janë dokumentuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm, veprat penale të sipërpërmendura.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.73 viti 2024, për kryerjen e veprës penale; “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, ndërsa më datë 6.1.2025 ka regjistruar emrin e personit nën hetim, Kledjan Llaho, i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale. Ndërkohë, më 30.1.2025 është bërë regjistrimi i të dhënave dhe i emrit të personit që i atribuohet vepra penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal, përkatësisht shtetasve, Pando Papuçi dhe Vasil Bakalli. Gjithashtu, më 17.10.2025, është bërë regjistrimi i të dhënave dhe emri i personit që i atribuohet vepra penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal, për shtetasin Çlirim Shahini.
Top Channel