Fiks Fare/ I mori pulat dhe qindra kokrra vezë, por nuk pagoi asnjë lekë, i moshuari nga Kuçova denoncon mashtrimin

29/01/2026 20:50

Një banor nga fshati Salcë–Kozare në Kuçovë ka denoncuar në emisionin Fiks Fare një rast mashtrimi, ku sipas tij, një grua i ka marrë pula deti dhe qindra kokrra vezë, por prej muajsh nuk i ka dhënë paratë.

Sipas denoncuesit, kontaktin e parë me zonjën e ka pasur përmes një personi nga fshati, i cili shiste raki. Fillimisht, marrëdhënia mes tyre ka qenë korrekte, pasi gruaja ka marrë dy herë nga 150 kokrra vezë dhe ka paguar rregullisht. Por situata ka ndryshuar më pas.

Ai tregon se më vonë zonja ka marrë pula deti dhe sasi të tjera vezësh, për të cilat nuk ka bërë asnjë pagesë. Aktualisht, borxhi i saj kap vlerën 963 mijë lekë të vjetra, ndërsa sipas denoncuesit, ajo e ka mashtruar vazhdimisht duke i dhënë justifikime të ndryshme. “Njëherë më thotë jam në komisariat, njëherë në spital. Vetëm lekët nuk m’i jep,” shprehet ai.

Denoncuesi thotë se zonja i ka treguar se produktet i duheshin për një kopsht në Tiranë, por nuk ka dhënë kurrë një emër apo adresë konkrete. Së fundmi, ajo i ka thënë se ndodhej e shtruar në spitalin e Saukut. I moshuari ka udhëtuar nga fshati drejt spitalit për ta takuar, por sipas tij, pasi e ka njoftuar se ndodhej aty, ajo i ka thënë të mos hynte brenda, pasi “nuk mund ta takonte”.

Gazetarët e Fiks Fare kanë verifikuar në spitalin e Saukut dhe rezulton se nuk ka asnjë paciente të shtruar me emrin Adile Gjeleshi, emër me të cilin është prezantuar zonja.

Në komunikimet telefonike me gazetaren, ajo mohon se ka mashtruar qytetarin dhe shprehet se pagesa është vonuar për shkak të “halleve personale”. Ajo premton se paratë do t’ia kthejë më 18 shkurt, duke theksuar se është “tregtare e ndershme”.

E pyetur për destinacionin e pulave dhe vezëve, ajo deklaron se i ka shitur në Milot. Madje, pranon se i ka marrë vezët me 700 lekë dhe i ka shitur me 500 lekë, duke pretenduar se ka dalë me humbje, por se është ndihmuar nga djemtë e saj.

Situata është tensionuar më tej kur zonja ka telefonuar sërish denoncuesin, duke i kërkuar emrin e gazetares dhe duke i thënë se mund të shkonte në shtëpinë e tij me “njerëzit e saj”, pasi ka “30 nipër” dhe nuk pranon të turpërohet. Denoncuesi e ka konsideruar këtë si kërcënim, ndërsa ajo e ka mohuar, duke thënë se “do të vinin vetëm për qejf”.

Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme, paratë ende nuk janë kthyer, ndërsa justifikimi i fundit i zonjës është se fondet “nuk i lirohen nga banka”.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB