Në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, më e madhja në juglindje të vendit që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, kamionët vijojnë të qëndrojnë të bllokuar për shkak të protestës së nisur 3 ditë më parë.
Në doganë janë mjete të tonazhit të rëndë me targa të Maqedonisë së Veriut. Bllokada është planifikuar të zgjasë rreth 7 ditë, ndërsa nëse kërkesat nuk plotësohen, Shoqata e Kamionistëve ka paralajmëruar mundësinë e zgjatjes së protestës.
Situata në doganën e Qafë Thanës vijon të jetë normale dhe pa problematika. Në palën maqedonase kamionët vijojnë të jenë të vendosur në radhë.
Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë së Veriut ka nisur bllokadën në rreth 10 pika kufitare, me pjesëmarrjen e rreth 370 kamionistëve. Ata protestojnë kundër zbatimit të sistemit të ri elektronik të hyrje-daljeve në zonën Schengen, duke kërkuar rritjen e afatit të lejuar për qëndrimin e tyre. Autoritetet maqedonase kanë shprehur mbështetje për shqetësimet e transportuesve dhe po kërkojnë zgjidhje, ndërsa protesta pritet të ketë ndikim të ndjeshëm ekonomik në rajon.
Top Channel