“Çelësi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë ndodhet në Moskë”, kancelari gjerman Merz: Çmimi që do të paguaj Rusia është…

29/01/2026 22:35

Çelësi për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare në Ukrainë ndodhet në Moskë, deklaroi kancelari gjerman Friedrich Merz, duke përjashtuar për momentin çdo kontakt të drejtpërdrejtë me presidentin rus Vladimir Putin.

Ai shprehu dyshime nëse Kremlini është realisht i gatshëm të bjerë dakord për një armëpushim dhe për negociata serioze paqeje.

“Ne duhet të ruajmë presionin dhe sanksionet tona dhe t’i intensifikojmë ato aty ku është e mundur. Po ashtu, po ndjekim kanale diplomatike dhe aktualisht bisedimet po koordinohen mes Ukrainës dhe Rusisë, si dhe me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën. Jemi plotësisht të informuar për përgatitjet dhe progresin e këtyre bisedimeve. Prandaj, nuk shoh ndonjë nevojë për të hapur kanale shtesë komunikimi për momentin”, tha Merz, gjatë një konference për shtyp me kryeministren lituaneze Inga Ruginienė.

Ai paralajmëroi se, nëse Moska nuk është e gatshme të përfundojë luftën, “çmimi që duhet të paguajë, përfshirë koston ekonomike, do të rritet javë pas jave dhe muaj pas muaji”. Kancelari iu referua gjithashtu bombardimeve pa dallim të infrastrukturës civile dhe energjetike të Ukrainës, duke i cilësuar ato si “krime lufte të Rusisë kundër Ukrainës dhe popullit të saj”.

Të dy udhëheqësit theksuan se çdo negociatë duhet të zhvillohet me pjesëmarrjen e Ukrainës dhe jo në mungesë të saj, në përputhje me parimet e sovranitetit dhe vetëvendosjes.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi perspektivën e blerjes së përbashkët të armëve bërthamore në Evropë, Merz rikujtoi se Gjermania është e angazhuar të mos zotërojë armë bërthamore, por sqaroi se kjo nuk përjashton diskutimet për një pengesë të përbashkët bërthamore me shtete të tjera evropiane. Ai theksoi se këto diskutime nuk bien ndesh me bashkëpunimin ekzistues bërthamor me Shtetet e Bashkuara, por mund të jenë plotësuese, siç është rasti me Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Nga ana e saj, kryeministrja lituaneze nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve transatlantike, duke theksuar njëkohësisht nevojën për forcimin e mbrojtjes evropiane.

“Ne e dimë se liria dhe prosperiteti nuk duhen marrë si të mirëqena”, tha Merz, duke shprehur solidaritetin e Berlinit me Lituaninë, ku është e stacionuar një brigadë e Bundeswehr-it.

“Siguria e Lituanisë është edhe siguria jonë. Prania e Bundeswehr-it nuk është një simbol politik, por një kontribut konkret ushtarak i Gjermanisë në pengesë dhe mbrojtje”, theksoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB