Berisha denoncon Ramën në Strasburg, drejtuesja e seancës në Këshillin e Europës i fik mikrofonin pas 2 minutash: Faleminderit shumë, nuk keni më përkthim

29/01/2026 13:40

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi zgjedhjet e 11 majit gjatë një fjalimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Por lideri i opozitës u ndërpre nga drejtuesja e seancës, e cila i fiku mikrofonin, ndërkohë që ishte duke u zhvilluar një debat për temën “zgjedhjet në kohë krizash”.

Berisha e nisi fjalimin e tij duke iu referuar kësaj teme dhe ndërhyrjes së Rusisë në proceset zgjedhore, por më pas kaloi në situatën në Shqipëri, ku tha se 28 deputetë kanë hyrë në Parlament me mbështetjen e krimit.

Pasi foli pak më shumë se 2 minuta, Berisha pa që mikrofoni i tij u fik, e megjithatë vijoi të fliste. Drejtuesja e seancës i kujtoi që mikrofoni ishte fikur dhe nuk po përkthehej për deputetët e tjerë, e më pas i dha fjalën deputetit pasardhës në listën e diskutimeve.

Drejtuesja e seancës: Fjalën e ka zoti Sali Berisha

Sali Berisha: Mendoj se çështja e zgjedhjeve, si në krizë ashtu edhe jashtë krizës, pyetja më themelore është kjo: a ka zgjedhje apo ka një farsë zgjedhore? Zgjedhjet i shërbejnë shtetit të së drejtës, ndërsa farsa zgjedhore ka efektin e kundërt. Unë dënoj fuqishëm ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vendeve të tjera, por jam këtu gjithashtu për të denoncuar dy faktorë të tjerë madhorë që mund t’i shkatërrojnë zgjedhjet. Njëri prej tyre është shteti–parti ose partia–shtet, ashtu siç u tha këtu nga vëzhguesit se në Shqipëri zgjedhjet u zhvilluan në klimën e një shteti partiak. Problemi i dytë madhor është narkoshteti.

Narkoshteti është një gjendje në të cilën droga dhe krimi shndërrohen në vota, dhe votat më pas shndërrohen në krime. 28 deputetë që kanë hyrë në parlament janë mbështetur nga kartelët më të fuqishëm të drogës. Pas kësaj, ata kanë marrë 450 leje për hotele, motele, ndërtesa dhe resorte turistike. Më pas, mandatet e tyre janë përdorur për të bllokuar të gjithë prokurorinë. Prokuroria kërkon të arrestojë dhe t’i heqë imunitetin zëvendëskryeministres. Edi Rama, kryeministri që quhet Ramaduro, e ka bllokuar iniciativën e prokurorisë dhe nuk po e lejon. Pse? Sepse në çdo tre rreshta të këtij dosjeje është emri i tij. E njëjta gjë po ndodh edhe me AKSHI, Agjencinë Kombëtare të Teknologjisë.

Drejtuesja e seancës: Faleminderit shumë.

(Berisha vijon të flasë pa mikrofon)

Drejtuesja e seancës: Mikrofoni gjithashtu është i fikur, nuk ka më përkthim. Faleminderit shumë. Para se të kalojmë te zoti Laszlo Veche, sepse ai kishte një listë tjetër, por tani mund ta marrë dhe ai është gati. Ju lutem, e keni fjalën.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB