BE me Trump për Iranin, Kallas: Do shpallim Gardën Revolucionare organizatë terroriste

29/01/2026 12:51

Në kohën kur presidenti amerikan Donald Trump po shton presionin ndaj Iranit, duke mos përjashtuar edhe gjasat e një ndërhyrjeje ushtarake atje, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas njoftoi se blloku ka shumë gjasa ta përfshijë Gardën Revolucionare Islamike në listën e organizatave terroriste.

“Po vendosim sanksione të reja ndaj Iranit dhe gjithashtu pres që ta fusim Gardën Revolucionare Islamike në listën e organizatave terroriste. Nëse vepron si terrorist, atëherë duhet edhe të trajtohesh si terrorist”, u shpreh Kallas.

Kallas theksoi se ky hap e vendos Gardën Revolucionare në të njëjtin nivel me grupet xhihadiste si Al-Kaeda dhe Shteti Islamik. Konsiderohet se ky veprim i Brukselit do t’i dërgonte Iranit një mesazh të fortë mes raporteve për vrasjen e mijëra protestuesve atje.

Sipas disa të dhënave, numri i viktimave nga protestat në Iran mund ta kalojë shifrën prej 30.000. Unioni 27 anëtarësh pritet gjithashtu të vendosë regjim vizash dhe t’i ngrijë asetet për 21 entitete shtetërore dhe zyrtarë iranianë- përfshirë edhe për ministrin e Brendshëm të vendit – pikërisht për shkak të shtypjes vdekjeprurëse të protestave.

Garda Revolucionare Islamike e Iranit, apo IRGC, është krahu ideologjik i ushtrisë së Teheranit dhe u krijua pas revolucionit të vitit 1979 për ta mbrojtur udhëheqjen klerikale. Garda kontrollon ose zotëron kompani në gjithë ekonominë iraniane, përfshirë sektorë kryesorë strategjikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB