Njihuni me Rh-null, ‘gjaku i artë’ që ka ngjallur interes të madh te shkencëtarët për ta riprodhuar në laborator
Forcat iraniane të sigurisë, të veshura me rroba civile, po arrestojnë mijëra njerëz në një fushatë masive arrestimesh me qëllim parandalimin e protestave të mëtejshme, pas shtypjes së trazirave më vdekjeprurëse që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Protestat e kufizuara që nisën muajin e kaluar në Teheran për shkak të vështirësive ekonomike u përshkallëzuan shpejt në kërcënimin më serioz për regjimin teokratik të Iranit në 50 vjet, me protestuesit që kërkonin dorëheqjen e udhëheqjes në pushtet.
Sipas ‘Reuters’, autoritetet ndërprenë aksesin në internet dhe i shtypën protestat me dhunë, duke vrarë mijëra njerëz, sipas grupeve të të drejtave të njeriut. Teherani fajëson “terroristë të armatosur” me lidhje me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara për trazirat.
Ditët e fundit, forcat e sigurisë kanë nisur një fushatë arrestimesh masive, me prani të shtuar policore në rrugë dhe ngritje të pikave të kontrollit, sipas pesë aktivistëve që folën në kushte anonimiteti nga brenda Iranit.
“Ata po arrestojnë të gjithë”, tha një aktivist. “Askush nuk e di se ku po çohen ose ku po mbahen. Me këto arrestime dhe kërcënime, po përpiqen të frikësojnë shoqërinë”, shtoi ai.
Sipas këtyre dëshmive, arrestimet masive synojnë të parandalojnë çdo ringjallje të protestave duke përhapur frikë, në një kohë kur regjimi iranian përballet me presion në rritje nga jashtë.
Ndërkohë, pasiguria për një ndërhyrje të mundshme ushtarake kundër Republikës Islamike është shtuar pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha javën e kaluar se një “armadë” po i drejtohej Iranit, por shpresonte se nuk do të kishte nevojë ta përdorte atë. Megjithatë, dje ai përsëriti kërcënimet, duke kërkuar që Irani të negociojë kufizime mbi programin e tij bërthamor dhe duke paralajmëruar se çdo sulm i ardhshëm i SHBA-së do të ishte “shumë më i keq” se sulmet ajrore të qershorit ndaj tre objekteve bërthamore.
Një aktivist tha se forcat e sigurisë po arrestojnë jo vetëm persona të dyshuar për përfshirje në protestat e fundit, por edhe njerëz që ishin arrestuar gjatë protestave të mëparshme, edhe nëse nuk kanë marrë pjesë këtë herë, si dhe anëtarë të familjeve të tyre”.
Numri i fundit i viktimave i përpiluar nga OJQ-ja me bazë në SHBA, HRANA, është 6,373 persona: 5,993 protestues, 214 forca sigurie dhe 113 të mitur nën moshën 18 vjeç. Sipas HRANA-s, numri i të arrestuarve ka arritur në 42,486.
Arrestimet vazhdojnë në të gjithë vendin, nga qytetet e vogla deri në kryeqytet, sipas dëshmitarëve dhe aktivistëve.
“Ata arrestuan vëllain tim dhe kushëririn tim disa ditë më parë”, tha një banor nga veriperëndimi i Iranit. “Hynë me forcë në shtëpinë tonë me rroba civile, kontrolluan gjithë ndërtesën dhe konfiskuan laptopët dhe telefonat celularë. Na paralajmëruan se nëse e bëjmë publike këtë, do të na arrestojnë të gjithëve”, shtoi ai.
Top Channel