Raheem Sterling nuk është më lojtar i Chelsea. Klubi londinez ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje të ndërsjellë për ndërprerjen e kontratës me sulmuesin anglez, duke i dhënë fund aventurës së tij në “Stamford Bridge”.

Reprezentuesi i Anglisë, me 82 paraqitje ndërkombëtare, kishte mbetur jashtë planeve të skuadrës gjatë gjithë sezonit dhe nuk kishte luajtur asnjë ndeshje zyrtare për Chelsea që nga maji i vitit 2024, plot 619 ditë më parë.

Në një deklaratë zyrtare, Chelsea konfirmoi largimin e Sterling, duke theksuar se bashkëpunimi mes palëve përfundon pas tre vitesh e gjysmë, që prej transferimit të tij nga Manchester City në verën e vitit 2022.

“Raheem Sterling është larguar sot nga Chelsea Football Club me marrëveshje të ndërsjellë. E falënderojmë për kontributin e dhënë gjatë kohës së tij te Chelsea dhe i urojmë suksese në fazën e ardhshme të karrierës,” thuhet në deklaratën e klubit.

Tashmë, e ardhmja e Sterling mbetet e hapur, me disa opsione të mundshme në Europë dhe jashtë saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB