Trazirat në SHBA, bie dollari/ Trump: Nuk jam i shqetësuar, po shkon shkëlqyeshëm

28/01/2026 14:48

Tensionet brenda dhe jashtë SHBA-së kanë ndikuar mbi monedhën e gjelbër; e cila ka rënë në nivelet më të ulëta të katër viteve të fundit.

Dollari amerikan u zhvlerësua me 1,3% kundrejt shportës së valutave kryesore globale, të cilat, pësuan rritje. Euro u forcua duke u ngjitur në 1,20 dollarë, niveli më i lartë ky që nga viti 2021, ndërsa floriri- strehë e sigurt dhe alternativë e preferuar ndaj dollarit në rezervat valutore- shënoi një rekord të ri prej 5.185 dollarësh, ose +3,5%.

Rënia e dollarit -2,6% që nga fillimi i vitit 2026- është rezultat i disa faktorëve shpjegojnë ekspertët, duke nisur nga rreziku i një shutdown-i të ri në Shtetet e Bashkuara, te përplasja mes Shtëpisë së Bardhë dhe Rezervës Federale, rritja e tensioneve mbi Groenlandën dhe së fundi, mundësia e një ndërhyrjeje amerikane në mbështetje të jenit japonez. Zhvlerësimi i orëve të fundit u përshpejtua nga deklaratat e Donald Trump, i cili theksoi se nuk është i shqetësuar për dobësimin e shpejtë të dollarit. “Dollari po ecën shumë mirë tha presidenti amerikan- po kërkon nivelin e tij të duhur dhe mendoj se kjo është gjë e mire”.

Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miran, ka mbështetur tezën se forcimi i dollarit është një nga shkaqet kryesore të rënies së industrisë prodhuese amerikane dhe, për këtë arsye, ka shprehur dëshirën për një zhvlerësim të tij. Në fakt, dobësimi i dollarit do t’i bënte eksportet amerikane më konkurruese në tregjet botërore dhe, në të kundërt, do t’i bënte më të shtrenjta importet në SHBA të mallrave të prodhuara jashtë vendit.

Jo rastësisht, disa kompani europiane kanë sinjalizuar se rënia e dollarit përfaqëson një lloj tarife shtesë mbi shitjet e tyre në SHBA, ku ndërkohë besimi i konsumatorëve ka rënë në nivelet më të ulëta që nga viti 2012.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB