Blegtori shqiptar tregton qumështin më të shtrenjtë në rajon, por njëkohësisht ai është edhe fermeri që fiton më pak se kolegët e tij.
Ndryshe nga vendet e tjera, ministria jonë e Bujqësisë e mbështet njeriun që mbarështon gjë të gjallë vetëm për numrin e krerëve, ndërsa jashtë kufijve i njëjti blegtor merr subvencione për krerë, litra qumësht, dhe për ushqimin blegtorial.
Saktësisht 1 litër qumësht në fermat shqiptare po shitet 54-58 lekë/litri, ndërkohë që kostot e prodhimit janë 47-50 lekë. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut një litër qumësht kushton 47-50 cent, në Kosovë i njëjti produkt kushton 45-48 cent, kurse në Itali kushton 28-30 cent, kurse në Hungari çmimi i qumështit varion nga 11-38 cent.
Përballë këtyre shifrave, fabrikat e qumështit preferojnë të furnizohen me qumështin e importit, ku vetëm gjatë vitit 2025, 8 milion litra qumësht që kapin vlerën e 5 milionë eurove u blenë në shtetet e sipërpërmendura.
Eksperti i ekonomisë, Ndoc Fasllai thotë: “Kostoja e prodhimit të 1L qumësht në Shqipëri krahasuar me vendet e rajonit është 60-70% më e lartë se sa ajo e realizuar në vendet rreth nesh. Në këto kushte është krejtësisht i pakonkurueshëm dhe i pabarabartë me qumështin që vjen nga importi dhe si i tillë nuk gjen treg.”
Dëgjesë më fermerët, ky është turi i takimeve që ministri i Bujqësisë, Andis Salla, po zhvillon këto kohë me njerëzit që prodhojnë. Ditë më parë ai u përball me blegtorët, ku kërkesa e tyre ishte e qartë: të ndryshohet formula e mbështetjes. Se sa është dëgjuar zëri i fermerëve mbetet për tu parë kur të prezantohet skema e re kombëtare 2026. Ekspertët thonë se blegtoria shqiptare mund të shpëtohet, dhe kjo bëhet duke imituar politikat që ndjekin shtetet fqinje.
“Duhet të kalohet në skemat e mbështetjes afatgjatë siç janë aplikuar në vendet e BE, ku lidhen me një kontratë duke i ofruar mbështetje 3-5 vjeçare”, thotë Fasalli.
Ndërkohë, në shumë ferma qumështi ka mbetur pa shitur, kjo pasi ushqimi blegtorial ka kontaminuar lëndën e parë me aflatoksinë, myk ky që vë në rrezik shëndetin tonë dhe të kafshës.
Top Channel