Inside Story/ Një histori e pafundme, si u shndërrua Shqipëria në pikë tranziti për grupet e trafikut të klandestinëve Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi mbrëmjen e sotme pritjen me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Shqipëri.
Gjatë fjalës përshëndetëse, Presidenti Begaj i ftoi ambasadorët ta shohin Shqipërinë si shtëpinë e tyre.
Presidenti i Republikës i cilësoi marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe përkatësinë në Aleancën e Atlantikut të Veriut si themelet e sigurisë dhe orientimit tonë ndërkombëtar.
Kreu i Shtetit bëri të ditur qëndrimin aktiv të Shqipërisë përballë zhvillimeve komplekse botërore, orientimin e palëkundur Euroatlantik dhe angazhimin për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, Presidenti i Republikës rikonfirmoi politikat e fqinjësisë së mirë, forcimin e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, mbështetjen e fuqishme ndaj Kosovës, faktorit shqiptar në rajon dhe forcimin e lidhjeve me diasporën.
Duke iu referuar tranzicionit global, Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria e vlerëson atë me një përgjegjësi dhe vëmendje të shtuar.
“Përkatësia Euroatlantike dhe bashkëpunimi me partnerët strategjikë, nuk janë thjesht për llogari gjeopolitike, por zgjedhje identiteti dhe vlera të patjetërsueshme”, theksoi Presidenti Begaj.
Dhe këto parime, sipas Kreut të Shtetit, nuk mbeten në nivel deklarativ, por përkthehen në zgjedhje të qarta strategjike dhe aleanca të qëndrueshme.
Duke iu referuar marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, Presidenti Begaj u shpreh, ndër të tjera, se ky partneritet, më shumë se një aleancë politike e ushtarake, është një marrëdhënie e veçantë historike, e ndërtuar mbi mirënjohjen, besimin, vlerat e përbashkëta dhe angazhimin për lirinë dhe demokracinë.
Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës përmendi ftesën e Presidentit Trump për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, një nismë e rëndësishme që synon forcimin e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Presidenti i Republikës e cilësoi atë si vlerësim të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë si një partner të besueshëm, të qëndrueshëm dhe të përkushtuar.
Duke iu referuar procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Presidenti Begaj theksoi progresin që është bërë së fundmi me grup-kapitujt e negociatave dhe reformat transformuese, të cilat kanë shënuar kalimin, nga aspirata, në një angazhim të strukturuar dhe të bazuar në meritë.
Presidenti Begaj e cilësoi prioritet forcimin e Aleancës Veriatlantike në një epokë ku siguria nuk mund të merret më e mirëqenë, e për këtë theksoi kontributin aktiv të Shqipërisë duke investuar në mbrojtje moderne dhe siguri kibernetike.
Për sa u përket zhvillimeve në rajon, Presidenti Begaj e cilësoi Shqipërinë si një spirancë të orientimit Euroatlantik në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar faktin se Shqipëria mbetet promotore e dialogut dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, e mbështet fuqishëm Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe angazhohet për fqinjësi të mirë, dialog dhe integrim evropian si horizont i përbashkët.
Një mesazh të veçantë Presidenti i Republikës përcolli edhe për diasporën, duke shprehur mirënjohje për angazhimin e saj në hapjen e Shqipërisë për zhvillimin e turizmit, ndërsa theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve.
Duke iu referuar prioriteteve të këtij viti, Kreu i Shtetit theksoi se viti 2026 përfaqëson për Shqipërinë një moment të rëndësishëm konsolidimi institucional dhe afrimi me standardet evropiane.
“Synimi ynë është të thellojmë këtë hapje, të forcojmë besimin dhe të krijojmë kushte që lidhja mes Shqipërisë, diasporës dhe partnerëve tanë të përkthehet në zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim të mëtejshëm evropian”, – deklaroi Presidenti i Republikës në pritjen e përvitshme me përfaqësues të Trupit Diplomatik në Shqipëri.
Top Channel