Që nga 2 qershori deri në 23 qershor rreth 26 mijë gjimnazistë do të zhvillojnë 4 provimet e detyrueshme të maturës shtetërore.
Ministria e Arsimit ka miratuar disa ndryshime në rregullore me synimin për të forcuar kontrollet gjatë testimit, si dhe për të shmangur rrjedhjen e tezave apo kopjimin.
Zv.ministrja e Arsimit, Oriana Osmani thotë: “Më e rëndësishme në këtë rregullore është rritja e përgjegjësive të atyre që menaxhojnë provimet e maturës, që nga përgjegjësi i administrimit, sekretuesit apo përgjegjësit e katit, të jenë shumë të bindur për detyrën që ata kanë në çdo qendër provimi. Nga ana tjetër, vazhdojnë të njëjtat rregulla për maturantët: pajisjet teknologjike si telefonat apo orët nuk janë të lejuara. Diku 3-4 penalizime kemi patur gjatë vitit të kaluar në përgjegjës administrimi që nuk angazhohen më në 2026”.
Zv.ministrja Oriana Osmani, njëherazi kryetarja e Komitetit për organizimin e maturës, tregon se rishikim do të ketë edhe në përmbajtjen e provimeve, teksa ka nisur puna për hartimin e tezave nga QSHA. Ndërkohë, nxënësve të klasave të 12 u janë shpërndarë teste model për t’u përgatitur paraprakisht: “Qendra e Shërbimeve Arsimore ka marrë masat për të organizuar grupet e hartuesve të tezave për të përditësuar fondet e pyetjeve. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e ndryshimeve të vogla që kanë pësuar programet e maturës dhe sigurisht për një përditësim të njohurive që nxënësi ka marrë në këto 3 vite.”
Lista me emrat e maturantëve parashikohet të publikohet më shpejt se në maturat e të kaluarës.
“Këtë vit do të ketë një komunikim institucional më të hershëm. Flasim për nxënësit që nuk mund të mbyllin në mënyrë të suksesshme maturën; emrat e tyre do të dalin më herët dhe nuk do të jenë në listën përfundimtare të shkollave. Është detyrim i drejtuesve për të parë me vëmendje numrin e mbetësve”, shton Osmani.
Këshilla për maturantët është të jenë sistematikë në përgatitjen për maturën dhe të mos e lënë përsëritjen për ditët e fundit.
Top Channel