Inside Story/ Një histori e pafundme, si u shndërrua Shqipëria në pikë tranziti për grupet e trafikut të klandestinëve

28/01/2026 21:50

Kalimi ilegal i emigrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore është një biznes i vërtetë. Fitimet e personave që merren me kalimin ilegal të këtyre personave arrijnë deri në miliona euro vjetore.

Ata kanë një rrjet të mirëorganizuar ku përfshihen që nga momenti i nisjes e deri në momentin kur mbërrijnë në Shqipëri. Korrupsioni dhe ndihma nisin që nga ambasadat shqiptare në vendet e Lindjes, tek ajo në Egjipt, e më pas deri në ardhjen në vendin tonë të punëtorëve të huaj duke i pritur në aeroport.

Emigrantët nën petkun e punëtorëve nuk qëndrojnë në vendin tonë, por largohen direkt. Trafikantët në këtë formë, ndikojnë negativisht dhe te bizneset, sigurisht tek ato që janë të rregullta, pasi ka subjekte që janë të përfshira dhe vetë direkt në trafikimin ilegal. Kjo dhe për arsyen se në Shqipëri ka dhe një treg informal, apo persona privatë që merren me këtë punë. Pra, duke mos qenë një agjenci e licencuar, por duke gjetur manovra të ndryshme për të punuar me qëllime të qarta…

“Për të thënë që është treg i rregullt është e vështirë për ta thënë. Ka kompani ndërtimi që kanë brenda që merren vetëm me këto procedura për të shmangur sanksionet. Edhe agjencitë e rekrutimit janë të licensuara, nuk mund të them se është i rregullt. Individët e ofrojnë dhe privatisht në mënyrë informale dhe këto sjellin dhe deformim të tregut. Këto sjellin më pas anomali në treg dhe në çmime dhe në mënyrën e të funksionuarit”, u shpreh avokatja Xhina Veizi.

Inside Story e ka trajtuar disa vite më parë një temë të tillë, në një kontekst tjetër, por asgjë nuk ka ndryshuar që atëherë… Investigimi pasoi në furtunë në radhët e Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Polici. Fenomeni i zbërthyer disa vite më parë nga Top Channel, çoi në çmontimin e disa grupeve kriminale trafikantësh të drejtuar nga shtetas arabë.

Problematika më e madhe në emigrimin ilegal lidhet dhe me përfshirjen direkte të vetë strukturave të policisë së kufirit dhe emigracionit. Disa policë janë arrestuar pasi kanë qenë pjesë e grupeve që organizonin emigrimin ilegal. Në vitin 2024, u arrestua shefi i seksionit të migracionit në Policinë e Tiranës Edmond Braha dhe efektivi tjetër Altin Hasani.

Ky i fundit ishte pjesë e hetimeve të policisë dhe në vitin 2020 duke qenë i përfshirë në lëmin e këtij biznesi, por pa kaluar shumë kohë arriti të rikthehej sërish në pozicion, deri në momentin që u zbulua sërish.

Pavarësisht aksioneve të bujshme, me kalimin e muajve dhe rënien e vëmendjes mediatike, procese të tilla kryesisht shuhen dhe nuk marrin vëmendjen e duhur. Këtu qëndron dhe problemi i vërtetë.

Ka pasur disa grupe që janë goditur. Linja e egjiptianëve, e cila drejtohej nga Ahmed Kensowa. Linja e Bangladeshit dhe Kamerunit që u godit nga SPAK, aktivitet që drejtohej nga shtetasit Endri Seiti së bashku me Luan Tafallën.

Dosja aktualisht është në proces gjykimi. Në provat e siguruara nga ana e hetuesve të BKH dhe policisë së Tiranës ka biseda të siguruara mes palëve, takime, madje dhe qese me para për zyrtarët.

I fundit që u arrestua nga Policia ishte Kreshnik Gaxha, një 31-vjeçar nga Kukësi, që transportonte egjiptianë drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ai i priste në Rinas dhe më pas merrej me pjesën e kalimit të tyre ilegal në kufi. Inside Story ka ndjekur nga afër këtë aksion, të dokumentuar përmes këtyre pamjeve ekskluzive të arrestimit.

Megjithatë ka dhe biznese të cilat janë të përfshira direkt në emigrimin ilegal të punëtorëve. Për të marrë një punëtor, tashmë është shumë e thjeshtë…

“Në Shqipëri është e thjeshtë të marrësh punëtorë të huaj, pasi aplikimi bëhet online në e-viza. Duhet me patjetër që biznesi të plotësojë disa kushte në mënyrë që të rekrutojë punonjës dhe një ndër kushtet bazë është akomodimi”, u shpreh avokatja Suada Pocesta.

Në kushte të tilla, biznese të caktuara, kanë qenë pjesë organike e grupeve me qëllime të qarta. Nën petkun e nevojës për afrimin e punëtorëve të huaj ata kanë siguruar vizat e punës dhe më pas i kanë përdorur për tu marrë para. Më pas, për ti larguar nga Shqipëria.

Ky aktivitet kriminal organizohet nga Luan Tafalla dhe Endri Saiti, të cilët nëpërmjet agjencisë së tyre të punësimit të quajtur “Intercontinental link” shpk dhe në bashkëpunim me shoqëritë tregtare Mega shoes, Gerem Konfeksione, Konvservimi Adriatik kanë kryer aplikimet për të pajisur me leje unike për punësim dhe më pas për vizë D, për shtetasit nga Bangladeshi.

Një nga personat që vazhdon gjyqet në GJKKO sot e kësaj dite i cili ra në rrjetën e SPAK është italiani Antonio Spekio. Ky i fundit kishte një aktivitet si firmë këpucësh “Mags shoes” që e përdorte për tu marrë me kalimin e paligjshëm të emigrantëve sipas pretendimeve të SPAK.

Spekio në fakt rezulton si aksioner në 3 biznese me të njëjtin shërbim, shitjen e këpucëve. Ai është kapur në biseda me personat që trafikonin, madje me një polic në aeroportin e Rinasit që nuk është identifikuar.

“Nga ana shoqërore, trajtimi është korrekt dhe mirëpritës. Problemi është institucional, pasi shteti nuk ka krijuar asnjë mekanizëm për mbrojtjen reale të këtyre emigrantëve që vijnë nga zonat aziatike dhe afrikane. Shikojmë se institucionet janë formale sa i përket mbrojtjes së këtyre emigrantëve”, u shpreh avokatja Suada Pocesta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB