Inside Story/ Mijëra filipinas punojnë në Shqipëri, gruaja denoncon mashtrimet e rekrutuesve: Një shoqja ime u zhduk…

28/01/2026 21:43

Një komunitet i madh emigrantësh që po vijon të rritet me shpejtësi janë shtetasit nga Filipinet. Disa mijëra përllogaritet të kenë ardhur në Shqipëri vitet e fundit. Në Tiranë, një komunitet i tyre ka themeluar edhe një kishë ku mblidhen çdo të diel.

“Agape Internacional” është vendi i tyre i shenjtë, i cili shërben edhe si vendmbledhje për filipinasit që janë në vendin tonë, por edhe për të ndarë eksperiencat e tyre. Ata flasin me njëri-tjetrin edhe për vështirësitë që kanë. Pjesa më e madhe e tyre janë gra e vajza që punojnë si dado në familjet e pasura shqiptare, por edhe në punë të tjera.

“Punojnë edhe si pastrues, punëtorë krahu, etj., etj. / nuk është zbardhje e saktë, krejt’”, u shpreh dado nga Filipinet.

Kjo e intervistuar tregon edhe disa nga problemet që kanë bashkëatdhetarët e saj në Shqipëri. Ajo ka theksuar se shumë prej tyre kanë pasur vështirësi me pronarët, pasi i shfrytëzojnë duke shkelur premtimet e rekrutimit, njëjtë si personat nga India.

“Disa nga të njohurit e mi, 4 prej tyre kanë shumë vështirësi. Njëra që jeton në Vlorë është pa dokumentacione. I thotë pronarit që t’i bëjë vizë, por ai nuk ia bën vizën, duke i thënë jo sot, jo nesër. / nuk është zbardhje e saktë, krejt”, u shpreh dado nga Filipinet.

Problemet që denoncon vajza nga Filipinet janë nga më të ndryshmet. Më shqetësuese janë rastet kur ata kanë nevojë për trajtime shëndetësore.

“Një shoqe e imja që punon në Tiranë kishte probleme me dhëmbët. Ajo punon çdo ditë, nuk ka asnjë ditë pushim. Ka bërë dhëmbët, i ka thënë pronares: më jep pak pushim që të marr veten, ajo i ka thënë, nëse do pushim, ik zhduku, merr plaçkat. Dhe tani është në rrugë të madhe. Po ashtu paguhej shumë pak dhe ushqimin dhe çdo gjë e blen vetë, ndërsa merr 450–500 mijë lekë”, u shpreh dado nga Filipinet.

Denoncuesja nga Filipinet zbulon edhe një rast tjetër fatkeq që kërkon ndjekjen e institucioneve ligjzbatuese. Ajo thotë se një shoqe e saj që frekuentonte të njëjtën kishë, prej disa kohësh është zhdukur dhe nuk ka asnjë kontakt me të.

“Një shoqja ime këtu në kishë punonte në një vend, e nxori pronari në rrugë. Kemi humbur kontakt me të, nuk e dimë fare se ku është. Kemi humbur edhe vendndodhjen e saj. Nuk e dimë ku është”, u shpreh dado nga Filipinet.

Ekspertët e tregut të punës konfirmojnë problematikat e ngritura nga denoncuesit. Sipas tyre, këto nuk janë raste të izoluara.

“Në Shqipëri ka plot raste që kompanitë reduktojnë kostot e tyre nëpërmjet mënyrave aspak dinjitoze në trajtimin e punëtorëve, sidomos në kushtet e akomodimit për të trajtuar një njeri dhe punëtor. Nuk investojnë për akomodim dinjitoz, por ndërtojnë kapanone, që të kenë kushte minimale, por jo normale. Sipërmarrja redukton kostot e shpenzimit që mund të ketë për t’i akomoduar”, u shpreh Erion Muça, ekspert punësimi.

“Orari i punës dhe pagesat. Punojnë me orare të gjata, në verë kemi pasur ankesa deri në 10 orë pa pushim. Nuk paguheshin për ekstra, pavarësisht se sipas kontratës duhen paguar. Ndonjëherë në pagesa, një kuzhinier filipinas dhe shqiptar dhe pagesa nuk ka qenë njësoj”, u shpreh Xhina Veizi, avokate.

“Ka raste edhe abuzimesh, pasi këta njerëz duke qenë se e kanë akomodimin e siguruar, kanë dhoma me shumë pak metra, 3–4 metra katrorë flejnë shumë veta. Jo gjithmonë dallimet janë në realitet. Janë edhe kapanone në ndërmarrje, aty përpunohen metalet dhe ngjitur flenë punëtorët”, u shpreh Xhina Veizi, avokate.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB