“Koha po mbaron”, Trump kërcënon Iranin teksa trupat amerikanë vijojnë vendosjen në Lindjen e Mesme: Uluni në tryezën e bisedimeve ose… Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme zhvilloi sot ceremoni përkujtuese me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare.
Gjatë fjalës së saj për kolosin e letërsisë shqiptare, ministrja për Europën dhe Punët e jashtme, Elisa Spiropali e përshkroi shkrimtarin si luftëtarin e paepur të Shqipërisë europiane.
“U bë pasaporta e Shqipërisë kur Shqipëria ishte në kafazin e izolimit të regjimit komunist”, tha Spiropali duke shtuar se bëri gjithçka për vendin e tij dhe nuk mori asgjë.
“Sot, në 90-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë, me respekt të thellë dhe dashuri të posaçme, kujtojmë veprën e Tij monumentale sa dhe kontributin kolosal për forcimin e vetëdijes kombëtare.
Sot, Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, kujton se Kadare e ngriti Shqipen dhe Shqipërinë në lartësi të admirueshme.
Mbushemi me krenari kur konstatojmë se Kadareja ynë i njohur ndërkombëtarisht në tërë planetin, më së pari ushqeu shpirtërisht e lartësoi moralisht popullin e Tij.
Shqipëria dhe shqiptaria tek Ai dhe vepra e Tij gjetën formën më të lartë të vetvetes.
Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, e qëndroi në atë piedestal edhe kur qemë të përbuzur, të harruar e të keqkuptuar, luftoi për ne.
Nderojmë luftëtarin e paepur të Shqipërisë europiane, atë që i dëshmoi botës se në këto troje rron një popull europian në mish e në thua, që sa herë ka qenë i lirë ka zgjedhur Europën.
Përkujtojmë përmes një ekspozite të thjeshtë me dokumente nga arkiva e shtëpia, emrin e kolosit kulturor, humanist, patriotik, që për Shqipërinë dhe shqiptarët, dha gjithçka, dhe nuk mori asgjë.
I përkthyer në shumë gjuhë, Kadare kapërceu izolimin haluçinant, foli e shkruajti në emër të vendit të tij të mbyllur, por jo të dorëzuar, duke ja arritur të bëhet ambasador shpirtëror i Shqipërisë në botë.
Ndërsa vëzhgohej rreptësisht nga aparati i shtetit komunist, në tehun mes adhurimit dhe survejimit, ia doli të kalonte çdo rrezik falë vullnetit të pashtershëm dhe forcës kolosale të gjeniut artist dhe vizionar.
Pa rënë ende perdja e hekurt, i ftuar nominalisht nga Presidenti i Francës, François Mitterrand, për të marrë pjesë në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez, mes 35 krerëve të shteteve dhe figurave më të rëndësishme të botës, Kadare ishte aty mes një grushti të vogël shkrimtarësh me përmasa botërore. Në këtë akt të fortë simbolik, bota perëndimore zgjodhi shkrimtarin që i fliste botës për ndërgjegjen historike dhe vlerat e thella të popullit të tij të mbyllur përkohësisht në një kafaz ideologjik.
Letra e dërguar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush, përmes mikut të tij, nobelistit Elie Wiesel, mbetet një nga aktet më domethënëse të kësaj diplomacie morale. Në një kohë kur në Shqipërinë komuniste, një letër e tillë mund të kushtonte edhe dënimin kapital, Kadare i drejtohej Presidentit të shtetit më të fuqishëm demokratik të botës, duke kërkuar ndjesë në emër të popullit shqiptar për armiqësinë e imponuar nga regjimi komunist.
Diktatura nuk mundi më ta mbante të izoluar gjeniun. Kadare u bë fitorja e parë morale ndaj regjimit, rrëzimi i parë simbolik i murit diktatorial në Shqipëri. Ai ishte zëri që parapriu ndryshimin, fjala që e bëri të mundshme Lirinë.
Shkrimtari që u kishte prirë bashkëkombësve tij drejt një bote përtej telave me gjemba, që ishte thelluar në shpirtin e kombit të tij, e dinte qartë çfarë i përkiste të bënte. Autoriteti moral që i kishin dhënë bashkëkombësit dhe personaliteti i tij i padiskutueshëm i dhanë guximin të fliste hapur. Dy vjet më vonë, nga Parisi – që u bë shtëpia e tij e dytë – ai do t’i shkruante sërish Presidentit Bush.
Ja si i drejtohej ai presidentit të SHBA:
“Zoti President!
Dy vjet më parë, më 1989, kur jo vetëm në vendin tim, por në gjithë perandorinë e Lindjes, diktatura komuniste ishte ende në këmbë, me mikun tim, laureatin e çmimit Nobel të paqes, Elie Wiesel, ju kam dërguar një letër. Në atë kohë, për një letër si ajo, në Shqipërinë komuniste dënoheshe me vdekje, megjithatë unë e ndjeva për detyrë t’ju drejtohesha juve, presidentit të shtetit më të fuqishëm demokratik të botës, për t’ju kërkuar ndjesë në emër të popullit shqiptar, për qëndrimin armiqësor që mbante qeveria komuniste shqiptare ndaj SHBA.”
Urat e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin rimëkëmbur dhe rindërtuar përpara mbërritjes së të dërguarve me punë, të cilët rihapën ambasadën amerikane në një dhomë të Hotel Dajtit. Këtë e kishte bërë Ismail Kadare.
Dhe dy vjet më vonë, pas vizitës historike në Shqipëri të Sekretarit amerikan të Shtetit, James Baker, ai i shkruante presidentit Bush:
“Dhe ja, pa u mbushur dy vjet, në marrëdhëniet amerikano-shqiptare ndodhi e pabesueshmja. Kur Sekretari i Shtetit, Baker, u prit në mënyrë madhështore në Tiranë, isha i lumtur të vërtetoheshin fjalët që ju kisha shkruar më 1989, që në atë kohë mund të tingëllonin si fantazi shkrimtari, se SHBA do të ketë te populli shqiptar, një mik të zjarrtë e të përhershëm. Nga ana e tyre, shqiptarët të zhgënjyer nga ato lidhje të mbrapshta, në të cilat i çuan komunistët, janë sot më të etur se kurrë për miqësi të vërtetë.”
Në rolin madhor të përfaqësuesit shpirtëror të kombit, Kadare krijoi raportin më kuptimplotë e prekës me Kosovën. Ishte i pari që shkroi për tragjedinë, që po përgatitej kundër Saj. Sot ende përlotemi nga vargjet e Tij të 1981-shit:
S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kur ju griu,
Por retë e globit veç ju panë,
Ndërgjegje e botës te ju mbërriu.
“Tri Këngë Zie për Kosovën”, “Krushqit janë të ngrirë”, “Baladë për vdekjen e J. G.” janë vepra që ndërthuren me referenca të tjera të pafundme në veprat e Tij për Kosovën dhe lirinë e saj.
Shumë përpara vitit 1999, Kadare paralajmëroi botën e lirë se një krim i madh po përgatitej kundër Kosovës:
“Me një krim të tillë në ndërgjegje, bota e lirë s’mund të flejë e qetë. Ndonëse nuk do të doja ta mbyllja këtë letër me diçka të zymtë, s’mund të rri pa ju thënë, se shqiptarët e Kosovës i kanë bërë thirrje për ndihmë gjithë botës: një masakër e përgjakshme po përgatitet kundër tyre.”
Kadare ishte me Kosovën në momentet e saj më vendimtare dhe dramatike. Letra që i nis delegacionit shqiptar në Rambuje me tone dashurie, lutje e qortimi është një ndër marrëdhëniet e tij në nivelet më të larta botërore: “ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj”.
Janë të pafundme episodet e ndërhyrjeve vendimtare të Ismail Kadaresë për vendin e kombin e Tij.
Dyzet e pesë gjuhët në të cilat janë përkthyer veprat madhështore të Kadaresë, dhe çmimet që mori, janë dhurata më e madhe që nga një bir i saj Shqipëria ka marrë.
Kadare dha ndihmesë të paçmuar në certifikimin e lashtësisë tonë, dhe vetë u shndërrua në mit.
Ne patëm fatin ta njihnim, ta jetonim si bashkëkohës dhe të vazhdojmë të mësojmë prej Kadaresë. Kontributi i tij nuk ishte vetëm letrar, por thellësisht politik në kuptimin më të lartë të fjalës: popull në vend të vet, me rrënjë të lashta europiane, me një gjuhë të madhe që ka prodhuar letërsi botërore.
S’ka rrugë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët veç Europës, vendi i barabartë në familjen tonë natyrale europiane, prej nga na kanë shkëputur dhunshëm pushtimet dhe ideologjitë.
I lexuar, i nderuar, i admiruar dhe i vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare – ndër to “Man Booker International” më 2005, “Princ de Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jerusalem” më 2015 – për ne shqiptarët, Kadare do të mbetet gjithmonë fituesi i madh.
I nderuar nga dy presidentë francezë me titujt më të lartë të “Legjionit të Nderit” – Komandant nga Presidenti Hollande në vitin 2016 dhe “Oficer i Madh” nga Presidenti Macron, më 1 janar 2020 – sot kujtojmë shkrimtarin që, me forcën sizmike të veprës së tij, tronditi ndërgjegjen e një shoqërie të izoluar dhe diti t’i dalë për Zot kombit të vet.
Le ta kremtojmë sot Ismail Kadarenë, viganin e Kulturës botërore dhe Vetëdijes Kombëtare, ambasadorin e përhershëm të Shqipërisë europiane”, u shpreh ministrja Spiropali.
Top Channel