Frikë nga luftanijet amerikane? Trump: Irani po kërkon bisedime

28/01/2026 14:13

Lajmet se një grup aeroplanmbajtësish amerikanë mbërriti në Lindjen e Mesme kanë mbjellë frikë në radhët e qeveritarëve iranianë, të paktën këtë nënkupton pohimi i fundit i presidentit amerikan Donald Trump.

Trump tha për Axios se situata me Iranin “po ndryshon”, duke përmendur praninë e një grupi sulmues të udhëhequr nga aeroplanmbajtësi USS Abraham Lincoln, tashmë i dislokuar në rajon. Shefi i Shtëpisë u shpreh se ka bindjen që Teherani dëshiron të arrijë një marrëveshje dhe ka kërkuar tashmë të vendosë kontakte diplomatike.

Ata duan të arrijnë një marrëveshje. Na kanë thirrur në disa raste. Ata duan të flasin”, citohet të ketë thënë Trump. Tensionet me Iranin janë rritur ndjeshëm  mes spekulimeve për një ndërhyrje të mundshme ushtarake, pas shtypjes së ashpër të protestave në vend.

Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se mijëra persona kanë humbur jetën gjatë përleshjeve me forcat e sigurisë. Në këtë klimë trazirash, valuta iraniane, riali, ra në nivelin më të ulët historik kundrejt dollarit, duke u këmbyer me rreth 1.5 milionë rialë më 27 janar. Trump deklaroi se shpreson që veprimi ushtarak ndaj Iranit të mos jetë i nevojshëm, por konfirmoi se SHBA-ja ka dërguar një flotë të konsiderueshme në rajon, duke mos përjashtuar sulmet ajrore si opsion në rast përshkallëzimi.

Ai theksoi se reagimi amerikan lidhet me shtypjen e protestave, të cilat në pjesën më të madhe kanë qenë paqësore dhe janë nxitur nga inflacioni i lartë dhe rënia e fuqisë blerëse.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB