FOTO/ Aksidenti me 7 viktima në Rumani, ky është i riu shqiptar që humbi jetën, ishte tifoz i zjarrtë i ekipit të PAOK-ut

28/01/2026 13:07

Ky është Vasil Pilo, i riu shqiptar që humbi jetën ditën e djeshme në aksidentin tragjik në Rumani që i mori jetën edhe 6 personave të tjerë.

Mësohet se Vasil Pilo jetonte me familjen e tij në Alexandria të Imathias në Greqi vitesh. Miqtë e Vasilit tregojnë se ai ishte tifoz i zjarrtë i PAOK dhe ishte prezent në gjithë ndeshjet e skuadrës.

Aksidenti tragjik ku ai humbi jetën ndodhi në Timis të Rumanisë teksa ai dhe 9 tifozë të tjerë të PAOK po udhëtonin drejt Lionit për të ndjekur ndeshjen e ekipit grek në Europa League.  Furgoni në të cilin ndodhej Pilo u përfshi në aksident në autostradën pranë qytetit Lugoj.

Sipas autoriteteve rumune, furgoni tentoi të parakalonte një kamion, por gjatë rikthimit në korsinë e tij të ecjes u përplas me kamionin që i vinte përballë. Nga impakti i fortë furgoni fluturoi jashtë rrugës. Në aksident u përfshinë gjithsej katër mjete.

Gjashtë nga viktimat humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një tjetër ndërroi jetë teksa transportohej drejt spitalit. Tre të plagosurit, mes tyre një tjetër shqiptar u dërguan në spitalin e qytetit Lugoj dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Klubi i PAOK-ut ka shpallur zi dhe ka njoftuar se do të mbulojë të gjitha shpenzimet për kthimin e trupave dhe ndihmën ndaj të plagosurve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB