Ditëlindja e Ismail Kadaresë, koha kalon dhe mungesat flasin

28/01/2026 17:44

Agron Gjekmarkaj

Ismail Kadare do të mbushte sot 90 vjeç. Një emër që i përket trashëgimisë së letërsisë botërore, një zë që e nxori gjuhën shqipe nga kufijtë e saj natyrorë dhe e vendosi në hartën universale të kulturës.

Vdekja e tij asokohe u shënua me një komunikatë solemne të Presidentit të Republikës Franceze, Emmanuel Macron, ndërsa lajmi u përcoll nga agjencitë më prestigjioze ndërkombëtare si humbja e një shkrimtari të madh europian.

I përkthyer në 48 gjuhë, fitues i çmimeve më prestigjioze të botës, i nderuar me aq shumë dekorata sa vetë përtonte t’i rendiste në CV, Kadare ishte dhe mbetet një ndërgjegje letrare që i përket botës.

Në Shqipëri, vendi prej nga lindi dhe që e mbajti si barrë dhe si fat, nderimi mbeti modest, i nxituar si rendje për t’u ndarë e çliruar prej tij!

Emra rrugësh, shkollash e institucionesh janë dhënë shpesh pa masë e pa kriter, duke e zbehur kuptimin e kujtesës publike në atdheun tonë! Asnjë e tillë për Ismail Kadarenë!

Fat që vendi ynë nuk ka një panteon kombëtar, se nuk do mbetej kopuk e teveqel pa e blerë vendin, me mik e lek!
Por Ismail Kadare, si shkrimtari më i madh i gjuhës shqipe, modernizuesi dhe arkitekti i prozës së saj bashkëkohore, e meriton një vend të veçantë, të qartë dhe të denjë në historinë dhe hapësirën tonë simbolike e publike! Do u duhej idealistëve dhe brezave, po kaq pragmatistëve dhe politikanëve!

Koha kalon dhe mungesat flasin: nuk ka ende asgjë pos një premtimi të pambajtur të Edi Ramës, asnjë hapësirë përkujtimore në përmasat e veprës së tij, nuk ka një shenjë publike që ta shpallë pa ekuivok peshën e tij kombëtare.

Ndërkohë, Franca e nderoi herët si akademik të saj, si shkrimtar të përmasave klasike, pjesë e antologjive shkollore! Parisi vuri në lagjen e tij më elegante një pllakë përkujtimore!

Franca di t’i ruajë dhe t’i nderojë autorët që bëhen pjesë e trashëgimisë së përbashkët kulturore.
Ne kemi kujtimin e hedhjes së kockave në lumë, siç u veprua me Pjetër Bogdanin, Pjetër Budin, At Gjergj Fishtën apo dekadat e ndalesës për Faik Konicën!

Heshtja dhe cinizmi ynë mbetet një pyetje e hapur për ndërgjegjen institucionale shqiptare.

Ismail Kadare nuk kufizohet në gurë, bronz apo mermer. Ai është frymë, vepër, gjuhë e shndërruar në fat historik. Ai është shkrimtari që i dha dinjitet tragjik përvojës shqiptare dhe e uli gjuhën tonë në sofrën e madhe të letërsisë botërore. Mirënjohja institucionale, kryesisht institucione partiake, mund të vonojë; vepra e tij shumëfishon vlerën e saj shpirtërore!

Ajo mbetet, si një pasuri e përhershme, përtej kohës, pushtetit dhe harresës.
Personalisht e mendoj në qiell së bashku me At Zef Pllumin në llogoren e përbashkët që ndërtuan në tokë së gjalli në ruajtje të identitetit europian të shqiptarëve! Shkrimtari murg e murgu shkrimtar i falin mëkatarët, se askush si ata nuk e ka të qartë paradigmën: “fali, Zot, se nuk e dinë ç’bëjnë”!

Siç do thoshte Vinçens Prenushi atyre: “qiellin nuk jua merrni dot”; ai mbetet. Këta të tokës hynë në të tjera hulli, sidomos të pushtetshmit; përmendoret e tyre mbeten shpesh pa piedestal!

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB