Paralajmërimi i çuditshëm i Papa Leonit: Mos flisni me të dashurat tuaja të krijuara me AI, ndryshe do të përballeni me pasoja të dhimbshme
Zyra Federale e Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA) ka kryer kontrolle në selinë qendrore të Deutsche Bank në Frankfurt, si dhe në ambiente të tjera të bankës në Berlin.
Sipas raportimeve të Der Spiegel, hetimi lidhet me dyshime për pastrim parash, ndërsa nën hetim janë zyrtarë dhe punonjës ende të paidentifikuar.
Sipas burimeve, operacioni ka nisur rreth orës 10:00 të mëngjesit të së mërkurës, kur rreth 30 hetues të veshur civilë hynë në ndërtesën e Deutsche Bank pranë lumit Main. Hetimet lidhen me marrëdhëniet e mëparshme të biznesit të bankës me kompani të huaja të dyshuara për përfshirje në aktivitete të paligjshme financiare.
Një zëdhënës i Zyrës së Prokurorit Publik të Frankfurtit deklaroi se nuk mund të jepen informacione të mëtejshme mbi natyrën e marrëdhënieve të biznesit, transaksionet e kryera përmes Deutsche Bank apo kompanitë e përfshira.
Nga ana tjetër, Deutsche Bank ka konfirmuar zyrtarisht kontrollet, duke theksuar bashkëpunimin me autoritetet. “Konfirmojmë se një operacion nga Zyra e Prokurorit Publik të Frankfurtit po zhvillohet aktualisht në ambientet e Deutsche Bank. Banka po bashkëpunon plotësisht me autoritetet,” u shpreh një zëdhënës i institucionit financiar.
Sipas Süddeutsche Zeitung, hetimet lidhen me oligarkun rus Roman Abramovich, ish-pronar i Chelsea FC, i cili është nën sanksione të Bashkimit Evropian që nga marsi i vitit 2022 për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Abramovich ka qenë klient i Deutsche Bank, ndërsa dyshohet se banka nuk ka raportuar në kohë një ose disa transaksione të dyshimta të lidhura me kompanitë e tij.
Bastisja vjen në një moment delikat për Deutsche Bank, vetëm një ditë përpara se drejtori ekzekutiv Christian Sewing të prezantojë fitimet më të larta të bankës në shumë vite. Megjithatë, zhvillimet e fundit pritet të sjellin pyetje të shumta dhe presion të shtuar ndaj drejtuesve të bankës më të madhe gjermane.
Top Channel