“Truri i fëmijëve s’është në shitje”/ Ndalohen rrjetet sociale për të miturit nën 15 vjeç në Francë

27/01/2026 15:05

Ligjvënësit francezë miratuan një projektligj që ndalon përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën 15 vjeç, masë kjo që mund të hyjë në fuqi me fillimin e vitit të ardhshëm shkollor në shtator teksa ideja e vendosjes së një moshe minimale për përdorimin e këtyre platformave po fiton përkrahje kudo nëpër Europë.

Dhoma e ulët e Parlamentit francez votoi në favor të bllokimit, në mesin e shqetësimeve në rritje mbi bullizmin online dhe rreziqet për shëndetin mendor. Legjislacioni tani shkon në Senat, përpara një votimi përfundimtar në dhomën e ulët. Përmes një postimi në platformën X, Presidenti Emmanuel Macron përshëndeti këtë lëvizje si një “hap të madh” përpara për mbrojtjen e të miturve në Francë. “Emocionet e fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk janë për t’u shitur apo për t’u manipuluar, as nga platformat amerikane dhe as nga algoritmet kineze,” ishte komenti i tij. Ligjvënësja centristë Laure Miller, e cila prezantoi projektligjin, i tha dhomës së ulët se ligji “vendos një kufi të qartë në shoqëri dhe tregon se mediat sociale nuk janë të pafajshme”.

“Fëmijët tanë lexojnë më pak, flenë më pak dhe krahasojnë veten më shumë me njëri-tjetrin,” theksoi ai. Ish-Kryeministri Gabriel Attal, i cili udhëheq partinë Renaissance të Macronit në dhomën e ulët, nënvizoi se “platformave të mediave sociale do t’u duhet deri më 31 dhjetor për të çaktivizuar llogaritë ekzistuese” që nuk përputhen me kufirin e moshës.

Legjislacioni francez do të kërkojë që platformat të bllokojnë qasjen e adoleshentëve përmes mekanizmave të verifikimit të moshës, në përputhje me ligjin e Bashkimit Europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB