“SHBA planifikon vendosjen e CIA-s në Venezuelën pas rrëzimit të Maduros”, CNN: Synohet ndikimi amerikan dhe stabiliteti gjatë tranzicionit politik

27/01/2026 14:37

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë vendosjen e CIA-s në Venezuelë pas rrëzimit të ish-presidentit Nicolás Maduro, me qëllim ushtrimin e ndikimit amerikan dhe stabilizimin e vendit gjatë periudhës së tranzicionit politik.

CNN raporton se, CIA po punon në heshtje për të krijuar një prani të përhershme në terren, ndërsa Departamenti i Shtetit dhe agjencia e inteligjencës po koordinojnë hapat afatshkurtër dhe afatgjatë për rikthimin e SHBA-së në Venezuelë.

Në fazën fillestare, zyrtarët amerikanë pritet të veprojnë përmes një aneksi të CIA-s, përpara hapjes së një ambasade zyrtare në Karakas. Ky mekanizëm do të shërbejë për vendosjen e kontakteve me autoritetet e reja, opozitën dhe strukturat e sigurisë, si dhe për vlerësimin e kërcënimeve të mundshme.

Burime pranë administratës Trump bëjnë me dije se CIA do të ketë rol kyç, veçanërisht për shkak të situatës së paqëndrueshme të sigurisë. Objektivat përfshijnë ndërtimin e marrëdhënieve lokale, garantimin e sigurisë dhe përgatitjen e terrenit për rikthimin diplomatik amerikan.

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ishte zyrtari i parë i lartë amerikan që vizitoi Venezuelën pas rrëzimit të Maduros, duke zhvilluar takime me presidenten e përkohshme Delcy Rodríguez dhe drejtues ushtarakë. Mesazhi i tij ishte i qartë: Venezuela nuk duhet të shërbejë më si strehë për kundërshtarët e SHBA-së, përfshirë Kinën, Rusinë dhe Iranin.

CIA ka pasur rol të rëndësishëm edhe në operacionin që çoi në kapjen e Maduros, përmes mbledhjes së inteligjencës dhe monitorimit të lëvizjeve të tij. Tani, fokusi i agjencisë është zhvendosur drejt ndikimit të qetë amerikan nga brenda vendit dhe vlerësimit të lidershipit të ri.

Ndërkohë, Departamenti i Shtetit ka nisur hapat e parë për rihapjen e ambasadës amerikane në Karakas, e cila ishte mbyllur që prej vitit 2019. Një ekip i kufizuar diplomatik dhe i sigurisë ndodhet aktualisht në Venezuelë për vlerësime fillestare.

Megjithatë, planet afatgjata të administratës Trump për Venezuelën mbeten ende të paqarta, ndërsa situata e sigurisë dhe reagimi i opinionit publik ndaj një pranie më të hapur të CIA-s pritet të jenë vendimtare për hapat e ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB