Koha që Ajatollahu të trembet/ Aeroplanmbajtësja amerikane mbërrin në Lindjen e Mesme, Teherani me sytë nga deti

27/01/2026 14:02

Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, duke dislokuar aeroplanë luftarakë, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe aeroplanmbajtës me mijëra trupa.

Sipas ekspertëve, kjo lëvizje ka shtuar tensionet me Iranin dhe ka rritur gjasat për një përballje ushtarake. Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte paralajmëruar më herët për sulme ndaj Iranit pas shtypjes së përgjakshme të protestave antiqeveritare, ku u vranë mijëra persona. Edhe pse së fundmi është tërhequr pjesërisht nga këto kërcënime, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e një aksioni ushtarak kundër Republikës Islamike.

Ekspertët vlerësojnë se grumbullimi i forcave amerikane dhe stërvitjet detare në rajon rrisin presionin ndaj Teheranit dhe i japin Uashingtonit më shumë opsione sulmuese. Sipas Farzin Nadimit, nga Instituti i Uashingtonit për Politika të Lindjes së Afërt, ky është një sinjal se SHBA-ja është e gatshme dhe ka vendosur kapacitetet e nevojshme në terren. Aeroplanmbajtësi USS Abraham Lincoln, së bashku me disa luftanije dhe mbi 5.000 trupa, është nisur drejt rajonit, ndërsa avionët luftarakë F-15E janë dislokuar për të forcuar praninë ajrore. Po ashtu, Forcat Ajrore amerikane kanë paralajmëruar stërvitje disaditore për të demonstruar aftësinë e tyre operacionale.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka rritur nivelin e gatishmërisë dhe u ka bërë thirrje grupeve aleate në rajon që të mbështesin Teheranin. Mediat amerikane raportojnë se administrata Trump po shqyrton një gamë të gjerë opsionesh- nga sulme ajrore të zgjatura deri te veprime më të kufizuara dhe simbolike, si dhe masa joushtarake si sanksione shtesë. Ekspertët paralajmërojnë se çdo sulm ndaj Iranit mbart rreziqe serioze për destabilizimin e gjithë rajonit.

Teherani ka kërcënuar se do të godasë bazat amerikane dhe aleatët e SHBA-së, përfshirë Izraelin, ndërsa vendet e rajonit privatisht kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB